SABRI SALAJ: Mobilizimi i vullnetarëve shqiptarë – ÇËSHTJA E ULQINIT (6)

October 12, 2014   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

SABRI SALAJNë të vërtete më 1 tetor Porta dha pëlqimin e saj përfundimtar për dorëzimin e Ulqinit, Malit të Zi dhe madje u zotua të vepronte kundër forcave të Lidhjes Shqiptare që kishin zënë pozicion përreth qytetit për t’u prerë rrugën forcave malazeze. Nga kjo doli një veprim i koordinuar i fuqive evropiane dhe i Portës së Lartë kundër Lidhjes Shqiptare.

Më 3 tetor 1880 Porta u dorëzoi një notë përfaqësuesve të fuqive nënshkruese të Traktatit të Berlinit në të cilën shtroheshin një varg çështjesh të mbetura pezull nga Traktati e ndër këto ajo e kufirit me Malin e Zi zinte vendin e parë. Lëshimi i Ulqinit tanimë nuk vihej në dyshim, porse Ministria e Jashtme e Stambollit guxonte të vinte disa kushte të cilat morën si një sfidë nga fuqitë.

Për të vënë në jetë vendimin e fuqive të mëdha, Porta e Lartë dërgoi në Shkodër gjeneral Dervish Pashën në krye të forcave të konsiderueshme ushtarake për të shtypur rezistencën shqiptare dhe për t’ia dorëzuar Ulqinin Malit të Zi. Sapo arriti në Shkodër, gjenerali turk shpalli shtetrrethimin dhe filloi nga arrestimet e patriotëve. Por masat popullore nuk u tronditën nga territori osman. Shqiptarët e humbën Ulqinin, por rezistenca e tyre la përshtypje të thellë në mbarë botën.

Pas shumë bisedimeve në mes përfaqësuesve të Malit të Zi dhe Portës së Lartë u shfaqen mospajtime nga shkaku se pala turke donte ta lëshonte Ulqinin, kurse pala malazeze kërkonte “jo” lëshimin “po” dorëzimin, nga frika se forcat malazeze do t’i prisnin me armë shqiptarët siç ndodhi në rastet tjera.

Me 23 nëntor 1880 natën vonë Dervish Pasha me ushtri turke hyri në Ulqin. Të njëjtën ditë ai dërgoi korrierin e tij të kryekomandanti i forcave malazeze, Bozho Petroviq, që ta dërgonte sa më parë përfaqësuesin e vet i cili duhej të takohej më 24 nëntor 1880 me Bedri Beun për të hartuar aktin e dorëzimit të Ulqint.

Më 25 nëntor 1880 në Kunia përfaqësuesit e Turqisë dhe të Malit të Zi nënshkruan aktin e lëshimit të Ulqinit në duar malazeze.

Perandoria Osmane pas zgjidhjes së çështjes së kufirit më Malin e Zi kërkonte të vendosej rendi e paqja, kurse më dorëzimin e Ulqinit, Lidhja Shqiptare më aksionet e veta kërkonte pavarësinë, Porta përdori të gjitha mjetet për ta shuar këtë lëvizje, ku masat më të rrepta për ta shuar lëvizjen shqiptare dhe për ta shpërndarë u ndërmorën nga Dervish Pasha.

 

 

Diplomacia e Lidhjes Shqiptare për Ulqinin

Në kuadrin e Krizës Lindore, çështja shqiptare u bë aktuale jo vetëm për Portën e Lartë, por edhe për diplomacinë evropiane dhe ballkanike. Çështja shqiptare kishte dalë nga suazat lokale dhe ishte shtruar para institucioneve ndërkombëtare, sidomos në Konferencën e Stambollit dhe Berlinit në vitin 1880. Ajo kanosej ta prishë status quon e vendosur më Traktatin e Berlinit. Mu për këtë Fuqitë e Mëdha kërkuan nga qeveria osmane, që me forca ushtarake ta shtypë Lidhjen Shqiptare, duke i dhënë në këtë mënyrë Portës përkrahje morale dhe materiale.

Rezoluta e Konferencës së Berlinit për të shpërblyer Greqinë me viset shqiptare të Epirit, vendimi i konferencës së Stambollit për t’i dhenë Malit të Zi trevën e Ulqinit dhe prirja e Komisionit Evropian të Reformave për t’ia mohuar Shqipërisë të drejtat autonomiste e tronditën opinionin publik si në Veri ashtu edhe në Jug të vendit.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u detyrua të përballonte situatën dramatike që krijonte për trojet shqiptare Kongresi i Berlinit me vendimet e tij. Përveç masave mbrojtëse që Lidhja Shqiptare ndërmori për Ulqinin, veprimtaria diplomatike e tyre nëpërmjet protestave dhe memorandumeve ishte prezentë në çdo kancelari diplomatike të fuqive të mëdha.

Politikanët shqiptarë e përcillnin më interesim të madh veprimtarinë diplomatike të fuqive të mëdha. Mobilizimi i vullnetarëve shqiptarë në mbrojtje të trojeve të tyre etnike vinte si rezultat i diskutimeve dhe shpalljeve që Lidhja Shqiptare raportonte popullit shqiptare në lidhje më politikat ndërkombëtare si dhe me mënyrën e trajtimit të çështjes shqiptare nga Fuqitë e Mëdha. Këtë mund ta vërejmë edhe prej kësaj shpallje të Lidhjes drejtuar popullit shqiptar, të cilën e hasim në gazetën “el-Ahram” nr. 212, 26 gusht 1880, ku thuhej: “Shqiptarë! Evropa bëri që Bullgaria të bëhet principatë. Bosnjën dhe Hercegovinën ia dorëzoi Austrisë, e zgjeroi sipërfaqen e Malit të Zi, Rumelisë i dha autonominë, kurse ne nuk kemi fituar asnjë prej këtyre. Në shqiptarët, bijtë e kësaj toke e jo të ardhur në të, kemi gëzuar pavarësinë para sa shekujsh, duhet të kërkojmë të kemi shtetin tonë të pavarur”. Në fundin e vitit 1880 Lidhja Shqiptare hynë në fazën e fundit të ngjarjeve duke u ballafaquar me shtetet e Evropës me një anë dhe me Portën e Lartë në anën tjetër, të cilët kërkonin dorëzimin e Ulqinit më krahinë

Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare në mbrojtje të çështjes së Ulqinit u bë prezent nëpër të gjitha kancelaritë më të mëdha diplomatike. Protestat, memorandumet, ishin të shumta në drejtim të Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë. Diplomacia evropiane e përcillte qëndrimin e Portës së Lartë dhe aktivitetin e saj ndaj Lidhjes Shqiptare, po ashtu me një kujdes të veçantë përcillte aktivitetin e Lidhjes në mbrojtje të Ulqinit. Shtypi ndërkombëtar i kishte jap hapësirë të madhe çështjes shqiptare, në veçanti Ulqinit.

Lidhja Shqiptare e cila ishte në mbrojtje të Ulqinit, jo vetëm në aspektin diplomatik por edhe në mobilizimin që kishte bërë në të gjithë territorin e Shqipërisë, ku vullnetarë nga të gjitha anët e Shqipërisë, ishin nisur në mbrojte të Ulqinit, bëri që çështja e Ulqinit të marrë kahe tjetër që nuk e prisnin Fuqitë e Mëdha.

Të detyruar nga situata në të cilën ndodhej politika ndërkombëtare, Fuqitë e Mëdha morën vendim që të behët demonstrimi detar, në limanin e Ulqinit, si kërcenim dhe presion që Porta e Lartë të bënte dorëzimin sa më të shpejtë të Ulqinit.

Komiteti i Lidhjes Shqiptare pasi mësoi se Fuqitë e Mëdha kishin dërguar anijet në Raguzë për ta bërë demonstratën në ujërat e limanit të tyre u bënë më 15 shtator një protestë fuqive të mëdha në këtë mënyrë: “Me hidhërim mësuem se pas disa ditëve flota e fuqive të mëdha do të vijë në ujnat e Ulqinit tonë, me të vetmin qëllim me na shtërngue më lshue qytetin tonë të shtrenjtë në dorë të malazezëve. Ne banorët e Ulqinit qysh prej shekujsh kemi qenë nën sundimin e mbrojtjen e Perandorisë Osmane. Për në asht e pamundur me u bashkue me Malin e Zi, mbasi zakonet, gjuhën e besimin e kemi krejt të ndryshem nga ato të malazezëve. Për ketë shkak kemi vendosë më i ba ballë çdo sulmi që mund të na kërcenohet nga ana e Malit të Zi, dhe pranojmë më mirë të shohim zhdukjen e qytetit dhe të jetës tonë se satë përulemi Malit të Zi. Shpresojmë të gjithë se ka me u-evitue rreziku i një përpjekje në qoftë se Fuqitë e Mëdha nuk kanë për qëllim rrenimin por fatbardhësin e popujve”.