Lirohen të akuzuarit për krime lufte në Husaj të Rozhajës

January 2, 2015   | Rajoni / Region

Rasti-Hysaj-RozhajeNga Ismet Azizi

Gjykata malazeze liroi ish-ushtarët e ushtrisë Jugosllave të akuzuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë të kryera në Husaj të Rozhajës në pranverën e vitit 1999.

Verdikti i sjellë nga Gjykata e Lartë e Bjelo Poles , u cilësua si legalizim i krimit dhe i politikës gjenocide, por edhe si një krim kundër njerëzimit ku akterët kryesor mbesin të pandëshkuar dhe në liri.

8 ish ushtarët e ushtrisë jugosllave, u liruan për vrasjen e 15 refugjatëve shqiptarë nga Kosova në prill të viti 1999 në fshatin Husaj në afërsi të Rozhajës në Sanxhak. Gjykimi u dha nga Dhoma e Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje, të cilën e kryesoi gjyqtari Vukomir Boshkoviq.

Gjatë procesit gati pesë vjeçar, të dyshuarit akuzoheshin për vrasjen e 23 njerëzve, por ky numër është zvogëluar në 15, sepse është gjetur se tek të tetë të vrarit vdekja kishte ndodhur më herët.

Përfaqësuesi ligjor i familjeve të viktimave Velia Muriq në një deklaratë për RSE thotë se nuk është i befasuar nga lirimin e ish-ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave të akuzuar për krime lufte kundër civilëve shqiptarë në 1999.

Ky vendim tregon se në Mal të Zi, se viktimat e krimeve të luftës janë të padiskutueshme, por edhe për vrasjen e tyre askush nuk është përgjegjës.

“22 prej tyre janë vranë, askush nuk i ka sjellë në Mal të Zi por janë viktima të cilat janë kryer nga ish-ushtria e Jugosllavisë kundër popullatës civile. Sa i përket procedurave penale që nga fillimi ka shkuar mbrapsht, sepse vetëm pas 5 viteve nga fillimi i procedurës është filluar me hetime “, thotë Muriq dhe shtoi:

“Gjithashtu, gjatë procedimit që zgjati tre është marrë vendimi për lirimin nga paraburgimi i të dyshuarve. Rasti i ndodhur në Husaj nuk është asgjë tjetër në krahasim me Bukovicën, dëbimin e shtetasve të BiH nga bregdeti i Malit të Zi, Morinj dhe krime të tjera të luftës të kryera në territorin e Malit të Zi. Në asnjë nga

këto raste nuk është marr ndonjë vendim gjyqësor për fajësinë e të akuzuarëve. Prandaj, unë shoh se dikush në Mal të Zi duhet të mbajë përgjegjës për këto viktima, para se gjithash nga struktura e prokurorisë ose qeverisë, sepse shihet kartë se deri më tani ka pasur obstruksion në këto raste “.

Krimet e luftës kundër civilëve shqiptarë të cilët kanë ikur nga Kosova në Mal të Zi janë kryer gjatë intervenimit të NATO-s.

Të akuzuar për krimin në Husaj të Rozhajës të cilët u liruan janë:komandanti i batalionit të Ushtrisë Jugosllave, nënkolonel Predrag Strugar, si dhe ish-ushtarët Momçillo Barjaktaroviq, Peter Labudoviq, Aco Knezheviq, Branislav Radiq, Miro Bojoviq, Vladimir Gjurashkoviq dhe Boro Novakoviç.

“Vrasjen e njëzet civilëve gjatë dhe pas luftës të ushtrisë së atëhershme ,janë përcjellë edhe nga raportet ushtarake dhe gazetareske. Në lidhje me këtë, është interesante të një raport ushtarak i asaj kohe, në të cilën për gjashtë civilëtë vranë në kolonat e refugjatëve në Husaj, ndër të tjera, thotë: “Në një konflikt të ashpër Ushtria Jugosllave ka likuiduar një grup të armatosur të UÇK-së.” Në anën tjetër, nëse me këtë rast është vrarë trembëdhjetë vjeçari Labinot Kastrati, plagosja e moshatares së tij Shpresa Zogaj, vrasja e gruas shtatëdhjetëvjeçare të pa lëvizshme Nemka Brahimaj dhe Arif Arifaj, trupi i i të cilit u gjet me këmbë të lidhura me litar, e bën më shumë se të qartë se një raport i tillë ushtarak ka qenë vetëm pjesë e planit krimin e organizuar “.

Ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të Bjelo Poles reagoi Bashkësia Demokratike Boshnjake , e cila në një letër të hapur kritikon gjyqësorin në vend , i cili, sipas tyre, po legalizon krimin dhe po mbështetë politikën gjenocide.

Ndërkaq, partitë politike shqiptare si dhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Mal të Zi nuk reaguan ndaj këtij rasti edhe pse shoqatat e shoqërisë civile disa herë kanë protestuar ndaj zvarritjes së aktgjykimit dhe ndaj pavarësisë së gjyqësorit.

Bota Sot