Bashkëpunimi i Policisë Shqiptare dhe asaj Malazeze në Ulqin dhe Budve

June 1, 2014   | Rajoni / Region

policia-shqiptare-malazezeNdërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Maleze,  Sllavko Stojanoviç, u zhvillua sot në Podgoricë, Mal të Zi, një takim i nivelit teknik, gjatë të cilit dy drejtuesit e lartë kanë nënshkruar protokollin e bashkëpunimit policor ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi në kuadër të sezonit turistik veror 2014.

Në kuadër të këtij protokolli, policia Shqiptare dhe ajo Malazeze, do të bashkëpunojnë dhe organizojnë shërbime të përbashkëta të punonjësve të policisë së rendit dhe të policisë kriminale në territorin e Malit të Zi, për t’i ofruar një shërbim sa më cilësor, sa i përket rendit e sigurisë, qytetarëve shqiptarë, që do të kalojnë pushimet në Malin e Zi dhe anasjelltas.

Është viti i tretë që policitë e të dy vendeve bashkëpunojnë me ekipe të përbashkëta të policisë në interes të garantimit të një shërbimi policor sa më efikas dhe me standarde për qytetarët e të dy vendeve në kuadër të sezonit turistik veror.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i një rëndësie të veçantë në drejtim të konsolidimit të iniciativave operacionale dypalëshe sa i përket sigurisë publike, si dhe i shërben forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit policor ndërmjet të dy vendeve.

Ndërkohë gjatë takimit të zhvilluar ndërmjet drejtuesve të lartë të policive Shqiptare dhe Malazeze, dhe delegacioneve që i shoqëronin, u evidentuan gjithashtu fushat në interes të bashkëpunimit të policive të të dy vendeve, si dhe aktivitetet e përbashkëta që do të ndërmerren për të parandaluar e goditur fenomenet kriminale, në mënyrë të veçantë sa i përket krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, trafikut të armëve, kontrabandimit të personave etj., duke përcaktuar dhe modalitet e bashkëpunimit në këtë kuadër.

policija

Në qendër të takimit ishte dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në nivel ekspertësh, si dhe shkëmbimi në kohë reale i informacionit mes palëve.

Po ashtu një vëmendje e veçantë iu kushtua dhe masave të përbashkëta për krijimin e lehtësirave në pikat e kalimit kufitar, në mënyrë të veçantë gjatë sezonit turistik veror, ku evidentohet një fluks në rritje i qytetarëve që lëvizin përmes këtyre pikave.

Në përfundim të takimit Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi ndanë të njëjtin mendim se forcimi i bashkëpunimit mes strukturave policore të të dy vendeve është faktor i rëndësishëm për një luftë sa më efikase ndaj fenomeneve kriminale dhe i shërben më së miri interesave të qytetarëve.
(m.a/BalkanWeb)