Ulqini, destinacioni i preferuar për pushime

July 3, 2014   | Ekonomia / Ekonomija

plazhi-vogel-ulqinUdhëheqja komunale dhe turistike e Ulqinit i kanë bërë të gjitha përgatitjet për t’i pritur ngrohtësisht turistët nga e gjithë bota, shkruan Epoka e Re.

I njohur si djep i turizmit dhe thesar i Malit të Zi, Ulqini i bukur e historik është bërë gati për t’i pritur turistët për sezonin e sivjetshëm veror. Përveç ujit, dellit, rërës, natyrës së bukur, plazheve dhe hoteleve, në Ulqin pastërtia, siguria, furnizimi me ujë të pijshëm dhe energjia elektrike janë në nivelin e dëshiruar. Krahas këtyre, mikpritja e ulqinakëve nuk mungon. Kuzhina ulqinake gjithashtu është e pasur me ushqime të llojllojshme. Bukurinë që natyra ia ka dhënë Ulqinit, përpos detit, ia shton edhe kalaja e vjetër mbi 2 mijë e 500 vjet, e cila është e kalitur mbi shkëmb dhe qyteti i vjetër i njohur si qyteti i Shasit, i cili ka një pamje magjepse dhe një liqen të mrekullueshëm

Gjithçka është gati. Ulqini, qytet i lashtë në histori, me pamje magjepse, plazhe të bukura dhe i banuar me shumicë shqiptare, ka hapur “portat” për t’i pritur turistët nga e gjithë bota, të cilët pritet ta vizitojnë këtë vend gjatë këtij sezoni veror. Për pushuesit e këtij sezoni qyteti i bukur i Ulqinit do të ketë në dispozicion mbi 20 hotele, në mesin e tyre edhe hotelin “Mediteran”, i cili gjendet afër plazhit të vogël dhe ka katër yje. Po në këtë sezon veror Ulqini do t’i ketë në dispozicion afër 20 plazhe, në mesin e tyre “Safari Beach” dhe Copacabana Beach”, ku në shumicën prej tyre valon flamuri i kaltër i pastërtisë. Edhe çmimet e banimit dhe të ushqimit në Ulqin nuk janë shumë të larta.

Udhëheqja politike dhe turistike e Ulqinit kanë deklaruar se i kanë bërë të gjitha përgatitjet që ky sezon veror të jetë sa më mbresëlënës. Ata kanë deklaruar se në krahasim me vitet e kaluara, kanë përmirësuar dukshëm pastërtinë, sigurinë dhe kushtet të cilat ofrohen në sektorin privat dhe në atë hotelier. Sa iu përket banimeve, sipas të dhënave të komunës së Ulqinit, sivjet vetëm banimi privat ofron 100 mijë shtretër. Sipas tyre, edhe infrastruktura dhe kushtet e hoteleve janë përmirësuar dukshëm.

Kryetari i Ulqinit, Fatmir Gjeka, gjatë një konference me gazetarët nga Kosova ka thënë se kjo komunë është duke punuar maksimalisht që pushuesit në Ulqin ta ndjejnë dhe ta përjetojnë në maksimum pushimin e tyre. Gjeka ka bërë me dije se 80 për qind e pushuesve në Ulqin janë nga Kosova dhe diaspora e këtij shteti. “Ofertën turistike të Ulqinit e kem prezantuar nëpër panaire të ndryshme, përfshirë edhe Prishtinën, pasi Kosova është tregu kryesor për Ulqinin. Ne presim që për një periudhë të gjatë Ulqini të jetë destinacioni kryesor për pushime i kosovarëve”, ka thënë Gjeka. Në këtë kontekst, ai i ka ftuar kosovarët për investime, duke premtuar lehtësira.

Czarnogóra-Riwiera-Ulcinj-Pokoje-“Se çka kemi bërë ne në infrastrukturë, tashti edhe një risi po jua them këtu. Rruga prej pikës kufitare deri në Ulqin është e kryer. Ju jeni dëshmitarë të kësaj. Kurse pjesa e mbetur fillon në vjeshtë dhe para disa ditëve është sjell vendimi në Qeverinë e Malit të Zi, një investim rreth 9 milionë e gjysmë euro, të siguruara nga fondet evropiane. Punimet do të fillojnë pas sezonit turistik. Kështu që, ndoshta edhe në Ulqin ka shumë dekada që qeveria nuk ka investuar si në këta pesë vjetët e fundit”, ka thënë Gjeka. Sipas tij, çështja e ujit është duke u rregulluar dhe se kanë kapacitet të plotë për ujë të pijshëm për rreth 200 mijë vizitorë.

Ndërkaq, drejtoresha e Organizatës Turistike të Ulqinit, Zana Serven, e cila shquhej për mikpritje dhe profesionalizëm, ka thënë se Ulqini ofron kushte të mira për pushime. Sipas saj, ka hapësira dhe lokale të shumta ku të rinjtë mund të argëtohen3. “Jemi të kënaqur me numrin e turistëve, të cilët po e vizitojnë Ulqinin, pasi ka rritje të numrit të turistëve për 20 për qind për dallim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka deklaruar ajo.
Serven ka bërë me dije se siguria në Ulqin është në nivelin e duhur. “Përveçse është rritur bashkëpunimi me policinë e Malit të Zi në nivel qendror, ka bashkëpunime edhe me policinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, që siguria për turistët të jetë në nivelet më të larta”, ka thënë Servan.

Selatin-Gjeloshi-1

Në anën tjetër, Selatin Gjeloshi, menaxher i hotelit “Mediteran”, ku kanë qenë mysafirë afër 40 gazetarë dhe kameramanë nga Kosova, ka deklaruar se janë gati për t’i pritur turistët. Ai ka bërë me dije se ky hotel ka 134 dhoma me 330 shtretër, ku ofrohet edhe ushqim dhe shërbimet e tjera, varësisht nga kërkesat e mysafirëve. “Si gjithmonë, në hotelin tonë dominojnë turistët nga Kosova, por kemi edhe shumë turistë që vijnë nga diaspora”, ka thënë Gjeloshi. Për përgatitjet e sesionit veror ka folur edhe përfaqësuesja e “Safari Beach”, Jozefina Deliq. Ajo ka thënë se për nëntë vjet me radhë kanë flamurin e kaltër për cilësi, siguri dhe pastërti që ofrojnë. Deliq ka bërë me dije se një çadër me dy shtretër kushton prej 5-7 eurosh, kurse çadrat familjare kanë çmime më të larta.

INA