Të shkruash një tekst rreth marrëdhënieve mes dy kombeve dhe perspektivën e tyre, në këtë rast mes shqiptarëve dhe serbëve, nuk është e lehtë. Kur kemi parasysh konfliktet shekullore, është edhe më e vështirë të jesh objektiv nëse si autor i përket njërit prej këtyre kombeve. Por tani në shekullin 21 duhet gjetur  mënyra apo qasje pozitive për një perspektivë të përbashkët.

 

Që të mos jem subjektiv, do t’i referohem autorit serb Dimitrije Tucoviq, i cili pikërisht para një shekulli në  veprën e tij “Srbija i Arbanija” (1914) thoshte se “politika e qeverisë serbe ka përfunduar me dështim tek politika për Shqipërinë,” në përpjekjet për të siguruar daljen e Serbisë në Adriatik, dhe shtonte se ajo politikë ka ngjallur ndjenjën e urrejtjes mes kombeve pasi “ka shkaktuar shumë viktima, dhe më shumë viktima na presin në të ardhmen”.  Mund të themi se për këtë ia ka qëlluar, nëse kemi parasysh luftrat e etura për territore në Ballkan deri te këto të fundit në ish-Jugosllavi.

 

A do ketë edhe në të ardhmen viktima në njerëz nga politika? Unë shpresoj që jo, por nëse vazhdon kështu besoj që do të jemi viktimë e politikës edhe për një kohë. Nuk do të hyj në historinë e dy kombeve sepse një temë e tillë është e gjërë dhe pak a shumë e njohur për të dyja palët. Por një gjë është e sigurt që politika jo e drejtë ka luajtur dhe luan rolin kryesor në këtë marrëdhënie. Pikërisht kjo politikë nuk ka bërë përpjekje ta kthejë marrëdhënien në pikën fillestare, të kërkojë falje për atë çfarë ka bërë, të japë përgjegjësi,  dhe të niset nga fillimi. Çdo herë që kemi patur rastin për të krijuar marrëdhenie te reja nuk jemi nisur nga pika fillestare, por nga një minus i madh, dhe shpeshherë rezultat ka qenë dështimi.

 

Këtë mund ta vërejmë në rastin e fundit që ndodhi në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë, dhe një gjë që u dëshmua është se plaga është ende e hapur, dhe gjithçka çfarë është munduar të arrihet viteve të fundit – përmes bisedimeve Kosovë–Serbi apo bashkëpunimit Shqipëri-Serbi – brenda natës kthehet jo në pikën fillestare por, siç thashë, edhe më mbrapa. I gjithë ky politizim bëhet për të zhvendosur vëmendjen nga një problem i madh tek një i vogël.

 

Për të parë se si arrihet te kjo pikë fillestare duhet te marrim mësim nga shtetet pak më të avancuara se ne, siç janë shtetet evropiane. Nga këto shtete kemi parë në të kaluarën konflikte ndoshta edhe më të mëdha sesa tek ne, por një gjë ata e kanë kuptuar, se nga konfliktet nuk fiton askush, e sidomos në kohën që jetojmë sot. Përgjegjësit kanë dhënë llogari, dhe së bashku, pas Luftës së Dytë Botërore kanë nisur nga fillimi. Një gjë të tillë mund ta bëjmë edhe ne si popuj të kontinentit të vjetër, të marrim përgjegjësinë, dhe të fillojmë nga fillimi, për një perspektivë të përbashkët. Të gjithë dëshirojmë të  integrohemi në BE, dhe ne që kemi këso aspiratash duhet ta dijmë një gjë, se në BE parimet kryesore janë bashkëjetesa dhe bashkëpunimi mes kombeve duke pranuar dhe respektuar realitetin faktik.

Burimi: Perspektiva