Salaj: Lobi shqiptar në SHBA shpëton gazetën “Koha Javore”

February 3, 2015   | Kulturë / Kultura

Koha-Javore-1Ali Salaj

“Koha javore” si e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi kaloi nëpër disa faza të ndjeshme dhe të rrezikshme për ekzistencën e saj. Ajo kërcënohej vazhdimisht me reduktimin dhe mbylljen e saj, kurse së fundmi u përfshi në pakon e falimentimit të SHAGBG “Pobjeda”, e cila për 13 vjet e menaxhoi në mënyrë jotransparente këtë medie të pakicave.

Duke pasur parasysh se ministritë përkatëse të Qeverisë së Malit të Zi nuk shfaqen as vullnetin më të vogël për ta financuar këtë gazetë, redaksia e “Kohës javore”, me një letër të hapur por edhe me takime të ndryshme, e njoftoi opininin vendor, atë ndërkombëtar dhe lobin shqiptar në SHBA, me gjendjen e krijuar në gazetë.

Ishte pikërisht Lobi shqiptar në Nju Jork, i cili në takimin me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, z. Ranko Krivokapiq, që ishte në vizitë zyrtare në OKB, ia paraqitën rastin e gazetës “Koha javore” duke kërkuar zgjidhje afatgjate për të. Ky takim ishte nxitje që kryetari Krivokapiq të inicojë formimin e grupit të punës prej tre anëtarësh, i cili pas një pune disamujore dha propozimet të cilat më 31 dhjetor të vitit të kaluar u miratuan njëzëri nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Malit të Zi.

Për këtë arritje, kabineti i kryetarit Krivokapiq, përmes këshilltares së tij Angjela Radunoviq, i njoftoi me një letër veprimtarët e shquar shqiptaro-amerikanë, Richard Lukaj dhe Cafo Boga, ku në mes tjerash theksohet: “Në lidhje me nismën e kryetarit Krivokapiq, në fund të vitit 2014, është vendosur që Kuvendi i Malit të Zi të ndajë shumën prej 100.000 eurosh në vit për gazetën ‘Koha javore’. Me këto resurse ne kemi arritur qëllimet tona që të vazhdohet me publikimin e gazetës në gjuhën shqipe ‘Koha javore’”.

Për këtë vendim, veprimtari dhe afaristi i njohur i mërgatës shqiptare Cafo Boga e falënderon në mënyrë të vaçantë kryetarin Krivokapiq: “Unë jam shumë i kënaqur për letrën e dërguar në emër të kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, z. Ranko Krivokapiq, për të na informuar mbi vendimin e tij që të mbështesë financiarisht gazetën ‘Koha Javore’. Ju lutem që t’ia përcillni falënderimet e sinqerta z. Krivokapiq për mbështetjen në publikimin e gazetës së vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Ky zotim do të shërbejë po ashtu si një gjest i rëndësishëm drejt përpjekjeve më të mëdha për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve etnikë në Mal të Zi.”

Nuk është hera e parë që Lobi shqiptar në SHBA i del zot gazetës “Koha Javore”. Në prill të vitit 2009, kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe”, z. Gjergj Ivezaj, angazhoi dy personalitete të njohura të politikës amerikane, senatorin Carl Levin dhe kongresistin Sander Levin në mbrojtje të “Kohës javore”, e cila asokohe rrezikohej me reduktime drastike. Ata e animuan Departamentin Amerikan të Shtetit për këtë çështje, duke u bërë promotorë të afirmimit dhe mbrojtjes së “Kohës javore”. Ky fakt e alarmoi ambasadën dhe konsullatën e Malit të Zi në Uashington dhe Nju Jork, si dhe i shqetësoi dukshëm autoritetet politike të Podgoricës.

Lobin shqiptar në SHBA e përbëjnë kryesisht personalitetet me prejardhje nga trojet shqiptare në Mal të Zi. Ata luajtën një rol të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e shqiptarëve në rajon, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Prandaj angazhimi i tyre në çështjet e të drejtave demokratike të shqiptarëve në Mal të Zi është i mirëseardhur dhe tejet i nevojshëm. Ai do të amortizonte politikën jo të favorshme shtetërore ndaj pakicës shqiptare, por ndoshta do t’i zbuste neglizhencat, mosmarrëveshjet dhe bajraktarizmat e partive politike shqiptare në Mal të Zi.