Dr. Sabina Osmanoviq : Ta rikthesh lirinë me pendë

March 19, 2014   | Reportazh / Reportaža

Sabina OsmanoviqRecension për romanin e ri të shkrimtarit Besnik Mustafaj “Autoportret me teleskop”

Dr. Sabina Osmanoviq

Të shkruarit është një proces i mundimshëm, i cili kërkon sforcim të çdo qelize të trurit, kërkon kohë e mbi të gjitha sakrificë. Duke qenë se të shkruarit është një proces në vazhdimësi, t‘i rikthehesh atij pas një kohe të gjatë duhet të jetë akoma më sfilitëse. Të tilla ndjesi duhet të këtë patur edhe ish-ministri Besnik Mustafaj, i cili i rikthehet letërsisë pas gati 15 vjetësh. Libri i tij post-politik, i titulluar “Autoportret me teleskop”, intrigon lexuesin duke i ngjallur kureshtjen se në faqet e tij do të gjejë rrëfime personale nga ditët e autorit si ministër. Ndërkaq, që në faqen e parë hasim në pengesën e parë – një paralajmërim të autorit se ky libër nuk është autobiografik edhe pse në mënyrë rastësore apo edhe jo, protagonisti kryesor quhet Besnik Mustafaj.

Uni tregues nis udhëtimin letrar në hollin e një hoteli në Monako, për të na rikthyer deri në ditët e fëmijërisë në vendlindjen e tij. Është pikërisht konflikti që ndodh në pjesën e parë të librit, mes eprorit të protagonistit dhe shkrimtarit finlandez, ku eprori për herë të parë kërkon nga ministri në detyrë të ndërhyjë në cilësinë e shkrimtarit, shkëndija që ndez zjarrin e fanitur diku thellë në nënvetëdijen e ministrit. E sikur të mos mjaftonte kjo, në skenë shfaqet edhe Anna B., këshilltarja e kryeministrit slloven, që me pyetjet e saj, se çfarë ka bërë, më saktësisht çfarë ka shkruar Besnik Mustafaj gjatë gjithë këtyre viteve në politikë, shkakton te ministri një lloj trazimi që do të përcaktojë fatin e tij në të ardhmen.

Anna B. shërben edhe si urë lidhëse me letërsinë duke qenë se ajo është një ndër personazhet e librit “Boshi”, shkruar para se autori të hynte në botën e politikës. Nga ana tjetër Anna B., në rrafshin frojdian përfaqëson Idin apo prirjen instinktive – dëshirën sublime të ministrit për të shkruar letërsi, kurse figura e eprorit mund të lexohet si Mbi Uni i rreptë – detyrimet shtetërore, normat shoqërore.

Në këtë libër do të gjeni karaktere jo të zakonshme, si Selami Beshiri, Myzafer Zhivini etj., e që njëherit janë projeksion i vlerave dhe veseve të shoqërisë shqiptare. Temat që e shqetësojnë protagonistin Besnik Mustafaj janë: kallëzimi (tradhëtia), “frika dhe faji i pavullnetshëm”, të cilat kthehen në një formë paranoje që e përndjekë protagonistin, ku imagjinata e tij shkon deri tek teoritë konspirative nga më të çuditshmet.

I mbyllur në guaskën e rehatshme të politikës, ministri kupton se sa e kufizuar është liria e tij vetjake gjë që pasqyrohet më së miri në një monolog të këtij personaliteti të dyzuar, ku shkrimtari nxjerr gjithë mllefin, madje e akuzon ministrin që ia ka bërë lirinë të padobishme. Heqja dorë nga të shkruarit është privim i lirisë personale, për më tepër personazhi Besnik Mustafaj ka dëshirë të shkruaj tregime erotike, gjë që do të ishte e paimagjinueshme për një ministër, madje nga fundi i librit kemi edhe një përpjekje për të shkruar atë lloj proze.

Sa i besueshëm do të ishte një ministër-shkrimtar? Kujt do t’i drejtohej ai po të shkruante, lexuesit apo votuesit? Në të dyja rastet, do të lindnin keqkuptime sepse si shkrimtar do të ishte e vështirë të bëje në mënyrë të besueshme ministrin dhe anasjelltas.

Edhe pse futet në rangun e librave politikë, ky në thelb është një libër për rrënjët e lirisë. Më saktësisht, është një libër që reflekton marrëdhënien difuze me lirinë, sidomos kur bëhet fjalë për një popull i cili për pesëdhjetë vite ka përjetuar një diktaturë të egër. Sa e vështirë është për një shoqëri të rritur nën trysninë diktatoriale të perceptojë në mënyrën e duhur konceptin liri duke pasur parasysh se në shumicën e rasteve, qoftë nocioni liri apo dhe demokraci janë keqkuptuar dhe së fundmi, si duhet të ndërtojmë një marrëdhënie të shëndetshme me këtë koncept filozofik, shprehur nga autori si më poshtë: “Liria e ndërkallur në jetën e individit si përmbysje e dëshirave dhe përfytyrimeve të rinisë për t`i zëvendësuar me të reja, përmban brenda vetes një dhunë me rrezik shpërfytyrimin e individit, pavarësisht se këto dëshirat dhe përfytyrimet e reja mund të shkëlqejnë nga luksi, nga paratë, nga pushteti. Gjithë ai shkëlqim nuk e fsheh dot për një sy të vëmendshëm ndrydhjen e këtij individi për shkak të kompromisit që ai ka bërë duke i kufizuar e mpakur lirinë vetes brenda lirisë së madhe të shoqërisë. Qëndrimi ndaj dëshirave dhe përfytyrimeve tona rinore për të ardhmen çon në thelbin e pyetjes nëse ne, që u rritëm nën diktaturë, duhet të kemi një jetë apo dy gjysma jetësh, dy gjysma gjithsesi të papajtueshme njëra me tjetrën sepse themelisht të ndryshme?”

Romani i ri i shkrimtarit Besnik Mustafaj është një libër dilemash, një libër përsiatjesh mbi lirinë dhe njohjen e vetvetes, ku një vend të rëndësishëm zë edhe pyetja “A ekziston një realitet objektiv?” apo në mos jemi thjesht, pre e iluzionit optik. Në roman lakohen dy terma, e vërteta intime dhe e vërteta e tregimit, të cilat luajnë një rol kyç në zbërthimin e kësaj vepre. Diku mes rreshtash, mbase ky libër edhe mund të lexohet si një autoportret letrar, një e vërtetë letrare e cila krijon distancën e duhur për t‘u lexuar si e vërtetë e tregimit, pa çka se lexuesi rreket të gjejë linja të ngjashme me jetën e autorit apo edhe të personazheve të tjerë. Në njëfarë mënyre, ky libër shërben si një lloj katarsisi, është në fakt parapërgatitje për t‘iu rikthyer botës së lirë të letërsisë. Duket se shprehja në libër „Humbjen e pushtetit politikani e përjeton shumë më dhimbshëm se humbjen e nderit“ nuk vlen për protagonistin Besnik Mustafaj. Madje ndodh e kundërta – autori kërkon të heqë mburojën hijerëndë të ministrit për t‘iu  kthyer sërish pendës së shkrimtarit, e cila do t‘i falë atij lirinë.