Gjonaj: Takimet e mia me profesor Shaban Demirajn

September 25, 2014   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

Shaban-DemirajnGjekë Gjonaj

Mëngjesin e 31 gushtit të këtij viti , duke u hedhur një sy gazetave shqiptare në faqet e internetit lexova me pikëllim lajmin se një ditë më parë, pas viteve të gjata të lëngimit, ishte ndarë nga jeta studiuesi Shaban Demiraj, në orën 13:50 në shtëpinë e tij në Tiranë në moshën 94 vjeçare. Shkuarja në amshim e këtij autoriteti shkencor elitar është një humbje e madhe shkencore dhe njerëzore, i cili për fatin tonë ka lënë pas një trashëgimi të çmuar shkencore, si autor librash dhe studimesh shumë të vlefshme për shkencën e albanologjisë, me vlerë kombëtare.

 

Njohja nga larg dhe nga afër

 

Është pikërisht ky lajm mortor që nxiti kujtesën time të riprodhonte copëza mbresash nga njohja dhe takimet e mia me Demirajn në vite. Njohja nga larg me këtë figurë të shquar të jetës shkencore ishte përmes librash, veprash e studimesh nga fusha e gjuhësisë, në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar fillimisht si gjimnazist e më vonë si student i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Qysh atëherë kuptova se fjala është për një shkencëtar të madh që jetën ia kushtoi me shumë dashuri Gjuhës shqipe.   Sa më shumë lexoja veprat e tij aq më shumë më shtohej dashuria dhe respekkti për   këtë përfaqësues të shquar të fushës së gjuhësisë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo dashuri dhe ky respekt kulmoi në momentin kur profesorin e nderuar e njoha nga afër. Ishte viti 2002, kur shfrytëzoja Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, për të hulumtuar mbi prijsin popullor të   Kelmendit dhe mbrojtësin e kufijve të Shqipërisë – Prekë Calin. Që në ditën e parë të gjurmimeve të mia në këtë bibliotekë më rastisi të ulem në një bankë me një njeri në moshë të thyer.   Ditën e parë, më kujtohet, unë disa herë dola në hollin e bibliotekës për pushim, kurse “komshiu” im i bankës, që në vesh mbante një aparat dëgjimi, vazhdonte të punonte orë të tëra deri në mbyllje të orarit të punës së bibliotekës. Shquhej me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qasje të thellë shkencore për admirim. Ky ritëm, intensitet dhe seriozitet i punës së tij më habiste pa masë. Çuditesha ku qëndron energjia e këtij “ plaku ” të ndritur të cilin nuk e kisha parë ndonjëherë më parë, por që dëshiroja ta njoh. Kjo mundësi m’u ofrua pas disa ditësh kur mora guximin apo , siç themi ne malësorët, e bana zemrën gurë dhe iu drejtova me këto fjalë:

– Mirëdita! Unë jam Gjekë Gjonaj, nga Malësia, andej kufirit të Shqipërisë. Kam dëshirë të ju njoh meqë tash disa ditë rresht lexojmë e punojmë njëri-pranë tjetrit”, i thashë paksa me ngurrim.

– Flisni më me zë. Nuk ju dëgjoj mirë”, m’u përgjigj. Ia përsërita pyetjen dhe ai   me buzëqeshje e dashamirësi më tha : “Unë jam Shaban Demiraj”. Për pak sekonda nuk ia ktheva përgjigjen që e priste, pasi në mendjen time ende nuk e kisha të qartë se ndodhem para albanologut të shquar shqiptar, të cilin prej kohësh ëndërroja ta shihja nga afër. Sikur t’më ishte prezentuar si profesor apo akademik Shaban Demiraj nuk e kisha patur këtë siklet të momentit. Megjithatë shpejt e kuptova se gjërat dhe ngjarjet më të bukura njeriut shpesh i vijnë rastësisht dhe spontanisht. E kuptova se   njerëzit e mëdhenj në jetën e përditshme janë tepër të thjeshtë. Kështu më ndodhi edhe mua në takimin e parë të drejtëprdrejtë në katër sy me akademik Demiraj.

Nga cila krahinë e Malësisë jeni me origjinë? , – më pyeti.

Nga Trieshi – u përgjigja.

Kjo trevë shqiptare sidomos shquhet për   figura të shquara kombëtare, siç janë vëllezërit Ivanaj, më tha.

Po, iu përgjigja i kënaqur me njohuritë që profesori kishte për vendlindjen time, i cili veçmas   u ndal në disa kategori e veçori të të folmes karakteristike të Trieshit, të cilat me sa kuptova ishin objekt i kahershëm i interesimit të tij shkencor. Unë dëshiroja të flisja gjatë me profesorin, por ai ishte tepër i përkushtuar ndaj punës. Gjatë ditëve të përbashkëta në bibliotekë   komunikonim shkurt. Ditën e largimit tim nga Biblioteka Kombëtare e Tiranës profesor Demiraj   më tha se tani e tutje mund të komunikojmë nëpërmjet postës elektronike të Akademisë së Shkencave të Tiranës. E falënderova, duke i thënë sinqerisht se ishte vërtet një privilegj dhe nder i madh për mua që e njoha.

 

Vizita në shtëpinë e tij në Tiranë

 

Kishin kaluar tri vjet që nuk e kisha takuar fizikisht profesor Demirajn, tashmë mikun tim. Kisha dëshirë ta takoj dhe t’i dhuroj librin “ Prekë Cali –piramidë e kufijve të Shqipërisë, për të cilin profesori gjatë shkrimit të kësaj vepre më fliste fjalë miradie. Përveç kësaj profesor Demiraj, në pamundësi shëndetësore që të vinte në promovimin e këtij libri në Ulqin,  më 9 prill 2005 më dërgoi një telegram urimi , në të cilin më përgëzoi për këtë arritje timen të cilën profesori e vlerësoi mjaft.

Këto dhe shumë kujtime të tjera të bukura me profesor Demirajn , “ Mësues i Popullit” dhe “ Mjeshtër i madh i punës” më detyruan që një ditë ta vizitoj atë në shtëpinë e tij në Tiranë. Nga miqtë e tij isha njoftuar se ai kishte përjetuar një aksident   në komunikacion, për fat pa pasoja të mëdha për shëndetin e tij. I brengosur dhe i shqetësuar për këtë lajm mëngjesin e 24 majit 2005 nga Ulqini mbërrita   me autobus në Shkodër. Prej aty me furgon shkova në Tiranë. Mora një taksi dhe menjëherë më çoi para shtëpisë së tij, në Tiranë U ngjita shkallëve përpjetë. Trokita në derë. Doli bashkëshortja e tij. I tregova se jam një mik i profesorit.

-Vij nga Ulqini për t’a vizituar – i thashë.

Mirë se vini! Urdhëroni brenda! – shtoi ajo me një zë të ëmbël e bujar.

Në anën e majtë të derës vërej profesorin e ulur pranë tavolinës, të mbushur përplotë me libra dhe me një makinë të vjetër shkrimi. Pranë karriges një shkop. Në njërën anë të murit një vitrinë me libra , kurse në anën tjetër të murit një divan dhe dy piktura . Një ambijent mjaft modest për një njeri me merita kaq të mëdha sikur Demiraj, mendova me vete.

Profesori i gëzuar për vizitën që i bëra.U çua me vështirësi nga karrigia me ndihmën e shkopit. U përshëndet me mua dhe u ulëm së bashku në divan. Më pritën jashtëzakonisht mirë, ashtu siç dinë vlonjatët të presin mysafirin e dashur. Biseduam rreth një ore. Bëmë disa fotografi për kujtim. Unë i dhurova atij librin tim “ Prekë Cali, piramidë e kufijve të shqipërisë”, kurse ai më dhuroi mua librin “ Gramatika historike e gjuhës shqipe”.

 

Më nderoi me thjeshtësinë e njeriut të madh

 

E njoftova , siç thashë, duke punuar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranës dhe pas ca vitesh pësëri e takova duke punuar në shtëpinë e tij në Tiranë, edhe pse këmbën e kishte lënduar jo pak. Shembull tipik i një shkencëtari të mirëfilltë, i cili tërë jetën ia kushtoi me dashuri gjuhës shqipe. Në ndarje profesori me shkop në dorë dhe bashkëshortja e tij , një zonjë e nderuar më përcollën me një dashuri sikur prindërore   deri në oborrin e shtëpisë së tyre.

Çfarë kuptova në ndarje nga z. Demiraj ?

Sa më i madh të jetë personaliteti që takon, aq më i thjeshtë është si njeri. Ishte kënaqësi dhe nder për mua takimi dhe biseda me të, i cili më nderoi me mikëpritjen e dhe thjeshtësinë e tij.

 

Përgjithmonë i freskët në kujtimet e mia

 

Atë ditë e sot nuk u pamë më me këtë personalitet të dalluar, të arsimit, të shkollës, të kulturës dhe sidomos të gjuhësisë shqiptare. Këtë figurë të njohur për shkencën gjuihësore në Ballkan dhe në Europë, i cili   për kontributin e madh, ka mbajtur titujt “ mësues i popullit dhe mjeshtër i madh i punës”, do ta kujtojë përherë bota akademike shqiptare dhe jo vetëm. Ky kolos, ndër më të mëdhenjtë në mesin e albanologëve shqiptarë, sikur A. Xhuvani.K. Kristoforidhi , K.Cipo. E Çabej, S. Riza, A.Kostallari, S. Floqi, M. Hoti e të tjerë, mbetet një shembull i rrallë i dijes shqiptare, një dijetar dhe studjues i thellë i dijeve të albanologjisë, i papërsëritshëm në jetën shkencore, një profesor me dinjitet të rrallë, njeri i dijshëm e i urtë , fjalëpak e punëshumë. Një burrë i pavdekshëm i kombit shqiptar . Kujtesa për këtë njeri dhe shkencëtar të mrrekullueshëm do të mbetet gjithmonë e freskët në mendjen time, kurse vepra e tij e madhe, një model i shkëlqyeshëm jo vetëm për studiuesit e sotëm,por edhe për ata që do të vijnë.   Qeverisë   dhe Republikës së   Shqipërisë i mbetet të mendojnë me përgjegjësi të madhe për t’ju siguruar një jetë më dinjitoze të gjithë njerëzve të kalibrit siç ishte profesor Shaban Demiraj. Këtë shteti ua ka borxh të gjithë atyre personaliteteve të ndritura, të cilët lënë pas vepra të mëdha, pasuri shkencore, vlera të mëdha kombëtare dhe pasuri monumentale për breza. I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për bardin, doajenin dhe klasikun e albanistikës.