Afrim Tovërlani: FC Prishtina në Ulqin po arrisim objektivat e paraparë – Video

February 21, 2014   | Sporti / Sport

FC-PRISHTINA-ULQINFutboll. Skuadra e Prishtinës po vazhdon të përgatitet në Ulqin, që stinorin pranveror ta nisë sa më e gatshme. Sipas trajnerit të Prishtinës, Afrim Tovërlani, plani i punës së paraparë është realizuar dhe se ai është i kënaqur me atë që kanë treguar futbollistët, madje edhe në ndeshjet miqësore.

“Gjithçka ka shkuar sipas planit të paraparë. Po ushtrojmë mirë, derisa në këto ditë sa na kanë mbetur planifikojmë të stërvitim nga dy herë në ditë, ndërsa ditën e fundit e kemi edhe një ndeshje miqësore dhe të dielën presim të kthehemi në Prishtinë”, ka thënë “Toki”, duke vlerësuar se ai është i kënaqur me ndeshjet kontrolluese dhe beson shumë se ekipi në kampionat do të tregojë formë të mirë.

“Përveç ndeshjes me Srebrenicën ku futbollistët e nënvlerësuan kundërshtarin, në takimet tjera jam ndarë i kënaqur me lojën e tyre. Kam provuar gjithë futbollistët, shumë sisteme dhe tashmë e kam të qartë se ku mund të funksionojmë më së miri. Në të gjitha takimet kam bërë ndryshime në sistemin e lojës dhe reparteve për ta parë se ku mund të funksionojmë më së miri”, ka thënë tekniku më i mirë për vitin që lamë pas.

Driton Krasniqi, Argjend Malaj, Liridon Kukaj dhe Gentrit Begolli ishin futbollistët që munguan në ndeshjen e fundit për shkak të lëndimit, por sipas trajnerit asgjë për t’u shqetësuar nuk ka, pasi këto janë shkas i ngarkesës dhe pas pushimit 1 apo 2 ditë gjithçka kalon.

“Dritoni e Liridoni veç janë kyçur në stërvitje, ndërsa Argjendi e Gentriti kanë pushuar por nuk bëhet fjalë për lëndime serioze. Edhe ata shpejt do t’i bashkohen ekipit, pasi që këto lëndime kryesisht vijnë për shkak të ngarkesës e që është normale pasi që po punojmë bukur shumë”, ka përfunduar Afrim Tovërlani.

Ejup Llumnica

Zëri

YouTube Preview Image