In Memoriam: Ibrahim Luka (1944-2014)

December 22, 2014   | Ngjarjet - Events

kuranilutja.thumbnailDitë më parë pikërisht me 29 nëntor 2014  vdiq në Nju Jork Ibrahim Luka, arsimtar në pension i artit figurativ. Ka lindur   me  6 mars 1944 në Brajshë të Anës së Malit(Ulqin). Shkollën fillore e ka kryer në Katërkollë. Ndonëse kishte dëshirë të regjistronte shkollën e mesme për dentist, duke parë prirjet e tia artistike drejtori i shkollës së asaj kohe Junuz Divani e këshillon të regjistrojë shkollën e mesme artistike në Hercegnovi. Posa e kryen shkollën e mesme të artit, punësohet në Krajë, si mësimdhënës në shkollën tetvjeçare të Ostrosit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” me 1 shtator të vitit 1965. Këtu mban orët nga lënda e artit figurativ dhe të BAT-it. Këtu punon dhjetë vite dhe është dalluar më përkushtimin e tij profesional, por edhe në aktivitete të lira. Më pas regjistron Akademinë Pedagogjike në Nikshiq ku edhe diplomon, duke marrë marrë titullin e arsimtarit të lëndës së artit figurativ. Nga viti 1974, e lëshon Krajën përkatësisht arsimin dhe punësohet në Komunën e Ulqinit në sektorin e mbrojtjës popullore deri sa u  pensionua  në vitin 1990. Nga viti 1993, ka punuar dhe jetuar në Nju Jork(SHBA).

Gjatë karierës së tij ka hapur disa ekspozita personale si në Krajë, Ulqin, Tivar, Budva dhe Nju Jork, të cilat janë vlerësuar nga kritika.

Vepra e tij jetësore artistike është punimi i bustit të ish drejtorit J.Divani dhe vendosja e tij  në oborrin e shkollës së vjetër në Katërkollë, me rastin e shënimit të 50-vjetorit të ardhjës së tij në Anë të Malit me 12 shtator 1997. Ne si staf organizues i kësaj veprimtarie përkujtimore vlerësojmë punën e I.Lukës, po ashtu edhe me organizimin e hapjën e ekspozitës fotografike të veprimtarive në këtë shkollë deri sa ishte drejtor i nderuari J.Divani, në hapësirat e shkollës së re.

Ai me  pasion jepte shpjegime të hollësishme për fotografitë e ekspozuara, ku me nostalgji kujtonte momente nga e kaluara në ketë vatër mësimore, për nxënësit, mësimdhënësit e sidomos drejtorin J.Divani.

Gjatë asaj kohe(1997) dhe më pas  i entuziazmuar për ketë vepër artistike e cila është pritur më shumë entuziazëm nga popullsia e Anës së  Malit, Ibrahimi mori një iniciativë personale për të punuar bustin e një personaliteti tjetër të rëndësishëm nga Ulqini. Fjala është për  hafiz Ali Ulqinakun, përkthyesin e Mevludit në gjuhën shqipe, përndryshe personaliteti më i rëndësishëm i Rilindjës Kombëtare Shqiptare në Ulqin. Unë pata rastin ta shohë bucetin e punuar i cili priste të mbeshtetej financiarisht për ta realizuar në praktikë. Me sa jam i informuar buceta e këtij busti ekziston edhe sot në banesën e tij në Ulqin.

Ai vazhdimisht fliste me pietet të veçantë për vendlindjën e tij dhe ishte i interesuar për çështjen e realizimit të Muzeut etno-kulturor në objektin e shkollës së vjetër në Katërkollë, që ishte inicuar nga SHAI”Art Club-i”.

Vepra e tij jetësore do të mbesë busti i J.Divanit i cili është simboli i mbrojtjës së këtij objekti shkollor për tërë Anën e Malit dhe më gjerë.

Shkruar nga:
Dr. Nail   Draga
Qazim Muja