“I themi njëri-tjetrit vëlla, por tregtinë e bëjmë me Serbinë”

February 18, 2015   | Rajoni / Region

Kosove-SerbiPërfaqësues nga fusha politike dhe ekonomike e Kosovës dhe e Shqipërisë, janë mbledhur sot në Tiranë ku kanë organizuar një forum të përbashkët me temë ‘7 vjet nga Pavarësia e Kosovës, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë’, sidomos në fokusin e politikanëve të rinj.

Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik në Kosovë tha se pjesëmarrja e të rinjve në qeverisje si në Shqipëri dhe në Kosovë është rritur vitet e fundit. Kjo është një gjë e mirë, tha ai, por megjithatë mbetet e rëndësishme të fokusohemi te fakti se nuk është numri i të rinjve më thelbësor se sa cilësia dhe kualiteti i tyre.

Ai tha më tej se ikja masive e qytetarëve të Kosovës, nuk ka një arsye të vetme, dhe të qartë, pasi po emigron dhe klasa e mesme. Por ai bëri fajtor për këtë krizën politike 6 mujore pas zgjedhjeve në Kosovë, mungesën e qeverisë që solli humbjen e shpresës dhe të besimit te qytetarët. Ndaj dhe sipas Stavilecit, qeveria mbi të gjitha duhet të hap më shumë vende pune, dhe të rikthejë besimin te qytetarët e saj.

Pjesë e këtij forumi ishte edhe drejtoresha e doganave të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila foli për mangësitë dhe barrierat e bashkëpunimit tregtar Shqipëri-Kosovë.

“Ne i themi njëri-tjetrit vëllezër tha”, Spiropali, por kur vjen puna për tregti, preferojmë Serbinë dhe jo vendet tona. ”Kjo është për të ardhur keq, ndaj dhe duhet të punojmë më shumë për t’i hequr barrierat dhe mentalitetin që ekziston mes nesh”, ka thënë ajo.

“Tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë nuk është i vogël. është i konsiderueshëm, dhe ne duhet të fillojmë të shohim mundësitë e zhvillimit të përbashkët dhe hapjes së këtyre tregjeve dhe integrimit. E dyta çështja e patriotizmit folklorik apo siç thuhet ndryshe se liria mjafton. Nuk mjafton liria, ne dëgjojmë për vëllazëri, bashkëpunim; mirësi etj etj, por duhet të dëgjojmë më shumë për marrëveshje konkrete; thithje të investimeve të huaja; dhe kthimin e dy shteteve të paktën që përfaqësojnë një komb në kompetitiv, në rajon edhe më gjerë. Nuk jemi kompetitiv, ju e përmendët bilancin tregtar, është shumë shqetësues fakti që vetëm 1.1 % e importeve që vijnë në Shqipëri janë nga Kosova”, ka thënë ajo.

“Tregjet tona janë shumë afër fizikisht, por janë shumë larg sa i përket barrierave. Në të gjitha takimet që unë kam bërë me biznese të Shqipërisë dhe të Kosovës e thonë të gjithë me zë të lartë apo me zë të ulët, është shumë më e lehtë për sa i përket barrierave për të bërë tregti me Serbinë se sa me Shqipërinë. Kjo vjen për shumë arsye, duke hequr barrierat artificiale, proceduriale e me radhë mendoj se është çështje mentaliteti, nuk kanë besim reciprok përtej kësaj vëllazërie të shpallur. Vetëm vitin e kaluar eksportet nga Shqipëria për Kosovën janë rritur me 10 % ama janë larg potencilit të madh që mund të kenë dy vende të cilat flasin të njëjtën gjuhë”, tha Elisa Spiropali drejtoreshë e doganave në Shqipëri.

Portali Indeksonline