Draga: Arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi me probleme të vazhdueshme

September 30, 2014   | Kulturë / Kultura

NAIL-DRAGA-ULQINDr.Nail Draga

Trajtimi i çështjeve nga fusha e arsimit në mjediset multinacionale paraqet çështje me interes të veçantë dhe si e tillë meriton një qasje shumëdimensionale. Vet fakti se Mali i Zi është mjedisi me multinacional në Evropën Juglindore është motiv dhe nxitje e mjaftueshme për studiues të profileve të ndryshme për të dhënë kontributin e tyre profesional në ketë aspekt. Dhe një mundësi e tillë ekziston tash në pluralizëm sepse nuk ekzistojnë me tema tabu, paragjykimet dhe pasojat sikurse në monizëm.

Ndonëse në pluralizëm në fushën e arsimit janë bërë ndryshime megjithate shqiptarët ballafaqohen me probleme të shumta, e kjo ka të bëj sidomos me programet mësimore në veçanti me lëndet e identitetit kombëtar, që duhet të jetë çështje parësore në këtë takim për të gjith ne.

Në këtë aspekt me së paku janë të nevojshme deklaratat formale të zyrtarëve të ndryshëm, por duhet të respektohen ligjet dhe aktet demokratike ndërkombetare, për mjediset e ndryshme multinacionale. Për veprime konkrete nevoitet vullneti politik i pushtetit, sepse edhe arsimi është politizuar tej mase. Andaj për ndryshime konkrete e cilësore duhet inkuadruar edhe kuadrat shqiptare që janë të dëshmuar në profilet e tyre profesionale.

 

1.Shkollat dhe infrastruktura shkollore

 

Në viset shqiptare në Mal të Zi, shqiptarët e zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe në 12 shkolla fillore(4 në Ulqin, 1 Krajë-Tivar, 4 Malësi, 2 Plavë dhe 1 Rozhajë) dhe 4 të mesme(1 në Ulqin, 1 Tuz dhe 1 Plavë të cilat janë publike dhe 1 jopublike në Ulqin).Shkollat ku mësojnë nxënësit shqiptarë me përjashtime janë objekte të të vjetra, të ndërtuar para 40 vjetëve dhe nuk sigurojnë hapësirë të mjaftueshme për nxënësit. Këtyre shkollave po ashtu duhet shtuar edhe numrin e shkollave të ndara(nga kl.I-IV) të cilat janë pothuaj të amortizuara dhe si të tilla edhe të papërdorshme. Si rast konkret ne këtë aspekt mund të na shërbejnë shkollat në komunën e Ulqinit.

Ne këtë komunë të gjitha shkolllat janë të ndërtuara para 40 vjetëve dhe ate me ndihmën solidare të vendeve të ndryshme. Ne ketë komunë mungojnë investimet kapitale në objektët shkollore nga ana e buxhetit të Qeverisë së Malit të Zi.Madje edhe nëse ka investime ato janë minimale në formë kozmetike dhe nuk i plotëson nevojat ekzistuese. Kështu p.sh. objekti i shkollës amë në Katërkollë të Anës së Malit që është lëshuar në funksion në vitin 1972, është amortizuar shumë dhe duhen intervenime urgjente, duke filluar me riparimin e kabinetëve, nyjës sanitare, oborrit rrethues, poligonit sportiv, inventarit shkollor etj. Ndërsa objektët shkollore në paralelet e ndara sikurse janë në Sukubinë, Shtodër, Kllezën dhe Fraskanjel janë të tipit të montazhës dhe si të tilla janë të papërdorshme dhe të rrezikshme për funksionin arsimor.

Nga të dhënat që disponojmë në shkollat në viset shqiptare që janë në kuadër të pesë komunave në Mal të Zi(Ulqin, Tivar, Tuz, Plavë dhe Rozhajë) vazhdimisht ka munguar vullneti i pushtetit për të investuar, e më ketë për të ndryshuar infrastruktura shkollore. Në ketë aspekt edhe pse kërkesat kanë qenë të vazhdueshme, qoftë nga drejtorët e shkollave, subjekte të ndryshme politike e jo politike, çdo gjë ka mbetur vetëm në formën e kërkesave të përseritura nga njëra anë dhe të premtimeve të vazhdueshme nga ana tjetër.

 

2.Plan-programet mësimore

 

Ndër çështjet me delikate të arsimit të shqiptarëve në shkollat me mësim në gjuhën shqipe paraqesin plan-programet mësimore. E dhëna se në Ministrinë e Arsimit të Malit të Zi nuk është i punësuar asnjë shqiptar jep për të kuptuar programet e tilla arsimore. Nuk është e mjaftueshme të arsimohesh dhe edukohesh në gjuhën shqipe, por çfarë programësh mësimore janë në përdorim. Ose edhe më saktë sa ato programe mësimore janë në favor të identitetit kombëtarë. Pikërisht, këtu qendron çështja e esenciale e problemit përkatës. Nga programët mësimore sidomos duke filluar nga viti 1981, pas ngjarjëve të Kosovës, nxënësëve shqiptarë iu është imponuar vazhdimisht të mësojnë për të tjerët dhe jo për vehtën. Këtu kryesisht mendoj për lëndet e identitetit kombëtar si historia, gjuha shqipe dhe letërsia, kultura muzikore dhe kultura figurative.

Në këtë aspekt vitëve të fundit janë bërë ndryshime pozitive vetëm sa i përket lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë, ndërsa për lëndet tjera gjëndje është identike si më parë. Kështu po qëse analizohet programi i lëndës së historisë del së nxënësi shqiptarë mëson çdo gjë për të tjerët dhe pothuaj asgjë për historinë kombëtare. Dhe s ka se si të jetë ndryshe kur këto programe mësimore i kanë hartuar malazezët për vehte e jo për shqiptarët. Identike është edhe me programin e kulturës muzikore ku dominojnë këngët sllave e ato shqiptare janë në minimum. Por, në këtë aspekt ka një risi e cila ka filluar tash disa vite në sajë të mësimit të reformuar, ku mësimdhënësit janë të lirë të përgatisin 15-20% të njësive mësimore të lëndëve përkatëse. Andaj, këtë mundësi duhet shfrytëzuar në maksimum, për të eliminuar defektët e programëve të tilla mësimore, në lëndët e identitetit kombëtarë. Por, për një veprim të tillë mësimdhënësit përkatës duhet të jenë të motivuar për angazhime konkrete. Në këtë aspekt mungon koordinimi në nivel të shkollave më mësim në gjuhën shqipe, procedur kjo e cila do të ishte në favor të avansimit të çështjeve përkatëse.

 

3.Tekstet shkollore

 

Dihet se në sajë të plan-programëve arsimore hartohën edhe tekstet shkollore të cilat luajnë rol të veçantë në edukimin dhe arsimin e nxënësve.

Opinioni i gjerë e ka të njohur së nxënësit shqiptarë më mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, nga viti 1981, pas ngjarjëve në Kosovë iu ndaluan përdorimi i tekstëve shkollore të botura në Prishtinë me motivacion së gjoja janë të papërshtatshme ne aspektin ideologjik. Ishte ky një veprim përfid i pushtetit për të ndaluar përdorimin e botimëve të literaturës shkollore të botuar në Prishtinë, sepse ato ishin tekste me frymë kombëtare, që ishte në kundërshtim me synimet politike të pushtetit të kohës në Mal të Zi. Këtu filluan të përdorën tekste të përkthyera nga gjuha serbe në gjuhën shqipe që u botuan në Podgoricë dhe Beograd. Tekstet e tilla me një përkthim të dobët në gjuhën shqipe ishte nën çdo nivel dhe të papërshtashme për procesin mësimor.

Pas rënies së sistemit monist nga viti 1990 e më pas gradualisht gjendja ka filluar të ndryshoj, por jo sipas kërkesave të shqiptarëve. Edhe tash pothuaj të gjitha tekstet shkollore janë të përkthyera në gjuhën shqipe, pra janë jo origjinale me përjashtim të teksteve nga lënda e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, dhe si të tilla nuk plotësojnë nevojat e shqiptarëve.

Vitëve të fundit janë lejuar për përdorim një numër i konsideruar i teksteve të botura në Prishtinë e ate kryesisht për shkollat e mesme, që paraqet zgjidhje të përkohshme për disa lëndë mësimore.

 

4.Shkollimi i kuadrit arsimor

 

Kuadri arsimor që punon në shkollat më mësim në gjuhën shqipe shkollim superior e ka kryer në të kalurën por edhe tash kryesisht në Kosovë dhe nga viti 1992 edhe në Shqipëri etj.

Nga viti 2004 në Podgoricë në kuadër të Univeristetit të Malit të Zi ka filluar të punojë grupi studimor për mësuesi në gjuhën shqipe. Kjo çështje te partitë politike shqiptare ka qenë mjaft e politizuar, sepse subjektët e ndryshme politike shqiptare kanë propozuar që ky fakultet( në realitet nuk është fakultet por grup studimor) të hapet në ndonjë mjedis shqiptar si në Ulqin apo Tuz. Nga vera e vitit 2008, kanë diplomuar kuadrat e para të profilit të mësuesisë(profesor të mësimit klasor). Kuadrat e diplomuara në Shqipëri fillimisht kanë pasur probleme në lidhje me nostrifikimin e diplomave, por nga viti 2004 kjo çështje është zgjidhur sepse provimet ndryshuese janë dhënë në Podgoricë, më ç’rast diploma e tillë është barazuar me ate të Universitetit të Malit të Zi.

Duhet thënë se shqiptarët nga Mali i Zi si më parë edhe tash janë duke investuar në shkollimin superior, më gjithë vështirësitë ekzituese financiare. Ne ketë aspekt studentët shqiptarë të cilët studiojnë jashtë Malit të Zi nuk marrin bursa apo kredi nga Qeveria e Malit të Zi.

 

  1. Kuadri drejtues i shkollave

 

Ndër çështjet e diskutueshme në vazhdimësi edhe tash në pluralizëm bën pjesë edhe kuadri drejtues i shkollave.Në këtë aspekt gjendja është për ta dëshiruar, sepse në ca aspekte jo qe i ngjason por madje ia tejkalon kohës së monizmit. Në vend që të kemi decentralizim të sistemit arsimor është e kundërta kemi një centralizim nga pushteti qendror qe ia kalon edhe monizmit.

Në veprim i tillë që tashmë është bërë proces nuk është në favor të demokracisë dhe të pluralizmit sepse çdo gjë vendoset sipas diktatit ë Ministrisë së arsimit, duke mos përfillur asnjë kërkesë qoftë nga subjektet arsimore, komuna e së fundi as nga KKSH. Nga një gjendje e tillë, ne në drejtimin e shkollave kemi Këshillat drejtuese partiake përkatësisht të pushtetit, e me ketë edhe drejtorat partiak pa marrë parasysh referncat e tyre profesionale e personale në mjedisn përkatës. Nëse analizohen emër për emër antarët e këshillave drejtuese të shkollave por edhe vet drejtorat del qartë, se kemi partizimin e arsimit ma tepër se në monizëm.

Edhe pse nga viti 2008 me fillimin e funksionimit të Këshillave nacionale të popujve pakicë në Mal të Zi, është obligim ligjor i ministrit të arsimit që të marrë mendimin nga këshilli përkatës, me rastin e zgjedhjes së drejtorave, kemi të bëjmë me një formalitet, sepse ministri nuk e ka përfillur mendimin Këshillit përkatës por ka vendosur sipas shijes së ti, përkatësisht nga diktati i partisë së tij.

Dhe nga një gjendje e tillë KKSH duhet të prononcohet publikisht që për shkollat më mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, ose të përfillet mendimi i Këshillit, ose mos të konultohet fare për ketë çështje, sepse askush nuk dëshiron të luaj me dinjitetin e asnjë personi.

Pasi në KKSH funksionon komisioni për arsim nga indvidë kompetent, që dijnë të vleresojnë kandidatët të cilët konkurojnë dhe i plotësojnë kushtet për drejtor, mendimi i KKSH do të ishte një plus për ministrin e arsimit. Madje ai do të hiqte nga vetja përgjegjësinë duke vendosur ashtu siç ka rekomanduar KKSH, sepse një veprim i tillë është normë demokratike për botën e qytetëruar.

 

5.Rekomandime përfundimtare

 

  1. Si objektivë për të ardhmën duhet të jetë kërkesa nga KKSH për themelimin e   Bordit të veçantë për arsimin në gjuhën shqipe në Mal të Zi, si subjekt i veçantë në kuadër të Ministrisë së Arsimit.Në mënyrë analoge ekzsiston bordi i tillë për popullsinë gjermane në Belgjikë.
  2. Në përpilimin e planprogramëve mësimore për shkollat më mësim në gjuhën shqipe duhet të marrin pjesë kuadrat shqiptare, duke trajtuar në mënyrë të veçantë lëndet e identitetit kombëtarë. Sepse si të tillë kemi planprograme dhe tekste shkollore te imponuara.
  3. Në shtëpinë botuese të teksteve shkollore në Podgoricë duhet të punësohen shqiptarë të cilët kanë njohuri përkatëse. Tekstet e përkthyera duhet te kenë redaktor shqiptarë e jo shqipfolës, që duhet të punojë në përshtatshmërinë e teksteve për nxënësit shqiptarë.
  4. Përkthimi i teksteve të ndryshme shkollore kryesisht nga gjuha serbe apo malazeze ka dobësi të mëdha, nga del së përkthyesit nuk e njohin lëndën përkatëse, andaj krijohen edhe vështirësi të mëdha në përdorimin e tyre teksteve shkollore nga nxënësit.
  5. Ilustrimi dhe dizajni i teksteve paraqet fushë të veçantë, sepse edhe në këtë formë perceptohet identiteti kombëtar, ndërsa nxënësi shqiptarë, në shumë raste është në lajthitje sepse ilustrimet nuk janë të qelluara dhe nuk përkojnë me realitetin dhe përkatësinë kombëtare të nxënësit.
  6. Nuk ka nevojë që çdo tekst që përdorin nxënësit shqiptarë të përkthehet në shqip, pasi të tillat ekzistojnë të gatshme si në Prishtinë e Tiranë. Mendojmë që numër i konsideruar tekstesh shkollore të shfrytëzohen ato të cilat janë botuar në Prishtinë, sepse edhe programet mësimore janë pothuaj identike. Duke vepruar në ketë mënyrë nuk humbet kohë as energji dhe teksti është më cilësor, sepse përkthimi është kopje e origjinalit dhe vuajnë nga dobësi të njohura.

Ne lidhje më ketë çështje duhet të ekzistoj vullneti politik i institucionëve përkatëse dhe çdo gjë mund të realizohet në praktikë pa probleme. Në këtë aspekt shkon në favor realizimi i reformës në arsim për tërë regjionin (shkollimi fillor 9 vjeçar).

  1. Nevoiten investime në shkollat më mësim në gjuhën shqipe, e ate jo vetëm duke bërë restaurime kozmetike, por duke ndërtuar objekte tërësisht të reja. Këto investime duhet të bëheën nga buxheti i shtetit, pra nga Qeveria e Malit të Zi, sepse si qytetar paguajmë taksat dhe tatimet. Sepse, kur ka mjete për investime në mjedise të tjera mos investimi në mjediset shqiptare, siç është rasti me Komunën e Ulqinit nuk arsyetohet më asgjë.
  2. Për të gjitha këto çështje të cilat janë jetike për identitetin e shqiptarëve në këtë mjedis mendoj se duhet të ekzistojë dialogu në mes subjektëve të ndryshme të shqiptarëve dhe Qeverisë së Malit të Zi, sepse shqiptarët nuk kanë kërkesa maksimaliste por optimale në favor të identitetit të tyre kombëtar. Në këtë aspekt mendoj se KKSH duhet ta luaj rolin që i takon.
  3. KKSH duhet të nisë proceduren së bashku me Këshillat kombëtare të popujve të tjerë në Mal të Zi për ndryshimin e Ligjit për arsim të përgjithshëm, në lidhje me çështjen e zgjidhjes së drejtorave sikurse ishte në vitin 2003-2007, kur zgjidhja ishte demokratike nga strukturat shkollore(Këshilli i arsimtarëve, Këshilli i prindërve, Këshilli i shkollës) ndërsa ministri e miratonte vendimin e tillë, e jo si tash kur ministri vendos dhe nuk merr parasysh as mendimin e KKSH, duke zgjedhur kuadra me mbeshtetje ekskluzive partiake e jo profesionale.

10.KKSH duhet te marrë iniciativë qe nga viti i ardhshëm shkollor në shkollat me mësim në gjuhën shqipe në mal të Zi të përdoret Abetarja mbarëkombetare, sepse shqiptarët kudo qe janë kanë një gjuhë, histori dhe trashëgimi kulturore të përbashkët. Ndërsa po ashtu të inicojë që nga viti i ardhshëm shkollor të hiqet nga përdorimi teksti Kultura muzikore(kl.I-IX), sepse si i tillë është i papranueshëm dhe i dëmshëm për procesin mësimor të nxënësit më mësim në gjuhën shqipe.

  1. Mësimdhënësi në shkollat më mësim në gjuhën shqipe nuk duhet te jetë statik, por kreativ dhe të bëjë çmos ta realizojë 20% e garantuar në forma dhe metoda të ndryshme, duke ofruar njohuri çka nuk e ofron programi mësimor lëndor për lëndet e identitetit kombëtar. Sepse kështu në sajë të tyre programeve na është imponuar që më tepër mësojmë për të tjerët se sa për vehten.
  2. KKSH duhet ta marrë iniciativën për përkthimin në gjuhën malazeze dhe angleze librit e Flamur Anamalit “Kultura shqiptare në tekstet mësimore të shkollës fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi”, botuar nga Art Clubi në vitin 2012, sepse është dëshmi autenike analitike e kësaj çështjeje shumë të rëndësishme për identitetin e shqiptarëve në Mal të Zi.
  3. Duhet të nënshkruhet një Memorandum bashkëpunimi ne mes Ministrisë së arësimit të Malit të Zi dhe atyre në Shqipëri e Kosovë. Një veprim i tillë konkret nuk ka dilemë se do të ndikonte në avancimin e mësimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, që do të ishte në favor të ruajtjës së identitetit kombëtar të shqiptarëve, në këtë mjedis.

14.Andaj është koha e fundit që edhe në Mal të Zi të filloj të funksionojë shteti ligjor duke zbatuar në praktikë legjislacionin shtetëror por edhe standardët ndërkombëtare, kur janë në pyetje popujt pakicë apo pakicat nacionale jo vetëm në fushën e arsimit por edhe në çështjet tjera që kanë të bëjnë me identitetin, liritë dhe të drejtat nacionale.

 

 

Kumtesa është paraqitur në

Seminarin e organizuar nga KKSH në Ulqin më 14.6.2014