Gucia po ndahet!

March 2, 2014   | Bota

Gucia po ndahet!Gucia, qyteza që të befason jo vetëm me bukuritë që e rrethojnë  por edhe me shumëçka tjetër të kujton ato qytetet e vogla zvicerane. Me aq rregull e pastërti, me infrastrukturë, me arkitekturë të ruajtur e rrugë të rregullta që, besoni apo jo, janë po ato ishin tash e katër shekuj, me Gërnçarin, lumin që gurgullon përmes qytetit, dikur qendër e madhe, ndër më të mëdhatë e më të zhvilluarat në këto anë, po ndahet. Po shkëputet nga Plava dhe po bëhet komunë në vete.

Në fakt po i rikthehet komuna që ia morën “tinëzisht” decenie më parë. Me vullnetin e shumicës së banorëve boshnjakë e myslimanëve që bëjnë shumicën dhe përkundër subjekteve politike shqiptare të Plavës e Gucisë që janë shprehur kundër me arsyetimin se shqiptarët, edhe ashtu të paktë në komunën e përbashkët me Plavën, nuk duan të copëzohen sërish dhe të defaktorizohen plotësisht.

Kundër shkëputjes ishte edhe komuna e përbashkët, Plava menjëherë pas nismës, më  2003 dhe arsyeshmërisë po atë vit.

Fadil Ulaj, kryetar i degës së UDSH së në Plavë- Guci thotë se që në fillim kanë qenë kundër dhe subjektet shqiptare kishin të njëjtin qëndrim.

“Tash në komunën përbashkët të Plavës, nga 32 këshilltarë vetëm tre janë nga partitë shqiptare. Nëse Gucia bëhet komunë shqiptarët mund të arrijnë deri në 40 për qind por prapë jo faktor vendosës.

Edhe pse skemi qene te pajtimit për percarjen e Plave/Gucisë, edhe pse u bë pa dëshirën tonë,tani mbetet qe te marrim hapa konkret në të mirën  e popullit shqiptar të asaj komune. Këtë platformë së shpejti do ta kemi dhe do ta zbatojmë në praktikë,  thotë Vera Hakaj nga partia “Forca”.

Platforma shqiptare që nuk u bë

Ndërkohë gjërat kanë ecur. Me gjithë arsyeshmërinë historike. ekonomike që ku përfshihen resurset bujqësore e turistike, tetë mijë hektarë tokë të punueshme, rreth shtatë mijë hektarë pyje dhe male, potenciale të jashtëzakonshme ujore, që nga burimet e Ali Pashë Gucisë, Bijoshes etj.. Mali i Zi , me gjithë mendimin pozitiv, për dhjetë vjet e ka prolonguar vendimin , thotë dr. Rusmin Laliçiqi, kryetari i Këshillit të BL të Gucisë, stomatologu i njohur i kësaj ane që po bën çmos që Gucisë t’i kthehet komuna.

Më në fund, me tetë janar të vitit të shkuar u mbajt referendumi në të cilin dolën  65 për qind nga të cilët 98 për qind ishin për komunë. Pas kësaj me 25 dhjetor të vitit që shkoi Qeveria është obliguar që deri më 25 janar2014 vendimin për Komunën e Gucisë ta procedojë për miratim në Kuvend, thotë dr. Rusmini.

Sa i përket qëndrimit të shqiptarëve, ai thotë se  është takuar sa herë dhe ka fol me partitë shqiptare. “Na kanë thënë se do të vijnë me një platformë të cilën ne duhet ta pranojmë por qe, ende nuk ka diçka. Vera Hakaj dhe Tahir Gjonbalaj thanë se komuna e Gucisë është në dëm të shqiptarëve. Kreu i UDSH që në fillim ka qenë kundër.  Shqiptarët janë për komunë por kreu politik, partitë, nuk janë”, thotë ai për ta arsyetuar këtë me statistikat e atyre që në fshatrat shqiptare ishin pro në referendum.

“Për shembull, në Martinaj, në zgjedhje dalin rreth 150 e në referendum kanë dalë 96 dhe kanë votuar pro. Në Vuthaj  kemi pas një sabotim pak më të madh nga këta krerët  dhe nga 180 kanë dalë 46 dhe të gjithë ishin pro. Në Krushevë të gjithë shqiptarët ishin pro, përveç një shtëpie, në Vishenjvë të gjithë ishin pro, përveç dy shtëpive që nuk kanë dalë” thotë kryetari i ardhshëm i Gucisë.

Është punë e kryer, s’ka më pengesa. Pritet vetëm vendimi formal i Kuvendit të Malit të Zi.

Mali i Zi nuk kishte vullnet që Gucisë t’ia japë statusin e komunës. Për arsye të ndryshme, ashtu siç nuk po ia jep as Tuzit. E në anën tjetër komuna i bën Andrijevicën, Petnicën etj. sepsa ata kanë mbështetjen, kanë kush ti përkrahë.

“Ne nuk kemi pas asnjë funksionar politik. Nga Gucia deri në Podgoricë në Qeveri apo kudo tjetër i vetmi funksionar është kryetari i Kuvendit dr. Sait Çekiq” thotë ai me bindjen se tash kjo varet nga kalkulimi i tyre politik.

“Nëse kanë apo nuk kanë nevojë që Gucia në zgjedhjet lokale që mbahen tash në maj të dalë si komunë e pavarur. Ose mund të kenë nevojë që edhe një herë të votojmë bashkë me Plavën e pastaj Gucisë t’i kthehet statusi i komunës , nga kjo varet“ thotë ai me shpresë që Gucia në maj të mbaj zgjedhjet e para.

Gucisë iu dogj historia!

Si një studiues i mirëfilltë,  ai të flet me saktësi të habitshme, me  data e hollësi tjera për ndodhitë e bujshme, shpeshherë tragjike,  në këto anë që nga koha e Krizës Lindore dhe tërheqja e asqerit të Perandorisë Osmane e cila në Guci kishte një nga qendrat dhe kazermat më të mëdha në rajoni.

Që në vitin 1612  Gucia është me këtë plan arkitektonik, në formë të shkronjës U, me rrugët  që shkojnë radialisht nga lindja në perëndim përmes çarshisë dhe të gjitha rrugët i lidh Mëhalla e Tërshanës, pastaj rruga e Vrujës . Janë po ato 15 udhë, dikur me kalldrëm.  Vetëm se tash  janë asfaltuar dhe janë pak më të ngushta”, thotë si  me të qeshur.

Në një historiat të shkurtër ai  thotë se Gucia ka qenë komunë deri në vitin 1953 kur ndodhi zjarri i parë i madh që në mënyrë misterioze dogji ndërtesën  e komunës. Pas zjarrit komuna bashkë me arkivin u bart në një objekt këtu afër, në shtëpinë e Omerajat por me 1954 edhe ajo ndërtesë u dogj e bashkë me të tërë arkiva e komunës. Kishte një sabotim i hapur.

Gucia kishte brigadën e zjarrfikësve të cilën nga lumi Gërnçar i shtrinë zorrët e ujit por dikush i preu me sakicë në disa vende ashtu që  u la të digjet tërësisht shtëpia bashkë me gjithë dokumentacionin.

Është ndoshta koincidencë por mu në atë kohë në Guci ishte në vizitë vetë revizori shtetëror. Ai kishte ndej deri vonë në objekt dhe  paska “harruar” shporetin  ndez dhe qe, Gucia mbeti pa arkivin e pasur që kishte.

“Është dashur të digjet në flakë e gjithë historia e Gucisë. Numri i banorëve etje kjo edhe sot po kushton shumë” thotë ai.

Shteti mori vendim që përkohësisht të suprimohet komuna e Gucisë dhe t’i bashkohet Plavës deri sa të ndërtohet objekti. Por prej atëherë,  kurrë nuk na e kthyen , thotë ai.

Në fund të shekullit të kaluar kur Gucia kishte 20 mijë banorë Plava kishte vetëm 1500.

Me kthimin e komunës vetëm  korrigjohet një padrejtësi e madhe që i është bërë Gucisë që synon ta rikthejë sado pak historinë, me arkiva, që nga Stambolli, Shkodra…

Përvjetori i masakrave

Në 100 vjetorin e masakrave  malaziase në vitet 1912 e 1913 në Guci, nj temë e mbajtur tabu , u organizua tribunë shkencore.  Që historianët, nga të gjitha vendet, nga Podgorica, Shkodra , Novi Pazari, Zagrebi, Beogradi, Prishtina, Stambolli. të thotë çka ka ndodhur sepse populli e di çka ka ndodhur .

Përmendorja e Ali Pashë Gucisë

Në qytetin me emrin e të cilit ai identifikohet, nuk ka përmendore të Ali Pashë Gucisë. ASrsyeja, se duhet të dëshmojmë  se Ali Pasha ka qenë luftëtar në mbrojtje të kësaj popullate.

Për ne po, por për të tjerët, nuk është e dëshmuar, Në Mal të Zi është opsioni tjetër. Ne e konsiderojmë mbrojtës e serbët e malazezët e konsiderojnë pushtues.

Megjithatë, i kemi dhënë një përmendore tjetër. Burime t e njohura mbajnë emrin e Ali Pash Gucisë, thotë Rusmini

Gucia me 150 mijë banorë!

Jemi shpërngulur shumë, gjithandej botës. Po të kishim një rrjedhë normale zhvillimore, sot Gucia do të kishte 100 deri 150 mijë banorë. E fatkeqësisht, ka nja katër mijë e pesëqind ose pesë mijë banorë. Verës ky numër rritet për nja dhjetë mijë. /Zëri/