Vazhdojnë sukseset për klubin e karatesë “Ulqini”

February 25, 2014   | Sporti / Sport

Klubit-Karatesë-Ulqini-Trofeu-PodgoricësKlubit të Karatesë “Ulqini” në turneun “Trofeu i Podgoricës” u shpall i treti në renditjen e përgjithshme

Klubi i karatesë “Ulqini” të shtunën, më 22.02.2014, në Podgoricë, mori pjesë në Turneun “Trofeu i Podgoricës”, të cilin e organizoi klubi i karatesë “Buduqnost” nga Podgorica.

– Në turneun “Trofeu i Podgoricës”, të mbajtur më 22.02.2014, klubi i karatesë “Ulqini” arriti të renditet në vend të tretë në renditjen e përgjithshme në mesin e 25 klubeve dhe tri përfaqësueseve pjesëmarrëse. Në këtë turne morën pjesë rreth 500 garues nga Shqipëria, Bosna, Maqedonia dhe klubet nga Mali i Zi. Garuesit e KK “Ulqini” fituan plot 43 medalje: 16 medalje të arta, 11 të argjendta dhe 16 të bronzta në disiplinat individuale dhe ato ekipore. Përsëri ishte një sukses i pritur i klubit të karatesë “Ulqini” si në çdo garë tjetër deri tash. Ishte ky edhe një prezantim i denjë, jo vetëm i klubit, por i qytetit tonë.
Këto rezultate janë vazhdimësi i rezultateve e sukseseve të panumërta të viteve të kaluara dhe me to ne tregojmë që edhe sot jemi në hap me më të mirët. Suksesi dhe fuqia e një klubi tregohet me rezultate e jo me fjalë nëpër kafene e rrugë. Me plot gojë deklarojmë që edhe viti i kaluar ishte vit i trofeve dhe sukseseve të arta, por për fat të keq ato rezultate nuk u vlerësuan. Edhe pse ishim dukshëm më të mirë se të tjerët, në fakt të tjerët nuk u panë nga rezultatet tona, prapëseprapë ata u shpërblyen në fund të vitit për “rezultatet” e aritura. E themi këtë sepse jemi të gatshëm me fakte dhe të dhëna zyrtare të dëshmojmë rezultatet tona të panumërta dhe fuqinë garuese që e kemi, – shprehen trajnerët e klubit, në njërën anë të kënaqur me rezultatin e arritur, kurse në anën tjetër të revoltuar me vlerësimin e rezultateve të tyre, të cilat nuk po vlerësohen si duhet nga njerëzit kompetentë që bëjnë vlerësimin e klubeve në fund të vitit.
-Ne si trajnerë nuk jemi kundër asnjë klubi, por kundër vlerësimit të pakriter të klubeve. Nëse një klub shpallet në fund të vitit klubi më i mirë, në bazë të cilave rezultate bëhet kjo, kur rezultatet e tyre në krahasim me të tonat janë shumë të ulta?! Sikur ai klub të ishte aq i mirë në vitin 2013, atëherë edhe startin në 2014 do të duhej ta kishte dukshëm më të mirë se të tjerët, ose më të mirë se ne, por rezultatet tregojnë krejt diçka tjetër. Klubi jonë, si çdo herë e në çdo garë, edhe në “Trofeun e Podgoricës”, ku ishim konkurrentë ndaj njëri tjetrit, arriti rezultatete të pakrahasueshme me të tyret. Në vitin 2014 ne filluam me turne me përfaqësuesen e Malit të Zi në Zagreb të Kroacisë. Po ashtu patëm edhe 2 anëtare të kualifikuara për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, por për fat të keq për shak të mospërkrahjes financiare nuk kemi pasur mundësi të marrim pjesë. Interesant, nga klubi “më i mirë” në Ulqin nuk kishte asnjë të kualifikuar për këtë Kampionat, kështu që mbetet enigmë kush është më i miri. Nuk duam që me këtë të nënvlerësojmë dikend apo të lavdërohemi me rezultatet tona, sepse ato nuk na kanë munguar asnjëherë, por duam të bëjmë me dije opinionin e gjërë se çfarë padrejtësie dhe nënçmimi i bëhet sukseseve tona. Nejse, të tjerët le të mburren me jo suksese, e ne me suksese! Dhe në fund përgëzojmë edhe ato pak rezultate të atij klubi në “Trofeun e Podgoricës” dhe i sugjerojmë që të vazhdojnë me punë, që një ditë të arrijnë rezulatet e dëshiruara, e jo me fjalë boshe e mllefe ndaj të tjerëve.

Nga Klubi i karatesë “Ulqini” në turneun “Trofeu i Podgoricës” me medalje u shpërblyen këta garues: nga dy medalje të arta Venesa Nuhi, Ronald Jacoviq dhe Ensar Marshiq; nga një medalje të artë Emin Kulla, Resul Ceka, Albert Rudoviq, Gabriell Bytyqi, Diellëza Rama, Eliza Salihu, Pjeter Hota, Marko Daboviq dhe Ibrahim Zogaj.
Përveç këtyre medaljeve këta garues u kurorëzuan edhe me medalje të tjera.

Me nga disa medalje të tjera u shpërblyen edhe këta garues: Aldin Buliq, Elvir Islami, Adnan Kuqi, Arben Elezoviq, Katarina Marnikoviq, Izabella Ivanoviq, Edin Kraja, Lavdim Tula, Antigona Rama, Hantije Ibroçi, Seida Suma, dhe Allmir Hajdari.

SHËRBIMI INFORMATIV I KK “ULQINI”