“Epokat në Pentagram” sjellin veprat e kompozitorëve më të njohur shqiptarë edhe në Ulqin

November 29, 2014   | Lajmet / Vijesti
Epokat në Pentagram edhe ne Ulqin“Epokat në Pentagram” është titulli i koncertit, që do të realizohet sonte në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Ky koncert është përgatitur në kuadrin e festimeve të 70-vjetorit të çlirimit dhe 102 vjetorit të Pavarësisë. Repertori i përzgjedhur, nga njëra anë do të evokojë në kuptimin tematik ngjarjet dhe nga ana tjetër do të prezantojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me nivel të trupave artistike të TOB, të solistëve, korit dhe orkestrës. Pranë TOB bëjnë të ditur se për këtë qëllim janë përzgjedhur për interpretim zhanre të larmishme muzikore, nga aria deri tek poema simfonike, nga koralet e njohura deri tek fantazitë për orkestër apo muzika e filmave, vepra muzikore, që në të njëjtën kohë me vlerat e admirueshme kompozicionale, evokojnë njëkohësisht ngjarje e heronj kombëtar. Programi do të përmbajë pjesë nga kompozitorët më të njohur shqiptarë, si Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Rauf Dhomi, Thoma Gaqi, Avni Mula, Feim Ibrahimi, Thomas Simaku, Limoz Dizdari, Pëllumb Vorpsi. Por për publikun me shumë rëndësi sipas organizatorëve të koncertit janë dhe veprat muzikore që do të interpretohen për herë të parë. Një pjesë e mirë e repertorit është premierë shqiptare siç janë “Tre Këngë Popullore” të përpunuara mjeshtërisht nga kompozitori Thomas Simaku dhe balada e famshme për violinë dhe orkestër John Williams shkëputur nga kolona zanore e filmit të njohur “Lista e Shindlerit”. Sa i takon solistëve që do të jenë sonte në koncert, veprat muzikore do të interpretohen nga Mariana Leka, Eva Golemi, Ylber Gjini dhe violinisti Gëzim Bulcari. Koncerti do të dirigjohet sonte nga Edmond Doko, ndërsa mjeshtër kori është Dritan Lumshi. Por para se ky koncert të vinte në Tiranë, “Epokat në Pentagram” u shfaq në kuadër të festimeve për publikun në Ulqin, ku artistët shqiptarë morën vlerësime nga publiku i pranishëm, që ndoqi këtë koncert që sjell dhe vepra premierë shqiptare dhe të huaja.
Koncerti “Epokat në Pentagram” Programi i koncertit “Epokat në Pentagram” çelet sonte me veprën nga Çesk Zadeja dhe G. Sviridov “BetejaKënga e plakut” fragment nga muzika e filmit ” Skënderbeu”, për të vijuar me veprën e Prenk Jakovës “Kruja, Kruja është e jona” fragment nga opera “Skënderbeu”. Rauf Dhomi vjen me “Goca e Kaçanikut”, Thoma Gaqi- “Borova”, për publikun kompozitori Avni Mula vjen me arien e madhe të Boranës nga opera “Borana”. Kompozitori Feim Ibrahimi vjen me “Korale”, fragment nga muzika e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Thoma Simaku sjell pjesët “Moj e bukura more”, “Qenke veshur me të bardha”, “Trëndeline”, 3këngë popullore të përpunuara për kor vajzash si premierë shqiptare. Krijimtaria e kompozitorit Limoz Dizdari sjell pjesën muzikore “Hyri prilli shkriu bora majave”, romancë vokale nga muzika e filmit “Malet me blerim mbuluar”. Në koncert krijimtaria e John Williams vjen me “Schindler’s List”, baladë nga muzika e filmit me të njëjtin titull, ndërsa vepra nga Pëllumb Vorpsi sjell “Fantazi për orkestër simfonike dhe kor” mbështetur mbi një valle popullore. Koncerti që sonte në mbrëmje vjen për publikun i bashkohet dhe të tjera veprimtarive që ka zhvilluar TOB me rastin e ngjarjeve të tjera historike. Koncerti i cili bën bashkë disa nga zërat më të mirë lirikë shqiptarë premton të përcjellë para publikut emocione me këtë ndërthurje të pjesëve muzikore ngaveprat që janë shkruar nga emrat e kompozitorëve më të mirë shqiptarë dhe të huaj. Shumë prej këtyre pjesëve kishin vite që i mungonin skenës shqiptare dhe është mbrëmja e 29 Nëntorit që i rikthen para publikut.
Julia Vrapi
Sot NEWS
 YouTube Preview Image