Lëvizja “Vetëvendosje”: Politika e jashtme e Thaçit, pa plan e pa përgjegjësi

January 18, 2015   | Anketë / Anketa

Pritja-e-Hashim-Thacit-Ulqin-Mali-Zi-1Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, po e vazhdon edhe më tutje të njëjtën rrugë të të vepruarit sikurse paraardhësi i tij, Enver Hoxhaj: një politikë e jashtme pa plan e pa përgjegjësi. “Kësisoj, sikur të kishte plan e përgjegjësi, para çdo vizite ai do të duhej t’ia kujtonte vetes një ndër detyrat kryesore që ka, mbrojtjen e interesave të bashkëkombësve kudo që janë e posaçërisht atyre në rajon”.  “Në ditët që lamë pas, Ministri i Punëve të Jashtme vizitoi Malin e Zi, por në asnjë moment ai nuk iu kujtua se ky shtet ka një popullsi të konsiderueshme shqiptare dhe se në takimet zyrtare përveç fotove për krekosje do të duhej të thoshte të paktën edhe nja dy-tri fjali që do të dënonin shtypjen politike, shfrytëzimin ekonomik dhe diskriminimin kulturor që shqiptarët në Mali të Zi e përjetojnë çdo ditë. Ai do të duhej ta adresonte faktin që mungesa e investimeve apo investimet tepër të vogla në rajonet me popullatë shqiptare i kanë shndërruar ato rajone nga disa prej pjesëve më të zhvilluara të Malit të Zi në rajone të varfërisë e papunësisë”.
“Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vepronte drejtë sikur vizitën e tij në Mal të Zi ta fillonte në Plavë e Guci, Tuz, të vazhdonte pastaj për Ulqin, duke e përmbyllur atë vizitë në Podgoricë, ku do të nxirrte në tavolinë shënimet që kishte mbledhë nga takimet me shqiptarët e asaj ane. Në takimin përmbyllës në Podgoricë ai do të duhej të fliste për të drejtat e shkelura të shqiptarëve në Mal të Zi, për të drejtën mbi përdorimin e gjuhës shqipe, të simboleve kombëtare, të drejtën e kremtimit të festave dhe të nderimit të figurave kombëtare, të drejtën e shkollimit në gjuhën shqipe e të mësimit të historisë kombëtare. Ministri i Jashtëm i Kosovës, do të duhej të ishte së paku po aq i zëshëm sa homologu i tij nga Shqipëria, Ministri Ditmir Bushati, duke përsëritur se Tuzi duhet ta gëzojë statusin e komunës. Para se të fliste për malazezët në Kosovë, ai do të duhej të fliste për shqiptarët në Mal të Zi”, thuhet në kumtesën e VV-së.
Lëvizja “Vetëvendosje” beson fuqishëm se politika e jashtme e Kosovës në rajon duhet të përqendrohet në marrëdhëniet me shqiptarët të cilët jetojnë nëpër vendet që na rrethojnë, pra ajo të përpilohet varësisht nga pozita dhe gjendja e shqiptarëve në ato vende.  “Kështu, Ministri Thaçi duhet ta kuptojë se pa takuar shqiptarët e Plavës e Gucisë, Tuzit e Ulqinit, nuk është e drejtë të takohen shtypësit e tyre politik, ekonomik e kulturor në Podgoricë”, thekson VV. (Kosova Sot)