Poezia shqipe u lexua në Podgoricë

June 1, 2015   | Shoqëria / Društvo

Kollari-Nikolajdis-CitakuPoeti ulqinak Jaho Kollari i cili jeton dhe vepron në Gjermani iu prezantua publikut të Podgoricës me librin e tij më të ri “Prokrastinacioni”, me ç’rast u lexua poezia në gjuhën shqipe nga vetë autori si dhe Gazmend Çitaku

Në organizim të Bibliotekës së qytetit të Podgoricës (Mali i Zi) u bë prezantimi i Shtëpisë Botuese Ulqini (Libraria ARTI) nga Ulqini si dhe Jaho Kollarit si autor i kësaj shtëpie.
Në sallën relativisht të mbushur me dashamirës të kulturës dhe fjalës së bukur biseda u zhvillua në mënyrë spontane herë në gjuhën shqipe e herë në gjuhën malazeze.

Shkrimtari i madh malazez Andrej Nikollaidis ishte moderator i mbrëmjes dhe gjatë bisedës u shpalos veprimtaria botuese e SHB Ulqini që nga fillimet e saja e deri në ditët e sotme. U diskutua rreth vështirësive, mundësive, sukseseve dhe planeve për të ardhmen.
Në anën tjetër poeti ulqinak Jaho Kollari i cili jeton dhe vepron në Gjermani iu prezantua publikut të Podgoricës me librin e tij më të ri “Prokrastinacioni”, me ç’rast u lexua poezia në gjuhën shqipe nga vetë autori si dhe Gazmend Çitaku. Poezia e lexuar për disa edhe pse e pakuptueshme u mirëprit dhe u duartrokit gjatë.

Ky prezantim paraqet vetëm hapin e parë të bashkëpunimit dhe prezantimit të shqiptarëve si pakicë kombëtare në shtetin e Malit të Zi dhe si kuriozitet mund të përmendet që pas shumë e shumë vitesh në këtë bibliotekë u lexua poezia shqipe./KultPlus.com