Kosova e Mali i Zi tregojnë interes për fqinjësi të mirë

February 3, 2015   | Rajoni / Region

Radovan-Miljaniq-Kadri-VeseliKryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Radovan Miljaniç, Sipas njoftimit, në këtë takim u diskutuan tema të interesit reciprok të të dyja vendeve dhe parlamenteve të tyre.

Ambasadori malazez i përcolli kryeparlamentarit Veseli përshëndetjet e kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç dhe presidentit Filip Vujanoviç, të cilët konfirmojnë gatishmërinë e shtetit malazez për thellimin e bashkëpunimit e të raporteve fqinjësore, me interes për të dyja vendet.

Kryetari Veseli vlerësoi lart bashkëpunimin e deritashëm që Prishtina dhe Podgorica kanë kultivuar ndërmjet tyre në shumë fusha, ndërsa potencoi pritjet e tij që ky bashkëpunim në rrafshin parlamentar të avancohet edhe më tej. Në këtë drejtim, kryeparlamentari Veseli shprehu besimin se këmbimet e vizitave të komisioneve të ndryshme parlamentare si dhe vizitat e kryetarëve të parlamenteve në kryeqendrat respektive, do të ishin në funksion të këmbimit të përvojave dhe begatonin agjendat kuvendore në rrugën e integrimeve evropiane.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan se pakicat respektive duhet të jenë të integruara në shtetet përkatëse dhe njëherësh të shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet dy shteteve. /Albeu.com/