Policia e Malit të Zi dhe Shqipërisë, bashkëpunim për sezonin turistik

June 11, 2015   | Rajoni / Region

Cako-Stojanovic-Shkoder-Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako, mesditën e sotme, zhvilloi një takim, në qytetin e Shkodrës, me homologun e tij Malazez, Z. Slavko Stojanoviç, gjatë të cilit u nënshkrua edhe protokolli i bashkëpunimit ndërmjet dy policive në kuadër të sezonit turistik veror.

Në qendër të takimit të zhvilluar ndërmjet dy Drejtuesve të lartë policorë dhe delegacioneve që i shoqëronin, ishte lufta kundër të gjitha formave të krimit, në mënyrë të veçantë të krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe angazhimi për një shkëmbim më të shpejtë dhe efikas të informacionit për të parandaluar e frenuar fenomenet kriminale.

Po ashtu gjatë këtij takimi, u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer që ekziston mes policive të të dy vendeve, i cili do vijojë edhe më tej, duke intensifikuar takimet në nivel specialistësh, si dhe përmes ngritjes së skuadrave të përbashkëta të hetimit.

Gjatë nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit Z.Çako dhe Z. Stojanoviç u ndalën në rëndësinë e zbatimit të protokollit të bashkëpunimit, e cila gjatë vitit të kaluar ka rezultuar e suksesshme.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Z.Çako, vuri në dukje nivelin e lartë të bashkëpunimit ekzistues ndërmjet policive të të dy vendeve, si dhe rëndësinë e kësaj marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve gjatë sezonit turistik, duke e cilësuar një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit policor, si dhe evidentoi disa prej çështjeve kryesore të diskutuara gjatë takimit.

“Sot, në këtë takim me delegacionin e policisë së Malit të Zi, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Malit të Zi, Z.Stojanoviç, miratuam një akt-marrëveshje për bashkëpunim ndërpolicor në kuadër të masave, që do të marrim mes dy policive për sezonin turistik. Është një akt-marrëveshje, e cila rikonfirmohet pas disa viteve, është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit policor, me prezencë policore në të dyja vendet. Një nevojë, e cila kushtëzon rritjen  e sigurisë së shtetasve shqiptar, që vizitojnë plazhet dhe zonat turistike të e Malit të Zi, por njëkohësisht edhe rritjen e sigurisë dhe garancisë së qytetarëve të shtetit të Malit të Zi që vizitojnë zonat turistike dhe plazhet shqiptare.

Në këtë takim, përveç miratimit të akt marrëveshjes për sezonin turistik ne diskutuam një sërë çështjesh, që lidhin dhe kushtëzojnë nevojën e bashkëpunimit policor mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Malazez, si dy shtete të lidhura jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht për shkak të traditës dhe historisë, që i bashkon. Janë çështje që lidhen me prioritetet dhe objektivat e Policisë së Shtetit Shqiptar, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Qeverisë Shqiptare, që konsistojnë në realizimin e një sërë objektivash për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që kushtëzojnë intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve të ndryshme, qofshin këto të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të armëve, të veprave të artit, në luftë kundër korrupsionit, por edhe ndaj fenomeneve radikale të antiterrorit. Jam i bindur se bashkëpunimi do të vazhdoj të jetë konstant. Jemi shprehur të dy palët për një bashkëpunim të hapur, me një intensifikim të bashkëpunimit edhe ndëroperacional, i cili do vazhdojë të jetë në përputhje të plotë me gjithë konventat dhe akt-marrëveshjet, që i prijnë aktivitetit policor.”- u shpreh Z.Çako.

Cako-Stojanovic-Shkoder-1

Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Z. Slavo Stojanoviç, duke shprehur kënaqësinë për nënshkrimin e këtij protokolli bashkëpunimi u shpreh:

Është një kënaqësi e veçantë, që jemi këtu me Policinë e Shqipërisë, që nënshkruam protokollin e bashkëpunimit gjatë sezonit turistik të vitit 2015, protokoll, i cili do forcojë bashkëpunimin tonë, mes policive të dy shteteve dhe që do të mundësojë shkëmbimin e oficerëve policorë gjatë sezonit turistik në destinacionet turistike të dy vendeve, protokoll, i cili do krijojë ndjenjën e sigurisë për gjithë ata, që do pushojnë në bregdetin Adriatik, posaçërisht të turistëve nga Shqipëria.  Po ashtu është kënaqësi për mua, që kemi këtë bashkëpunim profesional me policinë e Shqipërisë, i cila do vazhdojë edhe në të ardhmen. Kemi pasur rast që në mënyrë miqësore dhe si partner të mirë, të caktojmë prioritetet tona të përbashkëta, siç tha zoti Çako, që kanë të bëjnë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kundër grupeve të organizuara, trafikimit të qenieve njerëzore, të armëve dhe luftën kundër terrorizmit. Prioritetet e përbashkëta na obligojnë, që me shkëmbimin e të dhënave operative dhe strategjike, të punojmë në nivelin strategjik dhe operativ, të jemi një pengesë e fortë për të gjitha sfidat me të cilat mund të ballafaqohemi në rajon.

Cako-Stojanovic-Shkoder-2

Interesimit të gazetarëve lidhur me masat e marra nga Policitë e të dy vendeve për të luftuar terrorizmin, nisur edhe nga videoja e publikuar nga ISIS, Z. Çako iu përgjigj:

Partneriteti ynë konsiston edhe në bashkëpunimin në luftë kundër terrorizmit. Në këtë kuadër kuptohet që shkëmbimi i informacionit, por edhe të gjitha strukturat evropiane edhe rajonale që funksionojnë, bëjnë të mundshëm bashkëpunimin konkret dhe të padiskutueshëm në luftë kundër çdo fenomeni të terrorizmit, ashtu siç është dhe fenomeni i radikalizmit i shprehur kohët e fundit që ka kërcënuar rajonin, që ka përforcuar masat dhe që bën të mundshëm bashkëpunimin konkret. Në këtë  aspekt besoj që të njëjtin mendim ndan edhe kolegu Stojanoviç.

Ndërkohë Z. Stojanoviç u shpreh:

Siç edhe konstatuam edhe kjo ishte një prej temave që diskutuam në këtë takim. Mali i Zi dhe Shqipëria i përcjell të gjitha ngjarjet lidhur me terrorizmin. Ajo që mund t’u them është, që dy shërbimet tona policore, Interpoli në Tiranë edhe ai në Podgoricë i shkëmbejnë të dhënat, informatat për personat, që ndodhen në ato vende. Dhe me këtë shkëmbim informatash dhe të dhënave përcjellim aktivitetet, që mund të kenë ndikim në rajon.

Ministria e Puneve te Brendshme  Al