Reagime të ashpra ekstremiste për ‘Miss Shqiperia’ ne Ulqin

Miss-Globe-International-2012-in-Ulcinj-Montenegro.5‘Miss Shqiperia’ ne Ulqin sjell reagime te ashpra te filoserbeve

Realizimi i konkursit “Miss Shqipëria” në Ulqin të Malit të Zi, që është parashikuar të zhvillohet në muajin qershor, ka sjellë reagime të ashpra të ekstremistëve nacionalistë serbë, si në media ashtu edhe në rrjetet sociale.

Përplasja politike

Sipas të dhënave, kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, dhe producenti i spektaklit, Petri Bozo, kanë rënë dakord për datat e tij e këtij evenimenti, që do të zhvillohet nga 20-27 qershor. Organizatorët duket se kanë zgjedhur qytetin turistik, i cili ofron një mjedis të përsosur, që të kthehet në këtë qershor në qendër të bukurisë shqiptare. Gjeka mësohet se ka siguruar mbështetjen maksimale të medias, ku disa prej tyre janë shprehur se “ka ardhur koha për të bashkuar bukurinë e Shqipërisë në Ulqin”.

Por, shpallja e datave për këtë eveniment kulturor ka shkaktuar të gjitha llojet e komenteve edhe nga bota politike, sidomos nga përfaqësues filoserbë, të cilët kundërshtojnë organizimin e kësaj ngjarjeje, duke e krahasuar me kundërshtimin me forcë të qeverisë malazeze pak kohë më parë për përzgjedhjen e përbashkët në të njëjtën mënyrë të “Miss Serbisë dhe Malit të Zi”.

Lëvizja për ndryshim

Nebojsha Medojeviç, kreu i Lëvizjes për Ndryshim, ka deklaruar për mediat, duke thënë se do të ishte mirë që Mali i Zi të ishte i njohur si shtet, në të cilin janë të mirëpritura të gjitha kombet. “Unë nuk jam një person që vuan nga ksenofobia nacionaliste, për mua nuk ka debat, as kur flamujt serbë vendosen në skenën e një konkursi bukurie, as kur shqiptarët e Ulqinit vendosin flamurin e tyre. Sa për mua, në Mal të Zi mund të realizohet edhe ‘Miss Bosnja’. E vetmja gjë që unë urrej është dallimi midis të drejtave të qytetarëve të rendit të parë dhe të dytë. Pra, nëse serbët janë duke bërë diçka të tillë, ky quhet veprim kundër shtetit, ndërsa nëse shqiptarët e bëjnë këtë, çdo gjë në rregull. Nuk e kërcënon Mali i Zi një konkurs bukurie, por e kërcënon mafia, korrupsioni dhe krimi i organizuar”, përfundon ai.

Drejtori i “IN4S”

Por, Gojko Raiceviç, drejtor i portalit “IN4S”, ka një mendim të kundërt me Medojeviç. Raiceviç është shprehur se ardhja e bukurisë shqiptare në Mal të Zi ka miratimin e shumicës së qytetarëve të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, pasi me këtë rast bëhet një njohje më e mirë për qytetin jugor të bregdetit malazez. “Këtë e dënon vetëm një pakicë shoviniste. Kjo pakicë nuk është Europa që ne duam”, shprehet ai.

Deputeti shqiptar

Ndërkohë, një nga deputetët shqiptarë në Parlamentin malazez, Genc Nimanbegu, përfaqësues i Forcës së Re, ka deklaruar se asnjëherë nuk mungojnë reagime të tilla ndaj çdo manifestimi sado normal që bëhet nga shqiptarët. “Këtë lloj ekstremizmi e kuptoj. Por, mua më habit reagimi i disa shqiptarëve që janë shprehur kundër këtij evenimenti! Nuk arrij që të kuptoj motivin e tyre. Megjithatë, mendoj se është një gabim i momentit dhe besoj se deri tani janë kthjelluar nga ky gabim”, deklaron Nimanbegu. Ndërkohë, si deputet, ai shprehet se nuk ka pasur asnjë reagim në sallën e Parlamentit për këtë aktivitet. “Përkundrazi ka edhe deputetë të kombësive të tjera që po ‘prenotojnë’ tek unë vendet për natën finale”, shpjegon ai. Më tej, ai shpjegon se disa reagime janë të nxitura edhe për shkak se në Mal të Zi, më 25 maj, do të mbahen zgjedhjet lokale në më se gjysmën e bashkive. “Por, nuk pres reagime të mëtejshme, sepse besoj se është kuptuar që ky është manifestim kulturor, që vetëm mund të kontribuojë pozitivisht në imazhin e Ulqinit dhe rrjedhimisht edhe të Malit të Zi.

Nimanbegu

Një nga deputetët shqiptarë në Parlamentin malazez, Genc Nimanbegu, përfaqësues i Forcës së Re, ka deklaruar se asnjëherë nuk mungojnë reagime të tilla ndaj çdo manifestimi sado normal që bëhet nga shqiptarët

Somario

“Pra, nëse serbët janë duke bërë diçka të tillë, ky quhet veprim kundër shtetit, ndërsa për shqiptarët jo”

“Nuk e kërcënon Mali i Zi një konkurs bukurie, por e kërcënon mafia, korrupsioni dhe krimi i organizuar”