A do të dorëzohet Ulqini nga Fjolla Cakuli – Video

January 29, 2014   | Real Estate

Fjolla CakuliTë dielën e kaluar, u mbajtën në Ulqin zgjedhjet e parakohshme lokale. Në garë ishin 9 subjekte politike, nga të cilat 2 parti shqiptare, 1 koalicion në mes të 3 partive të tjera shqiptare, 3 parti malazeze, 2 parti serbe, dhe 1 parti boshnjake. Të gjitha garonin për 33 mandate në Kuvendin Komunal. Rezultatet ishin befasuese, pasi partia e Milo Gjukanoviq, PDS, shënoi njërritje të madhe, duke fituar 9 mandate, nga 7 sa ç’kishte (në zgjedhjet e fundit lokale), duke u kthyer kështu në partinë dominuese me më shumë vota në Ulqin. Befasia tjetër ishte rënia e partisë më të madhe shqiptare në Mal të Zi, Forcës së Re Demokratike, e cila fitoi vetëm 8 mandate nga 11 sa ç’kishte. Sipas rezultateve të zgjedhjeve, gjasat janë që posti i Kryetarit të Komunës t’i takojë partisë së Gjukanoviq, PDS. Është e rëndësishme të theksohet se gjatë këtyre 24 viteve të pluralizmit politik në Mal të Zi, është hera e parë që një parti joshqiptare merr më shumë vota se çdo parti tjetër.

Sikur gjithçka të ishte zhvilluar në një vend normal, ku ardhja e një partie është vetëm se shprehje e vullnetit të lirë të popullit, ku nuk do të ekzistonte frika dhe tensioni që një mazhorancë etnike dhe politike ushtron ndaj minorancës, ky rezultat do shënonte thjesht një arritje të demokracisë. Por në rastin e Ulqinit, rezultati është më shumë se sa shqetësues. Është rastësi fatkeqe që po atë ditë të zhvillimit të zgjedhjeve, u bënë saktësisht 133 vjet e 2 muaj prej kur Ulqini ka rënë nën sundimin e shtetit malazez, në kundërshtim të plotë me vullnetin e popullit, i cili luftoi me gjithë çfarë kishte kundër këtij veprimi të paarsyeshëm, të padrejtë dhe tiranik të Kongresit të Berlinit.

Në këto 133 vite, janë ndërruar shumë sisteme politike, secili më opresiv se tjetri ndaj popullatës shqiptare dhe janë zhvilluar disa luftëra, përfshirë 2 botërore, luftërat ballkanike, e luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë. Nga ana tjetër, kemi pasur një Shqipëri të varfër, të copëtuar dhe për 50 vite komunizëm të izoluar e të paaftë për të mbështetur interesat e shqiptarëve jashtë kufijve administrativë të saj, duke vazhduar me një periudhë tranzicioni të mundimshëm dhe një politike të jashtme në rastin më të keq indiferente e në rastin më të mirë të keqinformuar ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. E përsëri, përgjatë këtyre 133 viteve, me gjithë këto rrethana të pafavorshme, popullata shqiptare në Ulqin ka bërë qëndresë heroike ndaj asimilimit kulturor, politik e demografik.

Është jashtë mase dëshpëruese që në këtë përvjetor (pas kaq shumë vitesh rezistencë në kohët më të vështira), në kohën e demokracisë, në kohën kur Mali i Zi është në negociata për anëtarësim në BE, shqiptarët e Ulqinit vendosin t’ia dorëzojnë Ulqinin malazezve me votën e vet, duke filluar zyrtarisht asimilimin.

Tani subjektet shqiptare gjenden para një situate jashtëzakonisht të vështirë, pasi çdo alternativë që ekziston nuk është e kënaqshme. Një ndër këto alternativa dhe në pamje të parë më e mira është që të formohet një koalicion i të gjitha partive shqiptare të cilat kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, duke formuar shumicën dhe duke lënë PDS-në në opozitë. Por, po t’i hidhet një vështrim pak më i hollësishëm, do gjejmë edhe këtu një realitet fatkeqësisht si të gjitha realitetet shqiptare, ku është gati e pamundur të bëhen kompromise dhe zgjidhje të qëndrueshme, sepse interesat personale të një numri të madh të politikanëve shqiptarë në Mal të Zi pamundësojnë funksionimin e tyre si një trup i cili vepron në mënyrë efektive për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për zhvillimin ekonomik të zonave ku ata jetojnë.

Faktorët që kanë ndikuar në këtë rezultat zgjedhor janë të shumtë, duke përfshirë ekzistencën e një numri tepër të madh të partive shqiptare për një numër shumë të vogël votuesish si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve në mes tyre, por përveç çështjeve brenda përbrenda subjekteve shqiptare dhe duke shfrytëzuar këtë gjendje, janë dy faktorë të cilët do doja t’i veçoja.

Një ndër faktorët i cili ka ndikuar në rënien e votave të partive shqiptare dhe ngritjen e votave të partive malazeze ka qenë politika e shtetit të Malit të Zi, e cila ka qenë gjithmonë denigruese dhe ka synuar t’i varfërojë gjithnjë e më tepër shqiptarët, në mënyrë që, siç bënë tani, ta kenë të lehtë të manipulojnë me ta, duke përdorur mjete të ndryshme, ndër të cilat frikën dhe blerjen e votave. PDS, si dhe PSD kanë bërë fushatë pothuajse vetëm 3 ditët e fundit të fushatës, me prezencën në Ulqin të të gjitha strukturave të këtyre partive, duke përfshire kryeministrin, ministrat, drejtorët politikë etj., si dhe me prezencën e një numri të madh të forcave speciale të policisë së shtetit për të mbjellë tmerr dhe për të bërë presion tek qytetarët. Ndërkaq, ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, disa ditë para zgjedhjeve, pas takimit me homologun e tij malazez në Podgoricë, është takuar me përfaqësuesit e partive shqiptare po në Podgoricë dhe nuk e ka parë të arsyeshme ose të nevojshme ta zhvillojë këtë takim në Ulqin, në qendrën e shqiptarëve në Mal të Zi. Është e paqartë se si qeveria shqiptare mendon të ndihmojë e të mbështesë shqiptarët në Mal të Zi nëpërmjet Podgoricës, ku veprimi ekuivalent do ishte që 100.000 eurot që i janë dhënë shqiptarëve të Preshevës t’i jepeshin nëpërmjet Beogradit. Shqiptarët kanë nevojë për prezencën fizike të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës në vendet ku ata jetojnë, për të ndjerë se kanë ku të mbështeten dhe ka kush t’i mbrojë interesat e tyre. Në rastin e Shqipërisë, përveç se obligim moral, është edhe obligim kushtetues.

Faktori tjetër i rëndësishëm gjatë këtyre zgjedhjeve ka qenë dalja për herë të parë në zgjedhje e një partie tjetër malazeze (ose siç e quajnë “qytetare”), Mali i Zi Pozitiv, në listën e të cilës ishin kryesisht shqiptarë, e të cilët megjithëse pretendojnë se janë kundërshtarë të flaktë të PDS-së, kanë kontribuar direkt në sjelljen e PDS-së në pushtet, në shndërrimin e PDS-së në partinë më të madhe në Ulqin, në dëmtimin e partive nacionale shqiptare, e ç’është më e rëndësishmja në dëmtimin e shqiptarëve, popullatës së vetme autoktone në këtë qytet 2600 vjeçar.

Është koha që të reflektojmë thellësisht mbi veten tonë, mbi identitetin dhe mbi pozicionin tonë në Ballkan e më gjerë, që të mos lejojmë historinë të përsëritet e të konsiderojmë si diçka normale një rezultat si ky i pardjeshmi në Ulqin, pasojat e të cilit mund të jenë shkatërruese në këtë sistem “demokratik” për vazhdimësinë e pandërprerë 2600 vjeçare të popullit shqiptar në këto troje. Në këtë drejtim, është inkurajues reagimi i votuesve shqiptarë, të cilët gjatë këtyre dy ditëve po bëjnë presion tek kryesitë e partive për një koalicion të të gjitha partive shqiptare. Na mbetet të shohim dhe të shpresojmë se liderët shqiptarë do të shkojnë përtej mosmarrëveshjeve personale për një kauzë më të lartë si dhe zgjimin nga gjumi të politikës shqiptare në Shqipëri për atë çfarë është duke ndodhur me shqiptarët në Mal të Zi.

Autorja është e graduar me master shkencor ne Shkencat Politike dhe Ekonomike ne London School of Economics and Political Sciences në Londër

Ina

YouTube Preview Image