Gjimnazi privat “ Drita” festoi tetëvjetorin e themelimit – Video

March 13, 2014   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

tetEvjetori-Gjimnazi-Drita-Ulqin-Mesazhe pune e arsimi kombëtar

Gjekë Gjonaj

Këtë ditë feste e gëzimi, e cila  u mbajt  mbrëmjen e 6 marsit në objektin e ri shkollor, e madhëruan pjesëmarrës të shumtë, në radhë të parë prindërit, të cilët rritën gëzimin e fëmijëve të tyre.  Të pranishëm në këtë manifestim  të organizuar bukur, përveç nxënësve, mësimdhënësve, udhëheqësisë  dhe ish  nxënësve të shkollës,   ishin edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, deputeti në Kuvendin e Malit të Zi, Luigj Shkrela, Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi  dhe deputeti Genci Nimanbegu,  kryetari i Kuvendit  Komunal të Ulqinit Fuad Haxhibeti dhe nënkryetari i Komunës së Tivarit Osman Subashiq.

Ky jubile i rëndësishëm  për arsimin tone kombëtar përkon me një datë të shënuar për arsimin shqip 7 Marsin, Ditën  e Mësuesit apo siç quhet ndryshe ditëlindja e  shkollës së parë shqipe. Andaj me këtë rast nga kjo kremte u përcollën me shumë respekt  urimet për të gjithë mësimdhënësit tanë të cilët me punën,pasionion dhe dashurinë   për profesionin, për dijet ,për nxënësit i kanë dhënë një vizion të ri traditës së shkëlqyer të arsimit kombëtar.
tetEvjetori-Gjimnazi-Drita-Ulqin.1-Bisha

Bisha:  Gjimanzi “ Drita” do të vazhdojë misionin e shenjtë

Themeluesi i Gjimnazit privat  “ Drita” Hysein Bisha fillimisht përshëndeti të pranishmit dhe shprehu optimizmin e tij se ky institucion do të vazhdojë misionin e tij të shenjtë.

“Edukimi dhe arsimi janë shtyllat  kryesore të formimit të një kombi. Pa këto nuk mund të ketë  sukses as Ulqini as Mali i Zi. Stafi drejtues dhe pedagogjik i këtij gjimnazi privat  janë angazhuar  shumë që ky institucion të  mbijetojë edhe përkundër vështirësive të theksuara financiare. Falë këtij përkushtimi dhe pasioni për arsimin tonë kombëtar Gjimnazi “ Drita” vazhdon të punojë dhe uroj e shpresoj që të ketë jetëgjatësi. Gjatë tetë viteve të shkuara  në këtë shkollë janë diplomuar 96 nxënës  të cilët tani  ndjekin  shkollimin superior nëpër universitete të ndryshme në Mal të Zi, Kosovë , Shqipëri e vende të tjera, të cilët shpresojmë se së shpejti  do të kthehen  të kontribuojnë në këtë qytet” tha Bisha, duke  ftuar  Komunën e Ulqinit dhe Qeverinë e Malit të Zi të mbështesin këtë gjimnaz  në mënyrë  që  të vazhdojë misionin e tij të shenjtë.
fatmir-gjeka

Gjeka:  Përherë do të keni përkrahjen time

Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka,duke iu uruar nxënësve dhe mësimdhënësve   të këtij institucioni të parë privat arsimor-edukativ në gjuhën shqipe në Mal të Zi  jubileun  e tetë  premtoi mbështetjen e tij, respektivisht të institucionit që ai drejton.

“Gjimnazi “Drita” mund të  shërbejë si shembull i afrimit të arsimit tonë me arsimin evropian ku synojmë të integrohemi. Ne jemi të vetëdijshëm  për rrugën e vështirë që e përcjell arsimin shqip  në Malin e Zi dhe reformat që e presin . Por ne kemi provuar dhe kemi ditur t’ia dalim dhe po ia  dalim me sukses. Ju jeni  siguria e procesit të pandashëm të modernizimit të arsimit  dhe të rritjes cilësore të tij . Andaj  ju uroj suksese dhe  ju garantoj se tek komuna e Ulqinit  dhe tek unë si kryetar   përherë i keni dyert e hapura dhe  do të keni përkrahjen tone”, u shpreh Gjeka

tetEvjetori-Gjimnazi-Drita-Ulqin.1-genci-nimanbegu

Nimanbegu: Hap vizionar me shumë përgjegjësi

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe deputeti  Genci Nimanbegu në fjalën e tij përshëndetëse  hapjen e kësaj shkolle e vlerësoi si një hap të guximshëm dhe vizionar.

-Gjimnazi privat “Drita” eshtë nisma   më serioze afariste, më kuptimplote dhe me përgjegjësi më të madhe që është bërë  vitet e fundit në Komunën e Ulqinit. Hapja e një shkolle private në gjuhën shqipe është një hap për të cilin është dashtur vizion, guxim, por edhe durim. Këshilli Nacional i Shqiptarëve çdo herë  do të jetë përkrahës i nismave të ndryshme  të kësaj shkolle. Dëshiroj që jo vetëm Komuna e Ulqinit  por edhe qeveria të japë mjete sa më të mëdha për ndihmën e funksionimit të kësaj shkolle private e cila sigurisht me punën e saj do të nxjerrë nxënës të mirë të cilët  me punë do ta dëshmojnë veten, theksoi, Nimanbegu.

Nxënësit  më të mirë

Nxënësja më e mirë për këtë vit shkollor u shpall  Aida Rexhepi.

Kujdestarët e klasëve për sukses të shkëlqyeshëm dhe sjellje shëmbullore  i shpëblen me  lëvdata këta nxënës:  Besart Hoxhiq, Rajmond Gjonaj, Dorjeta Nasufaga, Muhamed Bisha, Leart Kallaba, Enis Lika, Besmir Asllani, Aida Rexhepi, Arbër Markashi, Dafina Taganoviq, Gentiana Çoboviq,  Zade Rexha, Sabina Suloviq dhe Amina Bisha.

tetEvjetori-Gjimnazi-Drita-Ulqin.2

Programi festiv

Për nder të kësaj kremteje u  shfaq një video reportazh e përgaditur nga profesori i gjuhës shqipe Haxhi Shbani në bashkëpunim me nxënësit e kësaj shkolle,   u përurua  objekti i ri  i  shkollës, i pajisur me kabinetet dhe mjetet mësimore të nevojshme për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor sipas kërkesave të kohës dhe u promovua numri dy i revistës shkollore “ Drita”.Pjesë e këtij programi festiv ishin edhe  punimet e nxënësve  nga lënda e artit figurativ të cilat kënaqën  frekuentuseit e kësaj ekspozitë,derisa  për  mysafirët e ftuar u shtrua një koktej rasti.

tetEvjetori-Gjimnazi-Drita-Ulqin

Revista shkollore “Drita”

Në faqet e kësaj reviste të veçantë me 34 faqe kolor  nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj  shkolle kanë  botuar shumë shkrime e artikuj interesantë. Revista besoj se   do të luaj rolin e saj të rëndësishëm në afirmimin e vlerave të punës arsimore dhe edukative të këtij institucioni të suksesshëm. Urojmë që  botimi i revistës shkollore “ Drita” të jetë  një nismë e mbarë dhe nxitje për  afirmimin e talentëve të rinj, dashamirë të fjalës së shkruar.

 
YouTube Preview Image