Në portin e Tivarit të Malit të Zi sekuestrohen 250 kilogramë kokainë, me destinacion Shqipërinë – Video

June 7, 2014   | Rajoni / Region

kokaina-BarNjë sasi rekord kokaine është bllokuar nga autoritetet doganore të Malit të Zi, në portin e Tivarit, me destinacion Shqipërinë.

Bëhet fjalë për 250 kilogramë kokainë e cilësisë së lartë, e fshehur në kutitë e bananeve. Policia malazeze bën të ditur se droga është gjetur në një nga tre kontejnerët që sillte banane nga Ekuadori drejt Shqipërisë.

Mësohet se lënda narkotike ishte e ndarë në 223 pako dhe se vlera e llogaritur nga shitja e saj arrin deri në 12.5 milionë euro. Sipas drejtorit të Autoritetit të Doganave malazeze, Vladan Jokovic, kontejneri është dërguar nga kompania “Vimtikorp SA”, nga Ekuadori, ndërsa marrësi ishte kompania shqiptare “Rrapo”.

Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, kompania “Rrapo”, me qendër në Fier, është në pronësi të Nazike Rrapajt dhe ka si aktivitet import-eksportin me shumice dhe pakicë të frutave, perimeve dhe produkteve ushqimore.

Top Channel ka tentuar të kontaktojë me numrin e telefonit të paraqitur në dokument, por ai nuk ekzistonte.

Ndërkaq, të kontaktuar në telefon nga Top Channel, përfaqësuesit e kompanisë “Vimtikorp” shprehin habinë për këtë ngjarje, ndërsa deklarojnë se vetëm pak javë më parë ata kanë sjellë një tjetër ngarkesë në Shqipëri, sërish për kompaninë “Rrapo”.

Nga ana e tjetër, drejtuesit e Policisë së Shtetit po shkëmbejnë informacione me homologët e tyre malazezë për të zbardhur gjithë skemën e këtij trafiku, i cili rezultoi me bllokimin e një prej sasive më të madhe të kokainës në Malin e Zi. /Top Channel/

YouTube Preview Image