Skender Elezagiq: Themelimi i firmës për “Parking shërbimi” të shpejtohet
Në fillim të seancës së djeshme të Kuvendit komunal të Ulqinit këshilltarët e opozitës kanë kërkuar që, së bashku me 32 pikat e propozuara, në rend të ditës të futen edhe disa pika tjera, raporton Portali Ul.info.
Kështu shefi i Klubit të këshilltarëve të Partisë socialdemokrate Skender Elezagiq ka thënë se është e nevojshme të formohet ndërmarrja “Parking shërbimi” në mënyrë që mos të vihet në dyshim projekti i realizimit të ujërave të zeza me Gjermanët, me vlerë mbi 20 milion euro. “Ky është një nga kushtet kryesore për inicimin e investimeve më të madha në Ulqin, e për të cilin jep garanci Qeveria”, tha ai duke cekur se do të ishte e paarsyeshme që kjo të shtyhet për shkak të 20 punëtorëve të cilët janë tepricë teknologjike në NP “Ujësjellës dhe kanalizime”.
Këshilltari i Partisë demokratike të socialistëve Borisllav Bashoviq njëkohësisht ka kërkuar që të zgjidhet Komisioni i ri komunal zgjedhor, siç e parashikojnë normat ligjore.