Në Prishtinë fotografitë e Marubëve mahnitin vizitorët – Video
Disa vizitorë të cilët i hasëm gjatë pasdites së të enjtes në Galerinë Kombëtare të Kosovës, treguan për “KultPlus” se një ekspozitë e tillë që është e kuruar nga Lucian Bedeni dhe Zef Paci, nuk duhet të ndalet vetëm në Prishtinë, por ajo duhet të jetë prezente edhe në qytetet e tjera të Kosovës
Kreshnik Bekteshi
Fotografitë: Ridvan Slivova
Janë bërë afërsisht një javë që është hapur ekspozita e fototekës Kombëtare “Marubi” nga Shkodra në hapësirat ekspozuese të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Muret e dy kateve të kësaj galerie janë të mbushura me rreth 200 fotografi “bardh e zi” që ishin shkrepur shekullin e kaluar nga aparati i vendosur në studion e quajtur “Marubi” dhe më pas edhe e titulluar “Dritshkronja Marubi”, por që janë shkrepur edhe nga fotografë të tjerë në lëvizje.
Disa vizitorë të cilët i hasëm gjatë pasdites së të enjtes në Galerinë Kombëtare të Kosovës, treguan për “KultPlus” se një ekspozitë e tillë që është e kuruar nga Lucian Bedeni dhe Zef Paci, nuk duhet të ndalet vetëm në Prishtinë, por ajo duhet të jetë prezente edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Ata theksuan më pas se fotografitë e familjes Marubi dhe të bashkëpunëtorëve të tyre shkodranë, po i lë të mahnitur nëpërmjet kompozicioneve të tyre të paraqitura në ekspozitën “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” që do të jetë i hapur deri në mesin e muajit mars të këtij viti në kryeqytet. Nga fotografitë e ekspozuara të Pietro, Kel, Gegë Marubi, Kol Idromeno, Pjetër Rraboshta, Dedë Jakova, Shan Pici si dhe Angjelin Nënshati shihen në përgjithësi fotografi nga peizazhi i qytetit të Shkodrës dhe të njerëzve të rrethinës së këtij qyteti i cili njihet si prodhues i humanistëve dhe mendimtarëve të shquar shqiptarë.
Një fotografi e “Hysnie Kokës”, e realizuar gjatë vitit 1933 nga Kel Marubi si dhe fotografia tjetër e “Teofik Pukës” realizuar një vit më pas nga djali i Kelit, Gegë Marubit, i kishin lënë shumë përshtypje kuratorit Zeni Ballazhi, i cili ishte edhe vizitorë i ekspozitës “Marubi”. Ai na rrëfeu pikëpamjet e tij për këto dy fotografi.

“Mua këto fotografi më ngacmojnë edhe në aspektin e profesionit. Sipas mendimit tim, veshjet kombëtare në trupat e njerëzve të cilat janë të paraqitura në këto fotografi janë karakteristikat më të veçanta të Kel Marubit. Përmes këtyre veshjeve, unë e shoh që kemi një traditë jashtëzakonisht të pasur. Po më bënë shumë përshtypje edhe ulësja ku është e vendosur Hysnie Koka, ku një të tillë nuk mund ta gjesh as në ditët e sotshme.
KultPlus
Dy sallat e Galerisë Kombëtare të Kosovës në tri javët e fundit kanë qenë nikoqire të mbi 1 mijë vizitorëve.
Interesimi për të parë fotografitë e trashëguara nga Marubët ka qenë i madh. Nga 14 shkurti kur është bërë hapja solemne e ekspozitës “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, fotografitë që dokumentojnë një pjesë të trashëgimisë shqiptare, i kanë parë fiks 975 veta.
Duke shtuar edhe 200 vizitorët që ishin prezentë në mbrëmjen e hapjes së ekspozitës, i bie që “Marubin…” e kanë parë mbi 1 mijë vizitorë. Ani pse ka edhe dhjetë ditë kohë deri në mbylljen e ekspozitës së kuruar nga Lucjan Bedebi dhe Zef Paci, drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Erzen Shkolli, thotë se “Marubi…” e ka siguruar vendin në listën e ekspozitave më të vizituara në vitet e fundit.
“Ekpozita ‘Marubi’ është prej ekspozitave më të vizituara në GKK, por janë edhe disa ditë deri në mbyllje, kështu që presim ende vizitorë”, ka thënë Shkololli.
Me më shumë se 250 fotografi nga arkivi, ekspozita prezanton autorë të ndryshëm, jo vetëm të familjes Marubi, por edhe studentë të fototekës me të njëjtin emër.
Zhurnal





