Ferdinand Samarxhi bashkon të gjithë Ballkanin vizionar islam në Ulqin

June 19, 2015   | Reportazh / Reportaža

Ferdinand Samarxhi-Ali-Bardhi-UlqinGëzuar kombi ynë muajin e bekuar Ramazan!” titullohet cikli prej 31 bisedash me udhëheqësit shpir-tërorë të fesë islame në Ballkan. Gazetari i mirënjohur, fitues i “Antenës së Artë”, Ferdinand Samarxhi ka intervistuar liderët e besimit islam në Ballkan duke përfshirë qytetet: e Kosovës si edhe Shkupin, Tetovën, Ulqinin dhe Tiranën. Klerikët kanë folur për muajin e shenjtë të Ramazanit.
Ç’është ky projekt? Përse ju menduat ta realizoni në të gjithë Ballkanin dhe me të gjithë bashkësitë fetare të tij?
Ideja e cila na udhëhoqi për ta filmuar në të gjitha vendet e Ballkanit ishte sa historike aq edhe fetare. Duke ditur historinë e kombit tonë, duke ditur gjithashtu që të gjitha faltoret edhe pse ishin shtëpi të Zotit, qofshin këto kisha, xhami, teqe, tyrbe u bënë vatra atdhetare dhe e lidhën jetën e tyre me mëmëdheun. Thënia e Profetit Muhamed “Pa atdhe, nuk ka fe” u mishërua më shumë se kurdoherë dhe të gjitha këto objekte kulti u bënë vatra të besimit, të bashkimit, të vëllazërimit, deri aty saqë siç thotë Pasko Vasha, kur ishte fjala për çështjen e atdheut për të gjithë njerëzit feja e shqiptarit ishte shqiptaria. Kishat, xhamitë, tyrbet, teqetë, kanë histori të mbarsur me episode nga më epiket për fatet e kombit. Pikërisht ky mendim na udhëhoqi, kjo ide që të gjithë këto biseda të këtij muaji të bekuar të Ramazanit, t’i realizonim pranë këtyre vendeve, këtyre faltoreve historike, që flasin për Zotin dhe atdheun.
Për të katërtin vit, me nismën dhe mbështetjen e Kryegjyshit Botëror Haxhi Baba Edmond Brahimaj, janë realizuar 31 biseda. Dy vitet e para 2011, 2012 e realizuam në Shqipëri me teologë, me personalitete vetëm nga Shqipëria, ku zgjodhëm mjedise të bukura të kryeqytetit, si Bar Restorant Piazza dhe Hotel Tirana International. Në vitin 2013 nisma e Kryegjyshit ishte që muaji i Ramazanit, kjo ngjarje kaq e shënuar për besimtarët islamë të përjetohej dhe të përcillej në të gjithë trevat e Ballkanit. Ishte një nismë e bukur, por e vështirë për t’u realizuar, që do na hapte mendime të reja për t’i bërë më ekzaltuese dhe më të shikuara programet e këtij projekti. Ky vit, viti 2014 do të shënonte një perceptim më intelektual të programeve, më bashkëkohor, të temave, më sinjifikativ, të gërshetuara filozofinë e bisedave në kontekst me skenografitë historike të qyteteve. Kështu pranë faltoreve të vjetra të qyteteve që datojnë histori, ngjarje, beteja, ne vendosëm të realizonim bisedat si mishërim i gërshetimit më së miri i gjithë këtyre vlerave patriotike dhe fetare. Për t’i bërë sa më domethënëse të gjitha bisedat, për të treguar që këtë muaj edhe qytetet në të cilat u shkruajt historia e kombit tonë, të ishin të shkrira në këtë atmosferë me natyrën ekzaltuese të këtij muaji të Ramazanit. Ne këmbëngulëm që të gjitha faltoret të konturoheshin me dritat e bukura inkandeshente të kuqe. Ne zgjodhëm ngjyrën e kuqe për vetë faktin si ngjyrë e gjakut dhe e flamurit të kombit tonë. Kjo ide u mëshirua dhe u pranua nga të gjitha bashkësitë islame, kryesitë e liderët e tyre që njohin historinë, që dinë të gërshetojnë historinë e faltoreve të vjetra, me përjetimin dhe përçimin e ideve të programeve të këtij muaji.
Për afër 17 vjet nga viti 1990–‘91 deri në mesin e vitit 2006, siç thamë, hapja e rubrikës fetare krijoi dritaren e të gjithë komuniteteve fetare, myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe bektashianë. Në këtë dritare sipas ngjarjeve të të gjitha besimeve, përcilleshin dhe biseda si për Krishtlindje, për Pashkë, për Bajrame, për Sulltan Nevruz, etj. Por pas këtij viti, drita e këtyre besimeve mungoi në ekranin e televizionit publik për pikëpamje dhe mendimet nga më të ndryshmet, që unë do t’i quaja absurde edhe për ditët e sotme. Por që kohët do t’i largojnë këto mendime dhe drita e besimit përsëri mendoj se do të jetë prezente në dritaren e saj. Le të vazhdojmë me projektin “Gëzuar Kombi Ynë Muajin e Ramazanit”. Ky projekt është ideuar dhe menduar që pjesëmarrësit e tij të jenë në radhë të parë liderët e besimeve shpirtërore si Reiz Ulema Efendi Haxhi Sulejman Rexhepi, kryetar i Bashkësisë Islame të Republikës së Maqedonisë, Myftiu i Republikës së Kosovës Haxhi Naim Tërnava, Kryegjyshi Botëror Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësia e Tij Haxhi Skender Bruçaj, Myftiu i madh i Ulqinit Haxhi Ali Bardhi, profesorë, dekanë fakultetesh, teologë të mirënjohur, Imam, etj. Brenda muajit Ramazan jemi në pritje për të realizuar një bisedë në Ankara me Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Turqisë, Prof.Dr.Mehmet Gulmez.
Duke qenë se shqiptarët janë të shtrirë në të gjithë Ballkanin, menduam të shohim nga afër sesi është pritur muaji i Ramazanit, si janë konturuar skenografitë e qyteteve, si po e përjetojnë të gjithë njerëzit, besimtarët këtë muaj të madh të jetës, të besimit tyre, menduam që këto programe do të kishin vlerën e tyre dhe do të shprehnin sinqeritetin e këtyre bisedave drejt për drejt në vendet e tyre, pranë faltoreve të vjetra historike, aty ku të gjithë njerëzit mblidhen, i drejtohen dhe i luten Zotit. Kështu ne, me një studio lëvizëse, me të gjithë infrastrukturën e duhur të ndriçimit, të fonisë, të ekipit të kameramanëve, vizituam të gjithë këto shtete të Ballkanit dhe u ndalëm në disa nga mjediset më domethënëse të historisë. Qyteti ku historia e larton atë në piedestal, ku burrat e kombit me në krye Abdyl Frashërin, u mblodhën dhe themeluan lidhjen shqiptare të Prizrenit, ku morën vendime aq të rëndësishme, jetike për fatin e kombit, kur shtete të mëdha kishin kthyer në pazar tregu tokat shqiptare dhe merrej nëpër këmbë fati i vendit, do të ishte vendi më i parë i realizimit të bisedave të muajit të Ramazanit, që ne e pamë atë si përjetim jo vetëm të dashurisë së besimtarëve për Zotin, por e pamë edhe si vend të bashkimit, pasi edhe muaji Ramazan me filozofinë e tij përcjell paqe, bashkim dhe vëllazëri. Gjë që edhe bisedat të përçojnë në atë botëkuptim të skenografisë dhe të bukurisë së qytetit. Prizreni u bë kështu si dje qyteti i bashkimit të shqiptarëve, i dashurisë për vatanin, por edhe sot në këto ditë të bukura të Ramazanit, përsëri si qytet i bashkimit, vëllazërisë dhe dashurisë ashtu siç predikon edhe Zoti i madh në këtë muaj për të gjithë krijesat e tij. Ne këtu bashkëbiseduam me njerëz të nderuar të këtij qyteti, me Myftiun e tij zotin Ali Vejzaj, që përcolli me elokuencë dukuritë e këtij qyteti historik, dukuritë e dashurisë së besimtarëve në këtë muaj. Profesor Ajni Sinani ka thënë se besimtarët e gjithë Kosovës, ashtu siç ruajtën kombin në unitet në bashkim, në identitet, në flamurin kombëtar, ashtu edhe në këto ditë të muajit Ramazan me adhurimin e tyre luten që bashkimi, atdhedashuria e tyre të rritet gjithnjë e më shumë ashtu siç kërkon edhe Zoti në këto ditë. Në kryeqytetin e Maqedonisë, në Shkup, në qytetin e Shqiptarëve, ne vendosëm të zhvillonim bashkëbisedimet tona në sheshin e xhamisë të Mustafa Pashës, ku për çudi dhe paradoks të kohës, në këtë faltore që në vitin 1492 Shqiptarët hapnin themele dhe ndërtonin faltore, pra ishin të emancipuar, kishin kulturë, kishin besim, kishin pra një dinjitet të kombit të tyre. Pranë kësaj faltoreje që mbart histori në vetveten e saj, zhvilluam bisedat me personalitete Shqiptare të Maqedonisë, me liderin e saj të besimit Islam, Reiz Ulema Sulejman Rexhepin, me njerëz të shquar të shkencës islame si dekanin e fakultetit, Farudin Ebibi, Afrim Tahiri, Qazim Nesimi, Idriz Idrizi, etj. Tetova, qyteti i shqiptarëve do të ishte padyshim pjesë e këtij projekti, xhamia me histori, xhamia e larme ku burra dhe pashallarë të kombit mblidheshin dhe zhvillonin kuvendet e tyre për vatanin, ishte një nga pikat tona më të bukura. Ligjëratat merrnin më shumë jetë nga vetë skenografia, dëshmi e një kulture të një kombi të zhvilluar në kohëra.
Ulqini, qyteti që na inspiroi me historinë e tij. Kalaja me bedena ku dje ishte një mburojë e pamposhtur e shqiptarëve, sot si gjerdan historie, flet dhe tregon shumë për mbijetesën e shqiptarëve të këtyre anëve, flet për dashurinë e tyre që patën ata ndaj vatanit si edhe ndaj Zotit. Bashkëbisedimi ynë me Myftiun e madh të këtij qyteti të shqiptarëve, zoti Ali Bardhi, ishte shumë mbresëlënës, myftiu njohës i mirë i historisë, tregoi sesi shqiptarët kishin të shenjtë si vatanin, ashtu edhe Allahun. Qyteti që u ka mbijetuar rrebesheve të historisë është gjithashtu dhe qyteti që muaji i Ramazanit përjetohet më bukur thuajse nga të gjitha trevat shqiptare të Ballkanit. Të gjitha xhamitë e qytetit si vende të djeshme në shërbim të vatanit, sot si vende në shërbim të Zotit, përcjellin më shumë se çdo herë tjetër mirësinë, vëllazërinë që ushqen në këto ditë tek të gjithë, qyteti si dikur madhohet në këto ditë të muajit të Ramazanit, madhohet botëkuptimi shpirtëror i njerëzve, më shumë shqiptarë bëhen ata, më shumë të devotshëm bëhen për Zotin.
Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, simbolizon jo vetëm emancipimin e islamit, bukuritë e tij, gëzimet e besimtarëve në këtë muaj, por të josh me prezencën e bukur të skenografisë së saj. Xhamia e Et–hem Beut, ky monument simbol i bukurisë së Islamit në qendër të qytetit, këto ditë fton dhe përcjell mijëra e qindra besimtarë. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësia e Tij Haxhi Skender Bruçaj, përshkruan me modesti përgatitjet e mëdha që janë bërë për të pritur këtë muaj sa më mirë, që besimtarët të ndjehen sa më të gëzuar. Bashkëbisedimi na mëson se në të gjithë vendin, gëzimi i besimtarëve, devotshmëria, përkushtimi, veneracioni që ata po kryejnë këto ditë, do t’i çojë ata që të arrijnë dhe të jenë sa më pranë Zotit, që ata të bëhen sa më të mirë dhe sa më të denjë, jo vetëm për veten e tyre, për familjen, por për të gjithë shoqërinë, për të gjithë kombin.
Edhe pse nismëtar e mbështetës është Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, ju si e patë, si e menduat dhe si e mishëruat bektashizmin në projektin e këtij muaji?
Bektashizmi është tarikat Islam. Besimtarët bektashinj i përkasin fesë Islame njësoj si vëllezërit e tyre Sunni. Kanë të përbashkët librin e shenjtë Kuranin, kanë të njëjtin Profet, Profetin Muhammed. Si të tillë vëllezër të Islamit, dua të theksoj i bazuar në fakte dhe dokumente historike se janë edhe misionarët e parë të përhapjes së Islamit në Ballkan. Sari Salltiku, misionari i parë bektashi, që erdhi në Rumelinë e kohës, Krujë, Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit, përhapi 700 vjet më parë këtë besim të paqes dhe dashurisë, pra Islamin. Por duke theksuar dhe njëherë motivin dhe devizën këtij projekti, të gërshetimit të historisë së vendeve, të faltoreve ku realizohen dhe zhvillohen bisedat e këtij projekti, na udhëhoqi mendimi që patjetër pjesë e rëndësishme e këtij projekti të ishin dhe bisedat e besimtarëve myslimanë, bektashian që shtrihen në 31 vende të botës si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Greqi, Bullgari, Rumani, Hungari, Turqi, Egjipt, Iran, Afganistan, Ukrainë, Amerikë, Australi, etj. simbolizuar me faltoren e tyre më të re që po ndërtohet në Tiranë, personifikimi i historisë së këtij tarikati të njerëzve të tij, bektashinjve të mëdhenj, vëllezërit Frashëri, Abdyli, Samiu, Naimi që shkruajtën histori të lavdishme të kombit, themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Të ishin pjesë e rëndësishme e këtij programi dhe një konturim i bukur i tij. Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij Baba Edmond Brahimaj, harmonizoi bukur devizën e këtij tarikati “Pa atdhe, nuk ka fe” që bektashinjtë e mishërojnë më shumë se kushdo. Duke pasur këtë devizë në fillim të çdo veprimtarie ekzekutohet himni kombëtar dhe më pas ai fetar. Përjetimi i besimtarëve myslimanë bektashianë në këto ditë në të gjitha faltoret e tyre, në teqetë, tyrbe e mekame është mjaft i pranishëm dhe këto ditë të muajit të Ramazanit, adhurimi ndaj Krijuesit të gjithësisë po manifestohet si një dashuri e përhershme ndaj Zotit, ku ata kërkojnë të fitojnë në këto ditë gjithnjë e më shumë mëshirën dhe mbrojtjen e tij.
Tani që kanë përfunduar xhirimet në të gjithë Ballkanin, si u prit ekipi juaj i xhirimit?
Me xhirimin në kryeqytetin e Shqipërisë, të shtunën që kaloi u mbyll cikli i 31 bisedave të muajit Ramazan. Doja të thosha që është një projekt i xhiruar në mjedise historike, i harmonizuar me skenografinë e qytetit dhe të faltores së konturuar. Të gjitha bashkësitë islame të Ballkanit rezervuan për ekipin e xhirimit të Radio Televizionit, një pritje siç e ka zakoni i shqiptarëve, por më mbresëlënës na ka lënë pritja që na u bë në Maqedoni.
Ju di moderator, a ndjeheni i kënaqur me realizimin?
Ekipi realizues me regjisorin e talentuar Armelin Llanaj, mjeshtrin e zërit Arben Meçe, ndriçimi Sokol Këndella e kameramanët kanë bërë një punë të palodhur, pasi filmimet ishin në terren që instalimet e aparaturave paraqesin vështirësi. Por ajo që duhet thënë është se, kjo iniciativë dhe mbështetje e Kryegjyshit bëri të mundur realizmin e këtij projekti të madh. Baba Mondi mblodhi në iftar të gjithë Ballkanin, liderë shpirtërorë, bashkësitë islame të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Shqipërisë.
Ku po e sheh dritën e transmetimit projekti juaj “Gëzuar Kombi Ynë Muajin e Bekuar të Ramazanit”?
Në radhë të parë, dua të falënderoj të gjitha ekranet e televizioneve që po e bëjnë të mundur përcjelljen e tij në të gjitha vendet ku jetojnë dhe banojnë besimtarët myslimanë, bektashianë në të gjithë botën. Në valët satelitore të Radio Televizionit Publik Shqiptar, në valët satelitore dhe tokësore të Radio Televizionit Publik të Kosovës, në RTK 1, në televizionet rajonale të Kosovës si TV “Besa”, të Maqedonisë si TV “Koha”, në Shqipëri në TV “Shijak” dhe platformën e tij “Alfa Digital”, TV “Apollon” Fier, TV “Focus” Vlorë, TV “Real” Vlorë, TV “Jon” Sarandë, TV Gjirokastër, TV Kanali 7 Lushnje, TV “Tepelena”, TV “Mat”, TV “One Channel” Shkodër dhe mjaft televizione të tjera kabllore. Thuajse e gjithë Shqipëria e përcjell këtë projekt.
Folëm për këtë projekt të madh, megjithatë si ju lindi dëshira ju për t’u marrë me besimet fetare, pasi ishit ndër gazetarët e ekranit të problemeve të politikës, kulturës, etj.?
Duke parë nga afër zhvillimet demokratike që kishin filluar në Rusi, Gllasnosti, Perestrojka dhe po vinin valë-valë drejt Ballkanit me ngjarjet e Rumanisë, duke ndjerë me dhimbje për shumë kohë shtypjen e egër, e cila kishte ndaluar dhe privuar shumë gjëra të shenjta të njeriut si lirinë e fjalës, të tubimit, të shprehjes, të besimit. Duke parë se tek njerëzit dashuria për Zotin ishte e zjarrtë në zemrat e tyre, iniciova me një grup njerëzish të asaj kohe, personalitete dhe deputetë, të më përkrahnin për të bërë të mundur që edhe në Radio Televizionin Shqiptar kishte ardhur koha të hapej në ekranin e tij drita e besimit, kishte ardhur koha të ndizej një llampadar që të ndriçohej zemra e atyre, që të lindtte tek ata dashuria për Zotin. Mes shumë vështirësisë, pikëpamjesh, ndeshjesh, paragjykimesh, përplasjesh u bë e mundur më në fund që të fillonte ky emision. Që atëherë mori rrugë dhe në ekran u hap rubrika që mbijetoi dhe përçoi tek të gjithë në radhë të parë dashurinë ndaj Zotit, që edhe ne shqiptarët të vështronim tashmë lartë drejt qiellit, drejt Perëndisë, që kishim aq shumë nevojë më shumë se kushdo, pasi ishim mbështjellë nga një jetë e ftohtë, e zymtë dhe e mpirë. Rubrika e cila për kohën bëri bujë të madhe dhe ndiqej me interes të jashtëzakonshëm, arriti numrin rekord të programeve. Rubrika përçoi me dashuri të veçantë dhe patos, virtyte, lapidarë të kombit tonë, bashkekzistencën, tolerancën dhe harmoninë fetare, gjë që ekrani e konsolidoi e përvijoi më mirë dhe i çoi më tej vlerat e tyre, si një rast unikal, siç e cilësoi dhe Papa Gjon Pali i II në vizitën e tij historike më 25.04.1993.
Ju transmetuat ceremonitë e Krishtlindjeve katolike dhe ortodokse; më pas ceremoninë e shenj-tërimit të katedrales “Ngjallja e Krishtit” dhe filluat punën për projektin “Gëzuar Kombi Ynë Muajin e Bekuar të Ramazanit”. Si e për-balloni gjithë këtë ngarkesë?
Kur punon për një gjë të bukur, kur punon për një gjë që simbolizon dashurinë, nuk e ndjen veten të lodhur, aq më tepër kur këto ceremoni të mëdha që unë i prezantoj dhe i komentoj ndiqen nga qindra dhe mijëra njerëz, kjo më heq lodhjen dhe më shton kënaqësi.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)