Në Panairin e Librit “Ulqini 2015” prezantohen mbi 3500 libra

July 28, 2015   | Anketë / Anketa
Panairi i 15 i Librit “Ulqini 2015”, nga 26 korriku – 4 gusht është veprimtaria e cila rikthen këtë sezon vëmendjen nga libri. Ky aktivitet zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, panairi i sivjetshëm realizon vazhdimësinë e traditës së organizimit të kësaj veprimtarie që pritet me shumë interes nga pushuesit që e kanë shumëfishuar numrin e banorëve të Ulqinit gjatë këtij sezoni. Në prag të çeljes së Panairit “Ulqini 2015”, Komuna e Ulqinit organizoi një drekë miqësore, ku merrnin pjesë Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deputetët Agron Çela dhe Mimoza Hafizi, etj.
Drekën e hapi Kryetari i Komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka, i cili uroi mirëseardhjen dhe udhë të mbarë këtij panairi traditë në trojet shqiptare, iniciuar 15 vite më parë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe Shtëpia Botuese “Toena”. Kryeparlamentari Meta e cilësoi të rëndësishëm organizimin e përvitshëm të këtij panairi, duke pohuar se: “duhet ta kthejmë Ulqinin në një qendër të kulturës artit dhe traditës”. Gjatë kësaj dreke miqësore në pikën e bashkimit të Bunës me Adriatikun deputeti Fatmir Toçi, duke falënderuar për pjesëmarrjen Kryetarin Meta, vlerësoi edhe praninë në këtë panair të shkrimtarit më të madhe të këtij 20 vjeçari, Fatos Kongoli, si i ftuar nderi i këtij eventi kulturor.  Në këtë panair, veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia  ekspozohen edhe libra që vijnë nga botues edhe nga Mali i Zi e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Në Panairin e librit në Ulqin ofrohen për shitje mbi 3500 tituj librash.
Para së gjithash letërsi artistike të autorëve shqiptarë e të huaj, por edhe histori, botime enciklopedike, guida turistike, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume, katalogë, etj, për lexuesit ulqinakë dhe pushuesit e huaj. Është traditë e Panairit të Librit në Ulqin që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu në vitet e mëparshme shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq, Aleksandër Stipçeviq, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dy vendeve, si dhe ish-presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani. Ndërsa në 5-vjetorin e këtij Panairi, prenë shiritin e tij presidentët e dy vendeve, Alfred Moisiu i Shqipërisë dhe Filip Vujanoviq i Malit të Zi.

– See more at: http://www.sot.com.al/kultura/prezantohen-mbi-3500-libra-n%C3%AB-panairin-e-librit-%E2%80%9Culqini-2015%E2%80%9D#sthash.Rgm92d6l.dpuf