Nga “Eksodi 99 ” tek Partneriteti Strategjik mbarë shqiptar në Kukës

April 16, 2014   | Rajoni / Region
fatmir-Gjeka

Fatmir Gjeka

Me siguri, ata që punuan për organizmin e kësaj dite janë të palumtur me faktin që nuk ka diell, por ka borë. Por më lejoni t’ju them se unë vetë dhe  Ministri i Energjisë jemi shumë të kënaqur që ka borë, sepse, meqë ka borë, do të ketë drita dhe nuk do të kemi nevojë të përballemi me krizën  e pritshme, për shkak të varësisë së plotë të sistemit tonë energjetik nga uji.

Në këtë takim, përveç kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Shqipërisë Edi Rama, prezent do të jenë shumica e ministrave të dy qeverive, por edhe Kryetari i KKSH Genci Nimanbegu, kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka, si dhe disa funksionarë të lartë të partive nacionale shqiptare nga Mali i Zi.

Padyshim që ky është luks, të jemi sot, këtu, 15 vjet dhe 15 vjet në jetën e një njeriu janë shumë, por në jetën e një populli nuk janë asgjë. Vetëm 15 vjet nga orët e një fundshekulli jashtëzakonisht dramatik për shqiptarët. Orë që i gjetën shqiptarët në një udhëtim që bëri të padukshëm kufirin mes tyre, jo përmes një bashkimi të vullnetshëm, por përmes një bashkimi në një sakrificë të përbashkët, për t’i mbijetuar goditjes së fundit, mu në dalje të një tuneli të gjatë.

Kur e sheh me sytë e sotëm të shkuarën e 15 viteve më parë, duket sikur ka kaluar një jetë  e tërë. Në njërën anë të kufirit, këtej në Shqipëri, një vend shumë i brishtë, i dalë nga një rrënim ekonomik si ai i vitit ’97-të, me një qeveri në krye të së cilës ishte një djalë 30 vjeç, që edhe zëvendësin e kishte 30 vjeç. E nga ana tjetër e kufirit, në errësirën e një diktaturë gjithnjë e më barbare, një përpjekje e zgjatur në kohë e në sakrifica, që shtrihej nga rezistenca paqësore  e Ibrahim Rugovës tek fillimet e UÇK-ë. Nga njëra anë, makina e frikshme e luftës së SlLobodan Millosheviçit. Nga ana tjetër, Aleanca e madhe që erdhi dhe u bashkua krah për krah shqiptarëve, por gjithnjë në kushtet kur fundi nuk dihej dhe kur ajo që bënë shqiptarët e zakonshëm dhe ajo që bëri qeveria shqiptare e re, në një vend shumë të brishte, ishte tërësisht e jashtëzakonshme, sepse garantoi që Aleanca  e madhe të shkonte përpara, pa frikën e lëkundjeve të opinionit publik në Evropë, për shkak të flukseve të emigracionit.

Kryeministri Thaçi foli për prapavijën e Shqipërisë. E për kë e kujton atë kohë, është fare e qartë se pa atë prapavijë dhe pa atë sinergji të jashtëzakonshme dhe pa atë organizimin ku kishte shumë mund dhe shumë spontanitet, siç tha edhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, do të ishte  e pamundur që të shkohej përpara nga e gjithë Aleanca, që pikërisht tek ajo prapavijë që krijoi Shqipëria, falë, pa as më të voglin diskutim, edhe lidershipit të  Pandeli Majkos, që bëri që një vend i dobët të dukej çuditshëm i fortë në sytë e të tjerëve, sot do të flisnim ndoshta për një histori tjetër.

Sot jemi këtu, 15 vjet më vonë. E 15 vjet u deshën që 100 vjetori i Luftës së Parë Botërore ta gjente Ballkanin në paqe. Ta gjejë këtë zonë, të lindur dhe gjithmonë të shkuar përpara në jetën e vet përmes konflikteve dhe luftërave, në kushtet kur një erë krejtësisht e re fryn dhe kur nuk është më konflikti dhe lufta, por paqja dhe bashkëpunimi që shtyjnë të gjithë drejt njëri-tjetrit.

Si asnjëherë më parë e kam pasur të vështirë të shkruaj një fjalë, sepse ka shumë e shumë gjëra që njeriu dëshiron të thotë. E për më tepër pastaj e kam shumë të qartë që duhet të jem sa më konciz, sepse kjo është një ditë feste dhe si në çdo ditë feste të tillë ka edhe një drekë e si në çdo orë dreke, kush ka fjalën i fundit rrezikon të marrë edhe mallkimet e audiencës, për zgjatjen e fjalimit.

Kështu që dua të ndaj me ju një detaj nga takimi me Kancelaren e Gjermanisë, zonjën Merkel, që lidhet pikërisht me çfarë po flasim. Që lidhet pikërisht me atë që për askënd nuk ishte e imagjinueshme që të ndodhte; që në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, vetëm pak vite nga kjo luftë  e tmerrshme që përjetuan qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, Ballkani gjendej në paqe dhe ne të gjithë, përfshirë dhe Kryeministrin e Kosovës, përfshirë dhe Kryeministrin e Serbisë, të gjendeshim së bashku, në krye të vitit, në Londër, jo për të diskutuar për si do të ndahen territoret, as për të diskutuar se si do të merremi vesh për të bërë një armëpushim, as për të diskutuar se çfarë do të bëjmë me këtë apo atë aspekt të luftës, por për të diskutuar se çfarë do të bëjmë me paqen.

Një paqe që në këndvështrimin tim dhe në bindjen time është shumë e madhe për shpatullat e brishta të secilit prej vendeve të rajonit tonë. Çka do të thotë që është një paqe që kërkon më shumë Evropën në rajon, që kërkon më shumë bashkëveprim mes nesh, për të kapërcyer ato pengesa, që të vetëm nuk mundemi t’i kapërcejmë dot, për të bërë realitet ato aspirata dhe ato ambicie legjitime të gjeneratës së re në të gjitha vendet e rajonit, që secila qeveri më vete dhe aq më pak pastaj, secila nga dy qeveritë tona e ka të pamundur t’i kapërcejë pa këtë bashkëveprim, pa këtë sinergji, pa këtë ndërveprim.

Jam i bindur që kjo është një kohë e re që do të bëjë të reflektojnë të gjithë, lidhur me të ardhmen e këtij rajoni dhe lidhur me kohën që nuk pret, për integrimin e këtij rajoni mes veti dhe pastaj me Evropën e bashkuar. Ashtu sikundër jam i bindur se kjo qasje  e jona,  e cila e merr të gjithë forcën e vet nga vizioni dhe kurajo e Kryeministrit të Kosovës, për t’u ulur në një tryezë dialogu me armiqtë e deridjeshëm dhe për të hapur rrugën e paqes me ata që deri dje ishin sundimtarë brutalë në tokën e shqiptarëve, sepse pa atë hap të jashtëzakonshëm përpara, sot ne nuk do të kishin forcën për t’u bërë të gjithë së bashku, avokatë të një Ballkani të ri, të një rajoni të ri, të një bashkëjetese të re.

Një bashkëjetesë që ndjehem posaçërisht mirë, që qeveria jonë, qeveria e Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe qeveria e Kosovës po e mishërojmë si një ecje sëbashku në një rrugë të përbashkët, për ta kthyer këtë kohë të re në një histori të re bashkëpunimi shqiptar dhe rajonal, në një hapësirë shqiptare dhe europiane e tej kufijve, të cilën e përjetojmë edhe sot, këtu në Kukës, me rastin e këtij 15-vjetori, që në fakt ishte dita që e bashkoi një herë e përgjithmonë, Shqipërinë me Kosovën dhe që me siguri e ka shtysën e vet edhe nga mbledhja e qeverive tona në Prizren, si pikënisje e institucionalizimit të rrugës së bashkimit të forcave, e bashkimit të ideve, e bashkimit të rrugëve tona drejt një të ardhmeje që duhet të jetë e përbashkët dhe që të përbashkët duhet ta bëjë askush tjetër, përveç nesh dhe vullnetit tonë për të qenë bashkë.

Nga ana tjetër dëshiroj të vë në dukje se sot, sigurisht është një ditë feste, por ishte besoj edhe dita për të thënë disa gjëra që kanë të bëjnë me atë që kemi bërë në pak se 100 ditë nga mbledhje e qeverive në Prizren. Të bindur se, siç e kemi deklaruar, kjo kohë e re nuk është koha e teatrit nacionalist, as e skeçeve propagandistike me abetaren e përbashkët në dorë, sa herë hapet viti shkollor, por është koha e një pune intensive në të gjitha planet. Punë që ka filluar dhe punë që po ndërtohet dhe po ndërton hap pas hapi, urat e bashkimit të shqiptarëve të gjeneratës tjetër në një sistem të njehsuar arsimor, ku për çdo shqiptar, kudo ku u lind dhe kudo ku rritet në Tiranë apo Prishtinë, në Gjakovë apo Tropojë, në Pejë apo Sarandë apo në cilindo fshat të Shqipërisë dhe të Kosovës të ketë një shkollë, të ketë një abetare, po e po, por edhe një sistem të tërë, të njëjtë, që të bëjë të mundur që shqiptarët e gjeneratës tjetër të jenë gjenerata e parë e shqiptarëve evropianë që kanë të njëjtat pika referimi dhe që vijnë nga e njëjta rrugë edukimi.

Po ashtu, autostrada energjetike që u përmend. Një përpjekje që do të duhej të ishte bërë më parë, por s’është kurrë vonë dhe tanimë, ne po ecim shpejt për të materializuar gjithë projektet e bashkëpunimit mes nesh, në mënyrë që siguria energjetike e hapësirës shqiptare të jetë e garantuar plotësisht. Dhe jo vetëm kaq, por duke reformuar rrënjësisht modelin e tregut të energjisë në Shqipëri dhe duke bashkëpunuar thellësisht, hapa pas hapi, ne jo vetëm sigurojmë energjinë për vete, në Shqipëri dhe Kosovë, por të kthehemi në fuqi eksportuese të energjisë, me përfitim të përbashkët.

E kështu me radhë, në të gjitha fushat e tjera, ku dua të përmend pa as më të voglin dyshim, fushën e sigurisë ushqimore dhe e zhvillimit të një hapësire të përbashkët dhe të rajonalizuar të prodhimeve bujqësore. Gjë që do të na japë mundësi që ta rrisim shumë më shpejt, sesa çdo të mund të bënim veç e veç, mirëqenien në fshat, në fshatin e Shqipërisë, në fshatin e Kosovës dhe nga ana tjetër do të na japë mundësi që të fillojmë të kthejmë sytë nga eksporti, shumë më tepër seç bëjmë sot.

Unë jam sot i lumtur që këtu mes nesh është edhe një figurë që pak është ndriçuar nga vlerat që i ka krijuar vetes në kohë. Sepse pak Shqipëria, por pak dhe Kosova kanë bërë gjithë këto vite, për t’i dhënë vendin që i takon njerëzve të sipërmarrjes. Këtu e kam fjalën për Behxhet Pacollin, i cili foli përpara nesh si Zëvendëskryeministër i Kosovës, por i cili nuk është si ne, në rolin e një drejtuesi të qeverisë, por është ndryshe nga ne. Sepse është aty jo për të vazhduar rrugën e natyrshme të një angazhimi politik, por për t’u munduar që ta ndikojë sa më shumë politikën, që të bëhet sa më shumë forcë e zhvillimit ekonomik. Dhe duke përmendur mikun tonë Behxhet Pacollin, unë dua të shpreh gjithë lumturinë time që këtu, sot, me ne janë sipërmarrës nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga trevat e tjera, për t’i dhënë jetë fillimit të një bashkëpunimi konkret për Dhomën Kombëtare të Tregtisë.

Siç e thashë në takimin e bërë në Kosovë me sipërmarrësit, mirë Kombëtaren e Futbollit na pengon FIFA, po kombëtaren e sipërmarrjes kush na pengon ta bëjmë? Kush na ka penguar gjithë këto vite? Na ka penguar vetëm vështrimi shumë i ngushtë i yni, në raport me sipërmarrësit dhe sipërmarrjes. Dhe unë jam shumë  krenar, që pas pak muajsh do të kemi mundësinë që të çelim dyert e një sipërmarrjeje të Kosovës dhe falë një sipërmarrësi që gëzon admirimin tim të madh, si Ramiz Kelmendi, për të transformuar kështu, hap pas hapi, infrastrukturën e grumbullimit dhe infrastrukturën e shpërndarjes dhe shitjes së prodhimeve bujqësore shqiptare.

I falenderoj pa masë, të gjithë sipërmarrësit që janë këtu, të pranishëm dhe pa as më të voglin dyshim bie dakord me Behxhet Pacollin, që, mirë, tatimin e dyfishtë e hoqëm, duhej të ishte hequr shumë më parë, por tani duhet të heqim doganën e dyfishtë. Është e pakuptimtë që midis Serbisë dhe Kosovës, procedurat zhvillohen shumë më shpejt sesa midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është realiteti sot, për kalimin e mallrave nga njëra anë në tjetrën. Dhe është tërësisht e pakuptimtë që për shqiptarët e Shqipërisë apo të Kosovës, që tregtojnë duke kapërcyer këtë kufi, të ketë kufi. Dhe ne do ta heqim këtë kufi dhe pa as më të voglin dyshim, doganën e Morinës do ta bëjmë simbolin e shërbimit mbi ato vlera dhe mbi atë aftësi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, që dëshmuan shqiptarët, 15 vite më parë, këtu në Kukës.

Kemi edhe shumë gjëra të tjera për të bërë në raport me sipërmarrësit.

Është e pakonceptueshme që ata që sjellin produkte ushqimore në Shqipëri, nga Kosova, të presin tre ditë një certifikatë të një autoriteti kombëtar të ushqimit në Shqipëri. Është e pakuptueshme po ashtu, që midis të dy vendeve të mos ketë shkëmbime eksperiencash dhe bashkime forcash. Prandaj, unë mezi pres që të vijë në Shqipëri jo një, por sa më shumë sipërmarrës dhe mezi pres të bëhet realitet ajo që më tha një sipërmarrës tjetër, shumë i admiruar, i kompanisë “Devolli”, që “nuk dua të vij në Shqipëri për të bërë një biznes vetë, por dua të vij në Shqipëri për të bërë një biznes 50% me 50% me një kompani shqiptare dhe për të përsëritur të njëjtën gjë, këtu në Kosovë”. E pra, besoj dhe shpresoj që në këtë rrugë do të çelen perspektiva të reja, por, ama, kjo do të bëhet e mundur vetëm duke i vënë të dy qeveritë tona në dispozicion të sipërmarrësve dhe sipërmarrjes dhe duke e konsideruar Dhomën Kombëtare të Tregtisë si pikën tonë të referimit, sepse atë çka mund të mësojmë për të lehtësuar gjithë procedurat dhe për të lehtësuar sipërmarrjen, nga sipërmarrësit, nuk e mësojmë dot kurrë, nga trajnerët e Bashkimit Evropian. Besojeni këtë gjë.

Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik-1

Nga ana tjetër besoj që edhe përpjekja jonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk është më e vështirë, sesa akomodimi i më shumë se 150 mijë njerëzve, këtu në këtë qytet me 15 mijë vetë. Ashtu sikundër besoj se siç Shqipëria e asaj kohe, kur në krye të qeverisë ishte Pandeli Majko, tregoi se edhe 500 mijë njerëz mund të qëndronin në një vend të varfër dhe të vogël dhe nuk tronditën asnjë ekuilibër, siç tremben nga tronditjet e emigracionit vende shumë më të mëdha dhe shumë më të pasura, edhe ne mund të tregojmë se shumë më shpejt dhe shumë më bindshëm mund të bëhemi pjesë e Evropës së Bashkuar, pa tronditur asnjë ekuilibër, por, përkundrazi, duke provuar se sa ç’kemi ne nevojë për Evropën, ka nevojë Evropa për ne; Sa ç’ka nevojë Shqipëria për Evropën, sa ç’ka Kosova nevojë për Evropën, sa ç’kanë shqiptarët nevojë për Evropën, ka nevojë Evropa për shqiptarët brenda saj, në Bashkimin Evropian.

Sigurisht që, nga ana tjetër, në këtë ditë do të ishte padyshim e vështirë që të liheshin mënjanë vlerat; Vlerat që e krijuan atë mrekulli në momentin e një tragjedie që dukej shumë më e madhe se të gjithë ne së bashku; Vlerat që bënë që varret dhe plagët në trup e në shpirt të ktheheshin në forcë dhe në burim të një kuraje shumë të madhe, të një kuraje që unë do ta përshkruaja me fjalët e Presidentit Klinton, një njeri të cilit shqiptarët gjithë jetën do t’i detyrohen, padyshim, jashtëzakonisht shumë: “Ju nuk i jeni dorëzuar dëshpërimit. Dhe ju nuk keni lejuar që tmerri që keni parë, t’iu ngurtësojë zemrën apo t’iu prishë besimin në një jetë më të mirë në vendin ku keni lindur. Do të kalojë kohë. Por me forcën tuaj dhe me vendosmërinë tonë nuk ka dyshim se si do të jetë fundi”. Këto fjalë, të thëna në një kohë tjetër, mua mu lidhën në kohën e re, kur si Kryeministër shkova në Kombet e Bashkuara dhe isha i ftuar në ceremoninë e hapjes së ditëve të Iniciativës Klinton, së bashku me mikun tim Hashim Thaçin. Duke parë nga afër Presidentin e madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njeriun që bashkë me Kryeministrin e Britanisë së Madhe ishte protagonisti i madh i historisë së re që u shkrua për Kosovën dhe për gjithë Ballkanin, të komunikonte me Hashimin, u ndjeva realisht krenar. Edhe më krenar u ndjeva kur Presidenti Klinton, – kini parasysh ishte koha e dialogut, –  i tha Hashimit: “Ju i mbijetuat luftës dhe fituat lirinë. Tani duhet t’i mbijetoni paqes dhe të fitoni mirëqenien”. Këtu, edhe tek fjalët e këtij lideri të madh e njërës prej figurave më të mëdha politike të shekullit të kaluar, qëndron edhe thelbi i kohës sonë të re.

Ne sot duhet t’i mbijetojmë paqes në rajon, për të fituar pikërisht mirëqenien.

E di që po të ishte paraardhësi im këtu do të thoshte harrove Xhorxh W. Bush. Dhe unë, meqenëse jemi këtu në 15–vjetorin e eksodit, por gjithsesi jemi këtu me dy qeveri, me dy shtete, me një realitet tërësisht të transformuar, sigurisht që nuk do ta lë pa e shprehur dhe mirënjohjen, jo vetëm për Presidentin tjetër që ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrugën e pavarësimit të Kosovës, Presidentin Bush, apo në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por, madje, unë këtu dua të shpreh mirënjohjen edhe për Sali Berishën, edhe për Partinë Demokratike në qeveri, si pjesë e përpjekjes së përbashkët shqiptare për pavarësimin e Kosovës dhe për të arritur në këtë ditë ku ne shqiptarët të kemi mundësinë t’i themi vetes, dakord, ne ndahemi thuajse për të gjitha. Madje, në qoftë se e kthejmë në çështje politike, ne mund të ndahemi edhe për sa është ora; a është drekë apo është darkë; është mars apo është prill; edhe çfarë viti është. Por ne fatmirësisht nuk ndahemi tek çështja e madhe që deri dje mbante emrin “çështja e Kosovës”, por që sot, natyrshëm ka emrin “çështja e shqiptarëve”.

Kosova ka vlejtur shumë edhe për këtë, si burim i një fryme që ka arritur t’i unifikojë shqiptarët e Shqipërisë, edhe atëherë kur janë dukur krejtësisht të paunifikueshëm. Ka arritur t’i bëjë shqiptarët e Shqipërisë të vetëdijshëm, për faktin sesa më të fortë të jenë shqiptarët, kudo ku jetojnë, aq më i fortë është kombi ynë dhe aq më fortë ne mund të mbështesim njëri–tjetrin, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e secilit, jo vetëm në Shqipëri dhe në Kosove, por edhe në Preshevë, Mal të Zi dhe padyshim Maqedoni e kudo qoftë.

Duke e mbyllur, unë dua të them se është vërtetë fat, një fat shumë i madh që sot të jesh këtu. Unë ndjehem edhe më me fat, në qoftë se mund ta them, që kam nderin të mbaj këtë fjalë përmbyllëse të këtij takimi që 15 vjet më pas nga ato momente që dukeshin fundi i botës, ku Shqipëria ngjante si “Titaniku” që mund të mbytej nga momenti në moment, bashkë me Kosovën, të mund të flasim për partneritet strategjik. “Nga eksodi në partneritet strategjik” është titulli i mundshëm i këtij takimi, që mund të quhej dhe nga “Nga përpjekja e studentëve tek gjenerata e shqiptarëve evropianë”. E shqiptarëve që lindi dhe rriten sot në Shqipëri apo në Kosovë.

Ka një poezi Ismail Kadare ku thotë: ““S’kish dëshmitarë, TV nuk pati/ Zinxhir i tankut kur ju ngriu/ Por retë e globit veç ju panë/ Ndërgjegje e botës tek ju mbriu”. Këto vargje janë shkruar për studentët që protestuan në Prishtinë, në vitin 1981. Thirrjet e para të tyre ishin: “Kosova Republikë”; “Jemi shqiptarë”; “Duam shokët tanë”.

Ishin shkëndijat e para, por shkëndija që nuk u shuan kurrë dhe që në një formë tjetër, në një forcë tjetër u rishfaqën 10 vjet më vonë në Shqipëri, kur po studentët thërrisnin “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. E këta studentë, qoftë në Prishtinë në ’81-n, qoftë në Tiranë në ’90-n, qoftë sot kudo ku janë studentët shqiptarë i bashkon jo vetëm një gjuhë, por i bashkon edhe një ëndërr. Dhe përgjegjësia e jashtëzakonshme e jona, – e imja, e Hashim Thaçit në radhë të parë, pastaj me siguri e të gjithë ministrave dhe ministreve, por pa diskutim edhe e gjithë deputetëve e deputeteve, jo vetëm të shumicës, por edhe të opozitës, – është që të japim më të mirën që ëndrra që Adem Jasharin e çoi në atë flijim prej legjendash të bëhet realitet. Të bëhet realitet jo më duke marrë pushkën, sepse askush nuk ia kërkon askujt jetën sot, por duke bërë me jetën tonë diçka të vlefshme për jetën e kombit tonë dhe duke e bërë jetën tonë një kontribut të vyer për ndriçimin e mendjes dhe të rrugës së kombit tonë. Sepse jemi një komb dhe ëndrra jonë është “të jemi një komb i bashkuar, në Evropën e bashkuar”. Ashtu sikundër ëndrra e atyre që 15–vjet më parë organizoheshin dhe luftonin në pyje, – dhe dukeshin si njerëz që i “kishin hyrë detit në këmbë” dhe nuk do të dilnin kurrë matanë, – ja ku është, u bë realitet. Ashtu edhe ëndrra jonë, për të qenë një komb i bashkuar në Evropën e bashkuar, varet nga ne, se sa, si dhe kur bëhet realitet. Për sa na takon, ne do të bëjmë më të mirën që Shqipëria dhe Kosova të jenë më të mira, falë punës sonë. Të tjerët do të punojnë më mirë pas nesh.

Faleminderit.

***

Kukësi ishte sot qyteti mikpritës, i cili bashkoi sërish në një hapësire, dy qeveritë, të Shqipërisë dhe Kosovës, në kujtesë të eksodit tragjik të shqiptarëve të Kosovës, 15 vjet më parë.  Kryeministri Rama udhëtoi sot drejt Kukësit për një seri aktivitetesh, kushtuar kësaj ngjarje, e cila përmbylli një fundshekull dramatik për shqiptarët.

Në pikën kufitare të Morinës kryeministri Rama i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Thaçi dhe ministrave të kabinetit të tij, por edhe qindra qytetarëve kosovarë, të cilët në mënyrë simbolike e me shumë emocion, sollën në kujtesë atë ditë, duke përshkruar në këmbë hyrjen në qytet.

Më pas, Kryeministri Thaci dhe anëtarët  e kabinetit u nderuan në një ceremoni zyrtare në sheshin përpara pallatit të kulturës të Kukësit.

“Nga Eksodi tek Partneriteti Strategjik” ishte Konferenca që bëri bashkë, të dy kabinetet, në një diskutim të hapur për sfidat e së ardhmes europiane të të dy vendeve. Në disa panele dikutimi, ministrat homologë nga të dy kabinetet paraqitën vizionin e zhvillimit për fushat përkatëse, në një perspektivë bashkëpunimi shumë më të gjerë mes tyre.

Teksa rikujtoi orët e asaj ngjarje të dhimbshme të 15 viteve më parë, Kryeministri Rama në përshëndetjen e tij tha se ai moment i gjeti shqiptarët  “në një udhëtim që bëri të padukshëm kufirin mes tyre, jo përmes një bashkimi të vullnetshëm, por përmes një bashkimi në një sakrificë të përbashkët për ti mbijetuar goditjes së fundit, në dalje të një tuneli të gjatë.”  Kryeministri tha se të dy vendet, por edhe i gjithë rajoni po përjeton një kohë të re që do të bëjë të reflektojnë të gjithë lidhur me të ardhmen rajonit dhe kohën që nuk pret, për integrimin e tij në Evropën  e bashkuar.