Horizonti i Ri: Raporti i hulumtimit “Politika për të rinj në Ulqin”

September 10, 2014   | Shoqëria / Društvo

Horizonti Ngo-Ulqin-UlcinjOrganizata e shoqërisë civile “Horizonti i Ri” publikoi të martën rezultatet e hulumtimit të problemeve dhe nevojave të të rinjve në komunën e Ulqinit, të realizuar në periudhën qershor – gusht të këtij viti. Qëllimi themelor i këtij hulumtimi ishte grumbullimi i informacionit për problemet aktuale dhe nevojat e të rinjve, në mënyre që hartimi i dokumentit Plani i Veprimit për të rinj në komunën e Ulqinit, të jetë sa më cilësor.
Në konferencën e organizuar për medie, rezultatet e hulumtimit u prezantuan nga aktivistët rinor, të cilët punuan drejtpërsëdrejti në të gjitha fazat e procesit të anketimit të të rinjve. Metodologjia me të cilën u zhvillua ky hulumtim, ishte ajo që “Horizonti i Ri” e zbaton tradicionalisht – anketimi në terren me anketues të trajnuar. Në këtë formë u realizua rreth 60% e procesit të anketimit të të rinjve. Përveç kësaj, të rinjtë kishin mundësi që pyetësorin t’a plotësojnë edhe në formë elektronike, në një nga platformat e internetit për hulumtime publike.
Pyetësori ishte i hartuar nga dymbëdhjetë pyetje në të cilat janë përgjigjur 174 të rinj të moshës 15 – 29 vjeç. Hulumtimi ka përfshire 9 fusha të interesit për të rinj: edukimi, punësimi, shëndeti, pjesëmarrja e të rinjve në shoqëri, të drejtat e njeriut, koha e lire, kultura, familja, informimi dhe lëvizshmëria. Ky hulumtim u realizua në kuadër të projektit: “POLITIKA PËR TË RINJ NË ULQIN”, të cilin e mbështetë Fondi për qytetari vepruese (FAKT).
Projekti zgjatë deri në fund të vitit dhe do të finalizohet me hartimin e plotë të Planit të Veprimit për të rinj dhe dërgimin e tij për miratim në Parlamentin lokal.

 

Shiko rezultatin e hulumtimeve dhe nevojat e të rinjëve