Çela: Sa më shpejt projekti i rrugës Velipojë-Ulqin të konkretizohet – Video

June 20, 2014   | Rajoni / Region

Agron-CelaNjë grup deputetësh shqiptarë, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, morën pjesë në një takim të përbashkët me deputetët e Malit të Zi. Takimi u zhvillua në qytetin e Ulqinit.

Tema e këtij diskutimi ishte Dimensioni parlamentar i bashkëpunimit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në fushën e transportit. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Agron Çela, duke folur konkretisht për projektet që do të ndihmonin Shkodrën dhe Ulqinin por mbi të gjitha dy vendet tona. u ndal te rruga Velipojë Ulqin, ku kërkoi nga ana e ministrit malazez të dijë diçka më shumë se në çfarë faze është projekti dhe kur do të marrë jetë ky investim.

Deputeti i Shkodrës, Agron Çela, e cilësoi si prioritet gjithashtu rikthimin e lundrimit nga Liqeni i Shkodrës drejt Virpazarit, si një mundësi e mirë për të pasur një turizëm të qëndrueshëm. “Përfundimi i rrugës Velipojë- Ulqin në një kohë sa më të shpejtë do të ishte me interes për të gjithë:, theksoi zoti Çela.

Në këtë takim, palët theksuan rëndësinë e shfrytëzimit edhe të lumit Buna, Liqenit të Shkodrës, linjës hekurudhore Podgoricë-Shkodër që janë pika të forta të lidhjes mes dy vendeve.

Ministria e Transporteve e Shqipërisë pritet që të inicojë së shpejti një takim të përbashkët ndërmjet dy vendeve në lidhje me projektet në infrastrukturë.

Ndërkaq, edhe deputetët e Malit të Zi por edhe ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, e kanë konsideruar të drejtë çështjen e ngritur nga deputeti Çela dhe sipas tyre shumë shpejt do të nisin diskutimet dhe më pas miratimi i fondeve për vënien në jetë të këtyre projekteve.

Ministri Brajoviq ka theksuar se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi është i shkëlqyer dhe të dy vendet tona duhet të aplikojnë së bashku te fondet ndërkombëtare për realizimin e një sërë projektesh në fushën e lidhjes së komunikacionit.

YouTube Preview Image