“Art Club” boton librin “Harapët e Ulqinit” të autorit Ali Llunji

February 7, 2014   | Kulturë / Kultura

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Harapët e Ulqinit” të autorit Ali Llunji. Kjo është monografia e parë për zezakët e Ulqinit, një studim dhe kontribut i rëndësishëm në fushën e antropologjisë kulturore dhe etnokulturës.

Harapet-e-Ulqinit

Autori na tregon për bashkëjetesën e kësaj popullsie, e cila edhe pse kishte ardhur nga një kontinent tjetër, me ngjyrë e zakone të tjera, u bë një me popullsinë autoktone shqiptare.

Sipas autorit, ulqinakët i kanë respektuar dhe vlerësuar banorët e ardhur nga Afrika e zezë, kanë treguar bujari dhe ngrohtësi ndaj tyre, si dhe “i kanë çmuar si një pasuri e rrallë njerëzore pa bërë ndonjë ndasi a përbuzje raciale”, në kohën kur të drejtat e tyre themelore njerëzore dhe qytetare shkeleshin në një pjesë të madhe të Evropës dhe Amerikës. Këtë gjë e vërteton më së miri jeta dhe puna e përbashkët, lidhjet martesore etj.

“Me plot gojë mund të themi se i kishim bashkëqytetarë, se kishin një shpirt të pastër, një gjak të kuq, gjak që shpëton jetën. Edhe ata ishin pjesë e shëndoshë dhe e pandashme e qytetit bregdetar – Ulqinit”, thotë autori në parathënien e librit.

Ulqini, ky mjedis shqiptar, nuk i pengoi harapët e Ulqinit, që të ruanin ndonjë segment të traditave nga atdheu i tyre i largët, shpeshherë edhe i imagjinuar. Por me kalimin e kohës, edhe ato pak tradita u zbehën derisa një ditë u fikën plotësisht.

Recensent i librit “Harapët e Ulqinit” është prof. dr. Ruzhdi Ushaku, kurse redaktor dr. Nail Draga. Botimin e librit e ka ndihmuar Komuna e Ulqinit dhe “Art Club”-i, ndërsa ai është shtypur në shtypshkronjën ALFAPRINT në Prishtinë.

Ali Llunji u lind në Ulqin. Që herët filloi të merret me shkrime. Shkruan prozë, monografi, fejtone televizive, drama dhe skenare për filma artistikë. Mbi katër dekada ushtron publicistikën. Ishte gazetar, redaktor përgjegjës, komentator dhe kryeredaktor. Në cilësinë e reporterit televiziv mori pjesë në disa simpoziume, konsulta dhe kongrese shkencore që patën rëndësi të veçantë historike. U mor me kritikë teatrore, filmore dhe letrare. Përktheu në shqip drama dhe vepra beletristike. Bashkëpunon me shumë revista dhe gazeta të kohës. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës. Libri “Harapët e Ulqinit” është vepra e njëmbëdhjetë e tij.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

        Ulqin, më 07. 02. 2014                                                                               SHAI “Art Club”