Ulqini fillon pritjen e turistëve – Video

May 31, 2015   | Turizmi / Turizam

Ulcinj-Ulqini-1Ulqini fillon pritjen e turistëve, qyteti ku gërshetohet natyra me traditën historike

Ulqini është një ndër qytetet më të rëndësishme turistike në Malin e Zi, me një pasuri të madhe kulturore, historike, natyrore si dhe një nga destinacionet kryesore për turistët nga Shqipëria, Kosova, rajoni Ballkani dhe nga vende të ndryshme të Europës.

Këtë javë është hapur sezoni turistik 2015 dhe pritet që numri i pushuesve të jetë më i madh se në vitet e kaluara.

“Kemi pasur një numër shumë të madh të mysafirëve dhe ajo çka na gëzon ka qenë që numri ka qenë më i madh se i pritur. Kurse të dhënat që disponojmë, meqënëse numri i turistëve në fillim të muajit maj në Ulqin ka qenë gati sa të gjitha komunat e tjera bregdetare këtu në Malin e Zi. Ka filluar të rritet numri i turistëve nga Bosnja Hercegovina, Evropa Qendrore si, Çekia, Hungaria, Sllovakia dhe një numër i konsiderueshëm nga Polonia. Vazhdojmë të kemi turistë nga Gjermania dhe Franca dhe gjithë vendet e tjera evropiane. Ulqinin e pret një sezon i mirë turistik. Kemi bërë të gjitha përgatitjet për të pasur një sezon të mirë, një mbarëvajtje ashtu siç duhet. Kemi një trup që koordinon me sezonin turistik, bën përgatitjet dhe përcjell sezonin turistik, ku janë të përfaqësuar të gjithë institucionet lokale dhe shtetërore”, thotë Fatmir Gjeka, kryetar i Komunës Ulqin.

Kalaja e Ulqinit është një ndër destinacionet kryesore turistike në qytet, me një histori e cila daton 2500 vite më parë. Kalaja vizitohet gjatë gjithë vitit nga turistë nga e gjithë bota. Ulqini është i vetmi vend në Malin e Zi që ka tre lloje plazhesh, me rërë, me gurë dhe shkëmborë.

Plazhi më i njohur i Ulqinit është Plazhi i Madh, plazh ranor 12 km i gjatë, plazhi më i gjatë në Malin e Zi. Një ndër destinacionet më të frekuentuara është ishulli Ada në grykëderdhjen e Bunës. Përgjatë lumit Buna janë ndërtuar shtëpi pushimi dhe restorante tradicionale, ku në menynë bazë janë produktet e detit.

Në këtë ishull ndodhet dhe plazhi i nudistëve, i cili është një ndër më të frekuentarit në Europë.

Përgjatë sezonit turistik, këtë vit në Ulqin do të zhvillohen dhe një sërë aktivitetesh kulturore dhe sportive të organizuara nga komuna.

/ Top Channel