Ali Cenaj: Ulqini nuk ra, kanë rënë nuset

February 1, 2014   | Kulturë / Kultura

Ali-CenajVetëm për ata me mungesë të informacionit elementar për të bëmat e të pabëmat gjatë gjithë këtyre viteve pluralizëm në skenën politike te shqiptarët në Mal të Zi, zgjedhjet e fundit dhe “rënia” e Ulqinit është befasi. Rezultati që partinë e kryeministrit Gjukanoviq në këtë komunë, për herë të parë pas 24 vitesh e solli në krye të listës së partive më të votuara, jehoi si bombë.

“Ra Ulqini”, “E humbën Ulqinin”, “Ulqini në duar të malazezëve”, ishin titujt që mbase për herë të parë sollën këtë qytet në krye të mediave shqiptare. Si pas Kongresit të Berlinit, 136 vjet më parë kur Ulqini vërtet ra. Dhe pastaj, si në kohë betejash vendimtare, vargohen thirrjet, apelet, lutjet, nga të gjitha anët për partitë që në akronime kanë nga diçka shqiptare, të bashkohen dhe të na e shpëtojnë fytyrën. Se, o burra, ta shpëtojmë Ulqinin.

Parë nga larg me syrin e dikujt që nuk e ka informacionin sadopak relevant për atë çka ka ndodhur dhe si kanë shkuar punët në skenën politike të shqiptarëve në Mal të Zi, që nga zgjedhjet e para shumëpartiake, 24 vjet më parë, kur ende besohej në ideale. kur trupi zgjedhor i shqiptarëve në Ulqin ishte unik dhe pa asnjë përjashtim, si me plebishit, votoi partinë atëherë të vetme shqiptare që tani nuk arrin të fitojë as një këshilltar, rezultati në të cilin DPS i Gjukanoviqit e cila në Ulqin, ç’është e vërteta udhëhiqet e përbëhet nga shqiptarë, me nënë e me babë, doli fitues edhe pse me vetëm një këshilltar më shumë, mund t’i duket edhe tragjik. Sidomos kur nuk thuhet qartë se partitë politike të cilat, kur e do puna, u pëlqen të quhen shqiptare, kanë fituar më shumë se dyfishin e këshilltarëve dhe, po deshën, për çka vështirë të besohet, mund të bashkohen dhe të riformojnë koalicionin që vetë e prishën duke e çuar qytetin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Po deshën, askush s’ua ndalon por vështirë të pritet kjo nga trimat e gatshëm që për një plesht t’ia vënë flakën, jo vetëm jorganit. Apo, në këtë rast të sillen, si ajo nusja që për inat të vjehrrës shkon në shtrat me mullisin.

Në të vërtetë në këtë situatë, mullisi i Podgoricës është në pozitë shumë më të lakmueshme. Madje të zgjedhë cilën nga nuset e dëshiron ta ketë në shtrat. Vetëm t’ua lejojë një grimë pushtet. Një zhallogë.

Nëse dikush duhet të ndjehej i turpëruar për nuset në shtratin e mullisit, ata më së paku janë votuesit që nxorën këtë rezultat.

Janë po ata votues që në fillimet e pluralizmit kur iu dha mundësia të votojë për vete, patën tejkaluar çdo ndasi dhe pa përjashtim, votuan partinë atëherë të vetme shqiptare. Megjithatë shumë shpejt partitë e mëhallëve që u formuan ndërkohë, manifestuan adoleshencën politike me ambiciet e sëmura për t’u rehatuar në habitatin e vetë të ngrohtë si ajo miza nën bisht të kalit.

Efektet tash i kemi me zgjedhjet e fundit.

I dëshpëruar për të satën herë me shegertllëkun e të zgjedhurve të vet që aq padinjitetshëm luanin rolin e korrierit, që votën e shisnin aq lirë në Podgoricë,votuesit nisën të rezonojnë ndryshe. T’i lirojnë nga mundimi i korrierit.

Dhe t’u tregojë se nuk janë të dënuar t’i votojë vetëm ata.

Ulqini pra, nuk ka rënë, kanë rënë nuset.

Burimi: ZËRI

YouTube Preview Image