Mikan Zec: Ulqini vend atraktiv për investime
Drejtori i NHT “Riviera e Ulqinit” Radomir Mikan Zec ka thënë për “Dnevne novine” se gjatë privatizimit të ndërmarrjes në krye të së cilës ai ndodhet duhet të jesh veçanërisht i kujdesshëm në mënyrë që mos të përsëriten investimet e këqija në Ulqin. Sipas fjalëve të tija, “Rivierës së Ulqinit” i nevojitet investitori i madh dhe serioz sikur Piter Mank, në pronësi të së cilit është vendbanimi luksoz turistik Porto Montenegro në Tivat, raporton portali Ul.info.
Për “Rivierën e Ulqinit”, siç thekson Zec, më së miri është sikur të paraqitet investitori si Piter Mank. “Këtu nuk mund të shkohet me disa zgjidhje të cilat janë treguar të këqija. Riviera e Ulqinit me lokalitetin e vet, me monumentet kulturo-historike dhe natyrore, lumenjtë dhe liqenet, pastaj me vendet për gjueti, peshkim, sport, me të vërtet meriton partner të madh sikur Piter Mank”, tha Zec.
NHP “Riviera e Ulqinit” ka 1,1 milion metër katror tokë dhe 200.000 metër katror në hapësira të mbyllura. Në krahasim me tentimet e mëhershme të privatizimit, tani është më i realizueshëm sepse prona të cilën menaxhon kjo kompani është bërë pronë e saj.





