Kolegjiumi i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi diskutoi rreth të ardhmes së gazetës „Koha javore“

September 24, 2014   | Kulturë / Kultura

koha_javore-1

Kuvendi të gjejë zgjidhje të qëndrueshme

Podgoricë – Te gjithë përfaqësuesit e klubeve të deputetëve kanë përkrahur qëndrimin që Kuvendi i Malit të Zi, si themelues i gazetës „Koha javore“, të marrë pëgjegjësinë për gjetjen e zgjidhjes për një të ardhme të qëndrueshme të kësaj gazete.

Ata kanë diskutuar për situatën aktuale të të vetmes gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, e cila financohet nga buxheti shtetëror, në kolegjiumin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, të mbajtur me nismën e deputetit Genci Nimanbegu, kryetar i Klubit të Deputetëve të Partive Shqiptare, Iniciativës Qytetare Kroate dhe Partisë Liberale të Malit të Zi.

Në takim është vendosur për formimin e grupit të punës i cili do t’i propozojë Kuvendit të Malit të Zi zgjidhjen për statusin e ardhshëm të gazetës „Koha javore“. Koordinator i Grupit të punës do të jetë deputeti Genci Nimanbegu, kurse anëtarë deputeti Predrag Sekuliq (PDS) nga radhët e pozitës dhe Dritan Abazoviq (MZP) nga opozita.

Gazeta „Koha javore“ ndodhet në krizë për shkak të shpalljes së falimentimit në Shtëpinë Botuese „Pobjeda“, në kuadër të së cilës botohet kjo gazetë.

Në fillim të muajit gusht, redaktori përgjegjës i gazetës „Koha javore“, Ali Salaj, i është drejtuar me një shkresë Kuvendit të Malit të Zi, institucioneve përgjegjëse në Mal të Zi, subjekteve politike shqiptare, përfaqësive diplomatike në Mal të Zi etj., nga të cilët ka kërkuar që kjo gazetë të mos përfshihet në procesin e falimentimit të “Pobjeda”-s, as në kuadrin e privatizimit të mundshëm të saj, por si media e pakicave të mbështetet nga institucionet përkatëse shtetërore.

„Koha javore“ është themeluar nga Kuvendi i Malit të Zi në dhjetor të vitit 1999, kurse numri i parë ka dalë në shkurt 2002. Gjatë këtyre 13 vjetëve janë botuar gjithsej 632 numra duke luajtur një rol të rëndësishëm për lexuesin shqiptar jo vetëm në Mal të Zi por edhe më gjerë.