Mali Zi – Shqipëri, marrëdhëniet në rritje për investitorë në rajon – Video
Ministri i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, priti sot në një vizitë zyrtare në Tiranë, homologun e Malit të Zi, Vladimir Kavariç. Gjatë takimit, Ahmetaj nënvizoi marrëdhëniet e mira ekonomike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe nevojën për rritjen e volumit të shkëmbimeve tregtare, inkurajimin e investimeve dypalëshe dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e turizmit.
“Përsa i përket marrëdhënieve bilaterale, ne konfirmojmë që marrëdhëniet qoftë në rrafshin politik, qoftë në rrafshin institucional dhe ekonomik, janë shumë të mira. Unë personalisht besoj që të dy vendet janë vende dhe tregje të vogla për të funksionuar të fragmentuar, prandaj domosdoshmëria e ofertave të përbashkëta, qoftë ekonomike, qoftë turistike, janë domosdoshmëri për të tërhequr investitorë të rëndësishëm në rajon”, tha Ahmetaj.
Edhe homologu malazez deklaroi se “përsa u përket politikave ekonomike, vijmë nga vende të ngjashme, vijmë nga vende që kërkojnë të arrijnë nivele më të larta të rritjes së tregtisë, nga vende që kërkojnë të tërheqin më shumë investime të huaja direkte në industri të ndryshme, dhe në këtë këndvështrim nga vende që kanë të njëjtën qasje për të qenë të hapur dhe të suksesshëm”.
SHEKULLI
Ligji i ri për turizmin
Sezoni i ardhshëm turistik do ta gjejë Shqipërinë me një paketë turistike të ngjashme me atë të Malit të Zi, në mënyrë që të thithen sa më shumë turistë të huaj. Lajmi bëhet i ditur nga Ministri i Ekonomisë, i cili ka marrë së fundi edhe përgjegjësinë për turizmin, Arben Ahmetaj. Gjatë një konference për shtyp me homologun ne tij malazez, ai tha se është duke u bërë ligji i ri i turizmit, i cili do të vendosë standarde të ashpra për licencimin e operatorëve turistikë në Shqipëri si dhe po shihen mundësitë e krijimit të linjave ajrore “Low Cost”, në mënyrë që edhe çmimi i paketës të jetë konkurrues me rajonin. Për palën malazeze ajo që është më e rëndësishme në fuqizimin ekonomik të rajonit është ndërtimi i infrastrukturës së përbashkët. Nëse vendet e rajonit bëhen bashkë për të thithur fondet që do të japë shumë shpejt BE për projektet e përbashkëta, atëherë kjo do të rriste mirëqenien e të gjithë qetarëve.
“Ideja është që të gjitha vendet e rajonit të punojnë që të përfitojnë fondet që do të disbursohen për projektet e përbashkëta. Dy më të rëndësishmet, projektet e të cilave kanë shumë mundësi që të bëhen është autostrada adriatiko-joniane dhe gazsjellësi jonian, i cili do të shpërndajë gazin që do të ketë Shqipëria nga TAP në rajonin e Ballkanit.” Të dy ministrat ranë dakord që të punojnë për të përfshirë në këto projekte edhe Kosovën dhe Maqedoninë.
Vizion Plus





