Çeliku fitues i orës letrare “Pavarësia” me poezinë “Ulqini me dy varre”

March 3, 2014   | Kulturë / Kultura, Shtypi / Mediji

celiku_fitues_i_ores_letrare_pavarsiaPoeti i njohur nga Kërçova, Kalosh Çeliku është fitues i çmimit për poezi “Ali Podrimja”, me poezinë “Ulqini me dy varre”, në kuadër të edicionit të gjashtë të orës letrare të titulluar “Pavarësia”, që është organizuar të shtunën pasdite në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar për ta nderuar gjashtë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në çmimin e dytë, ka triumfuar poeti nga Saranda e Shqipërisë, Namik Selmani me poezinë “Gjaku i shprishur”, kurse çmimi i tretë i ka takuar gazetarit Blerim Haxhija me poezinë “Republika pa fusnotë”.

“Në vitin 2002 një grup i madh i poetëve nga Kosova kanë ushtuar drejt Greqisë, për ta parë nga afër tokën e Çamërisë. Në këtë vend ata filluan që të shkruajnë dhe në ndërkohë, poeti Ali Podrimja, ndjesë pastë, shkroi një poezi që u shqua nga të tjerët me titullin “Te guri i Prevezës”.

Nga kjo poezi, Podrimja më vonë shkroi edhe një vëllim me poezi të titulluar “Elegji për Çamërinë”. Mua pas dymbëdhjetë ditësh më duhet ta ndaj një borxh për Ali Podrimën”, deklaroi para të pranishmëve poeti Selmani, ku në këtë ceremoni të ndarjes së shpërblimeve USHKSH-së ia dhuroi një skriptë me 200 poezi.

“Ky është edhe një borxh i Ali Podrimja. Zoti na bëftë farë që ta botojmë dhe të gjithë të bëhemi pjesë e dhimbjes dhe krenarisë që kemi pasur një poet të tillë”, u shpreh ai

Juria e ndarjes së këtyre çmimeve e cila ishte e përbërë nga :Myrvete Dreshaj, Adem Zejnullahu dhe Prend Buzhala, kishin vendosur t’i ndajnë këto shpërblime në bazë të dy kritereve, të vlerave letrare artistike dhe në bazë të gjeografisë poetike, sepse siç u shpreh anëtarja e kësaj jurie Dreshaj, poezitë janë përzgjedhur në bazë të këtij kriteri për arsye se platforma e Unionit të Shkrimtarëve Shqiptarë, po shtrihet gjithandej ku ka shqiptarë nëpër botë.

Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar, ka ndarë edhe çmimin kushtuar brezave të rinj të poetëve “Shpresa e re”, ku në të ka fituar Aleksandra Adami me poezinë “Kosova perla e bukur”, një poete e re e cila jeton në Greqi. Ndërkohë me mirënjohje nga USHKSH-ja janë shpërblyer këngëtarja: Mihrije Braha dhe për punë shkencore u nderuar edhe prof. dr. Eqrem Zenelaj.

Behare Rexhepi, sekretarja e përgjithshme e Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar, ka theksuar para poetëve se këtë vit asociacioni me të cilën udhëheq ajo ka për synim të grumbullojë disa tregime më të mira që ata i kanë dhe do t’i shkruajnë e ku më pas ato do të botohen në një libër unike të përkthyera në gjuhën frëngjishte.

Ajo u bëri thirrje këtyre poetëve që ta konsiderojnë këtë ditë të orës letrare “Pavarësia”, si një festë kombëtare, por jo t’i mundojë ata enigma se cili do të shpallet fituesi kryesor në këtë eveniment kulturor që në këtë vit kishin konkurruar gjithsejtë 93 autorë nga vise të ndryshme shqiptare.

“Ky Union, nuk njeh kufij dhe as moshë, sepse rreth tij gravitojnë krijuesit e te gjitha trevave shqiptare. Objektivi ynë gjithmonë ka qenë që përpos organizimit të ngjarjeve kulturore në Kosovë, të organizojmë edhe takime internacionale duke bashkëpunuar me qendra të njohura si: Parisi, Athina, Roma, Berlini etj.

Këtë vit me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Unioni i Shkrimtarëve do të organizojë simpoziumin e dytë internacional në Prishtinë me temën “Figura e femrës në romane”, ku në të janë të ftuar shkrimtarët dhe kritikët e njohur nga shtetet e mëdha evropiane”, tha Rexhepi, ku më tutje shtoi se USHKSH-ja është një asociacion kulturor që prej vitesh po jep kontribut në zhvillimin e letërsisë shqiptare.

YllPress