Shqiptarët e Malit të Zi provokohen nga Kisha Serbe

June 6, 2014   | Shtypi / Mediji
Kisha-ne-rumiShqiptarët në krahinën e Krajës në Malin e Zi, por edhe në gjithë territorin ku flitet shqip janë provokuar nga një deklaratë e Amfillohije Radoviç, udhëheqësi i Kishës Ortodokse serbe për Malin e Zi dhe Bregdetin. Kisha në majën e Rumisë, në territorin e komunës së Tivarit, e cila përbëhet në pjesën më të madh nga shqiptarë, u vendos nga Kisha Ortodokse Serbe që në vitin 2005, para pavarësisë në Malin e Zi duke u bërë objekt i provokimit të patriarkut serb.

Ajo kishë e transportuar me një helikopter të ushtrisë së atëhershme serbo-malazeze, mban në muret e saj mbishkrime të ndryshme anti-shqiptare.  Edhe pse ndodhet në një lartësi në majën e Rumisë, mbishkrimet dhe grafitet janë lehtësisht të lexueshme edhe kur kalon rrugës pa u ngjitur atje. Parlamenti i Malit të Zi ka marrë një vendim të qartë për heqjen e asaj kishe, por që ka hasur në rezistencën e moratoriumit i cili nuk lejon prishjen e objekteve pa leje në Malin e Zi deri në një zgjidhje të dytë e po ashtu mesa duket serbët, e aq më tepër Kisha Ortodokse ka ende influencë të madhe duke mos lejuar heqjen e kishës.

Në këtë mënyrë shqiptarët e Krajës, që dominojnë në territorin e Komunës së Tivarit, ndërtimin e kishës në majën e malit të Rumisë e përjetojnë si një provokim dhe uzurpim të trojeve të tyre etnike dhe historike ndaj prej kohësh kërkojnë me ngulm heqjen e saj. Lidhur me këtë kërkesë, patriarku serb Amfillohije në një vizitë të zhvilluar në Krajë, në mbetjet e kishës së Shën Mërisë, deklaroi publikisht se: “Kishën në Rumi mund ta largojnë vetëm ata të cilët nuk besojnë në zot”.

Drejtoria shtetërore për mbrojtjen e pasurive kombëtare në Malin e Zi përmes një deklarate për shtyp shprehej se Kisha e metaltë në Rumi cënon kultin e Shën Gjon Vladimirit, i cili ka një domethënie të madhe sidomos për zonën përreth. Patriarku Amfillohije Radoviç është kundërpergjigjur ndonëse jo drejtpërdrejtë, por shumë qartë teksa ka deklaruar: “Këtë e thonë njerëzit të cilët nuk dinë dhe të cilët para se gjithash nuk besojnë në zot. Nuk besojnë në zot e as në Allahun” – u shpreh patriarku Amfillohije nga Kraja, njofton portali cdm.me. Kjo deklaratë e tij natyrisht që ka krijuar polemika, sepse kisha e metaltë në Rumi është vendosur pa marrë mendimin e komunitetit e po ashtu mban shkrime nacionaliste si “Etnik Albania” (që kuptohet si e kundërta e Shqipëria Etnike) apo “AKSH” që do të thotë “armata kombëtare shqiptare”.

Për më tepër këto mbishkrime janë me ngjyrën e kuqe, ngjyrë që simbolizon gjakderdhjen. Madje, patriarku Amfillohije ka guxuar më tej teksa ka deklaruar: “tensionet në mes të popullit shqiptar dhe serb mund ti shuaj vetëm Kisha Ortodokse”, për faktin se sipas tij tani “në Shqipëri ka gati 30% ortodoks”. Në mbetjet e kishës së Shën Mërisë udhehëqësi i kishës ortodokse serbe për Malin e Zi bëri një përshëndetje të veçantë për miqtë nga qyteti i Shkodrës që ishin të pranishëm aty bën të ditur portali cdm.me.

Kjo deklaratë e patriarkut serb Amfillohije pritet të sjellë reagime të forta tek qytetarët shqiptarë të cilët kishën e metaltë në majën e Rumisë e cilësojnë si një veprim i pastër politik për të ndikuar në prishjen e marrëdhënieve dhe nxitjen për konflikt. Pavarësisht kësaj ndodhie, apo pranisë prej vitesh tashmë të kishës në Rumi dhe mbishkrimeve nacionaliste për shqiptarët, politika në Malin e Zi, aq më tepër pala shqiptare nuk është ndjerë duke përjashtuar disa raste sporadike që nuk kanë patur jehonën e duhur.

Politika nuk ka folur duke pranuar në heshtje këtë fyerje dhe dashkeqësi në adresë të shqiptarëve. Pak ditë më parë në Tiranë me rastin e shenjtërimit të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, kryepeshkopi serb Irinej, tha se “Kosova është tokë e shenjtë e Serbisë” duke u pasuar tashmë nga deklarata e patriarkut serb Amfillohije që padyshim kanë trazuar ujrat jo vetëm në Shqipëri, Serbi apo Malin e Zi por në gjithë Ballkanin dhe më gjërë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 qershor 2014

Redaksia Online