Kilica-Manaj duo pianistike – Koncert recital ne Ulqin
Në sallën e koncerteve të Qendrës Kulturore dhe Shkollës së Muzikës në Ulqin, pianistja Vojsava Manaj, pedagoge e pianos dhe ass/prof. në Universitetin e Arteve të Tiranës; Lea Kilica, gjithashtu, pedagoge dhe docente pranë këtij universiteti, si dhe muzikologia, doktore e shkencave, Holta Sina, pedagoge e muzikologjisë dhe analizës së formës në Universitetin e Arteve të Tiranës, zhvilluan një aktivitet koncertal dhe shkencor me mbështetjen e Fondacionit “Lika”. Bashkëpunimi mes duos pianistike Kilica-Manaj nuk ishte i pari i kësaj natyre, pasi ato vijnë pas një bashkëpunimi të suksesshëm mes tyre, si ai i vitit 2011, ku interpretuan së bashku koncertin premierë në Shqipëri, për dy piano dhe orkestër në lab-të M. Bruch, në bashkëpunim me orkestrën simfonike të Akademisë së Arteve dhe dirigjentin gjerman Cristian Ludwig.
Jeta e tyre koncertale ka qenë e pasur edhe me bashkëpunime të tjera me orkestra të ndryshme, formacione dhome, por edhe në mënyrë solistike, si brenda dhe jashtë vendit. Programi i këtij aktiviteti ishte i larmishëm, ku duo-ja pianistike koncertoi vepra të kompozitorëve shqiptarë e të huaj. Konkretisht, ky program ishte përzgjedhur me kujdes, ku përfshiheshin vepra nga autorë romantikë e modernë (sonatë Brahms, tri prelude Gershwin) si dhe vepra shqiptare nga kompozitorë të traditës dhe bashkëkohorë (pesë miniaturat e Harapit dhe Korale për dy piano e Sinës), të cilat u interpretuan me kualitet, emocion e profesionalizëm, të dëshmuara këto edhe nga pritja dhe vlerësimet e të pranishmëve.
Pikërisht, ishte kompetenca profesionale dhe marrëdhënia artistike e konsoliduar në duo e këtyre dy pianisteve, ajo që krijoi atë feeling të nevojshëm si dhe alkiminë e duhur, duke bërë që loja e katër duarve të tyre në dy pianot “në kurriz të njëra-tjetrës” të krijonte një dialog të ngrohtë, si p.sh. tek Korale e E. Sinës, por edhe me plot temperament e dinamizëm, në momentet kulminative, si tek sonata e Brahms-it apo në preludet Gershwin që e ndezën atmosferën, duke bërë për vete publikun, i cili nuk ngurroi të thërriste ‘bravo’. Ky bashkëpunim mes kolegesh vijoi edhe me një tjetër moment, që u prit gjithashtu me interes nga publiku, pikërisht përmes referatit të mbajtur nga muzikologia dhe doktorja e Shkencave, Holta Sina, për muzikën shqiptare, konkretisht për zhvillimin e formave të vogla pianistike, si dhe për vendin që zë Tonin Harapi në lëvrimin e këtij zhanri.
Mapo.al





