FC Prishtina, pesë ndeshje miqësore në Ulqin

February 15, 2014   | Sporti / Sport

FC Prishtina-UlqinUlqini e veçmas hotel “Olimpic” ka kohë që është bërë shtëpia e dytë e FC Prishtina, e cila për shumë vite nuk e nis stinorin pranveror pa e kryer një fazë të përgatitjeve në këtë vend bregdetar. “Kushtet për punë vërtet janë ideale, jemi bërë si vendas këtu, kurse edhe pritja nga personeli i hotelit është në nivel të lartë. Deri tash çdo gjë po shkon ashtu siç është planifikuar. Koha është shumë e mirë, ndonëse ka edhe shi, por që nuk paraqet pengesë të madhe”, tha kryetrajneri i Prishtinës, Afrim Tovërlani, duke bërë me dije se futbollistët nuk kane telashe dhe po i përballojnë mjaft mirë ushtrimet.

“Dallimi është vetëm te fushat, pasi për dallim nga ato te ne, këtu fushat janë shumë të buta, por futbollistët po adaptohen dhe nuk dyshoj se çdo gjë do të kryhet si është më së miri, madje jam i bindur se përgatitjet do të kryhen me sukses të madh”, shprehet Tovërlani, sipas të cilit prej sot skuadra nis me zhvillimin e ndeshjeve kontrolluese.

“Po, sot ka ardhur skuadra e Ferronikelit me të cilën të shtunën (sot) do ta zhvillojmë ndeshjen e parë kontrolluese, e më pas do të zhvillojmë edhe ndeshje tjera me skuadra të Malit të Zi. Kështu, të hënën takohemi me Çelikun e Nikshiçit, të martën me Mornarin e Tivarit, të mërkurën kundër një skuadre të Ligës së parë të Malit të Zi, kurse të enjten është paraparë ndeshje me Otranton e Ulqinit”, thotë kryetrajneri i Prishtinës. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndeshje tjera, por me rivalë më cilësorë.

“Në Budvë ka disa skuadra të njohura që po i kryejnë përgatitjet atje dhe ka mundësi që të kontaktojmë me ta në mënyrë që ta zhvillojmë edhe ndonjë ndeshje”, thotë Tovërlani. Për dallim nga shumica e futbollistëve të cilët edhe më parë kanë pasur rast te jenë pjesë e Prishtinës në Ulqin, për të riun Shend Kelmendi kjo është hera e parë.

“Janë këto përgatitjet e para të përbashkëta me skuadrën e Prishtinës në Ulqin dhe mund të them se po ndihem shumë mirë. Atmosfera është e shkëlqyeshme, kushte shumë të mirë dhe kjo na motivon më shumë që të angazhohemi dhe t’i kryejmë detyrat që kërkohen nga ne. Kur nisim me ndeshje miqësore do të kemi edhe më lehtë”, tha Kelmendi.

Baki Berisha

Zëri