Shtriks: Liga ballkanike e kënaqur me organizimin në Prishtinë

February 19, 2015   | Ngjarjet - Events

Shay-ShtriksDrejtori sportiv i Ligës Ballkanike, Shay Shtriks, është shprehur i kënaqur me organizimin e lojës mes Sigal Prishtinës dhe Sutjeskës që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytetin e Kosovës.

Ndeshja e javës së kaluar që filloi në Nikshiq të Malit të Zi, ishte ndërprerë pas gjashtë minutave pasi tifozët malazezë hodhën një mjet shpërthyes në drejtim të bankës zyrtare të Sigal Prishtinës, ndërsa ndeshja përfundoi me rezultat zyrtar 20:0 në favor të kampionit të Kosovës.
“EUROHOLD Balkan League dhe unë si drejtor sportiv dëshiroj fillimisht t’i falënderoj lojtarët dhe menaxhmetin e KK Sutjeska dhe Federatën e basketbollit të Malit të zi, si dhe lojtarët, menaxhmentin e KB SIGAL Prishtina dhe FBK, por assesi të mos i harrojmë më meritorët: të gjithë tifozët e KB SIGAL Prishtina për anim fer dhe sportdashës sonte”, ka thënë Shtriks, transmeton Koha.net.

“Ata treguan se sporti, sidomos basketbolli, kurrë nuk duhet të ketë dhunë, huliganizëm dhe të përdoret për baza raciste dhe fetare, e aq më pak edhe për propaganda politike. Atmosfera e mirë në sallën e sportit të KB SIGAL Prishtinës dëshmoi se basketbolli mund të luhet në praninë e shumë tifozëve pa incidente dhe ekipi të përkrahet me dashuri”, ka shtuar ai.

“Për këtë, dua ta falënderoj delegatin dhe referët për kontroll të mirë të ndeshjes dhe menaxhmetin e KB SIGAL Prishtinës për menaxhimin e kësaj situate të vështirë. Ne, Liga Ballkanike, treguam javën e kaluar se dhuna nuk duhet të mbizotërojë dhe atë nuk e tolerojmë. Ne do të vazhdojmë të luajmë basketboll të fortë dhe tu japim mundësinë lojtarëve, trajnerëve dhe spektatorëve të kënaqen me lojën e basketbollit.”

© KOHA.net