Rusia, e pakënaqur nga Mali i Zi: “harroi” miqësinë 300-vjeçare

April 15, 2014   | Politika

DJUKANOVIC-BIDENMoskës i ka djegur bashkëngjitja e Podgoricës zyrtare në sanksionet e BE-së kundër zyrtarëve rusë.

Edhe pse kemi të bëjmë me një shtet të vogël ballkanik, gjithsesi, më 14 prill 2014, në një koment të Departamentit të informimit dhe shtypit të MPJ-së së Rusisë thuhet se “Moska i ka kushtuar vëmendje vizitës së fundit [më 9 prill 2014, në foto takimi në Shtëpinë e Bardhë me zëvendëspresidentin amerikan Xhozef Bajden (Joseph Biden) të Kryeministrit të Malit të Zi Milo Gjukanoviç në SHBA”.

Dikasteri i Sergej Lavrovit është i shqetësuar se “në kryeqytetin amerikan nga goja e liderit malazez u dëgjuan sërish thirrje për pranim sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO”.

Edhe pse biznesi rus ka investuar fuqishëm në fqinjin veriperëndimor të Shqipërisë, diplomacia e Kremlinit vëren se “në fjalimet e Milo Gjukanoviçit ka thënie jomiqësore në adresë të Rusisë, të cilat, në kontekstin e bashkëngjitjes së Malit të Zi në sanksionet antiruse të BE-së, shkaktojnë zhgënjim të madh”.

“Roma e Tretë” përdor një arsenal nostalgjie pansllavizmi teksa përmend se “deklarata dhe veprime të tilla janë në kundërshtim me traditat e thella të miqësisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis popujve të vendeve tona, që mbështeten në përvojën treqindvjeçare të marrëdhënieve ruse-malazeze”.

Ndërkaq duhet përmendur se vizita e Kryeministrit të Malit të Zi në Shtëpinë e Bardhë u shoqërua me demonstrata të shqiptarëve nga Mali i Zi me banim në SHBA.

Ata shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisë që nuk ka mbajtur premtimet që u dha shqiptarëve.

Këto kërkesa kanë të bëjnë me komunën shqiptare të Tuzit, e cila aktualisht është nën juridiksionin e kryeqytetit, Podgoricës.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Bllokoni anëtarësimin e Malit të Zi në NATO”, “Gjukanoviçi – diktatori i fundit evropian”, “Është koha mbani premtimin që u dhatë shqiptarëve”, “Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

Durreslajm.com