“Art Club” boton librin “Zonja nga kryeqyteti” të autorit Asllan Bisha.

February 8, 2014   | Shtypi / Mediji

Asllan-BishaShoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar këto ditë librin “Zonja nga kryeqyteti” të autorit Asllan Bisha. Libri përbëhet nga 11 novela, “të pabesueshme… të vërteta”, të cilat trajtojnë tema të ndryshme nga jeta e përditshme.

Kryeredaktor i librit është Basri Çapriqi, redaktor Haxhi Shabani, ndërsa lektor Skender Temali.

Libri është shtypur në Shtypshkronjën IVPE në Cetinë, kurse botimin e tij e ka mundësuar Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

Asllan Bisha ka botuar deri tani disa romane, përmbledhje me tregime dhe novela për fëmijë dhe të rritur. Ky është libri i tij i 13-të. Ai është autori që ka botuar më së shumti libra me firmën e Shoqatës “Art Club”. Ka qenë gazetar, korrespondent i gazetës “Rilindja” të Prishtinës, Radio Titogradit, por edhe i RTV të Kosovës në harkun kohor 2000-2008. Ishte kryeredaktor i revistës për fëmijë “Zana”. Ai është mbledhës folklori, autor punimesh nga ihtologjia (peshkimi) dhe i teksteve të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur”. Disa nga krijimet e tij letrare janë përfshirë edhe në tekstet shkollore.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

        Ulqin, më 08. 02. 2014                                                                               SHAI “Art Club”