Panairi i Librit në Ulqin anashkalon botuesit kosovarë

July 28, 2015   | Ngjarjet - Events

Panairi i Librit në UlqinPanairi i Librit në Ulqin tashmë i ka bërë 15 vjet, aq sa është edhe moskomunikimi i organizatorëve të kësaj ngjarjeje kulturore me Shoqatën e Botuesve të Kosovës. Pos ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, dhe katër shtëpive botuese kosovare që kanë shkuar individualisht, botuesit e tjerë nuk kanë marrë pjesë në “Ulqini 2015”.

Retorikën politike për bashkëpunim midis dy vendeve në fushën e librit e ka bërë tejet të zbehtë gjendja në praktikë. Shoqata e Botuesve të Kosovës nuk ka pranuar kurrfarë ftese për të marrë pjesë në Panairin e Librit që është hapur të dielën mbrëma në Ulqin, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mungesën e ftesës për këtë ngjarje kulturore, që sivjet organizohet nga Instituti i Librit dhe i Promocionit nga Shqipëria në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, e ka konfirmuar nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli.

“Nuk është që kemi bashkëpunim. Në qoftë se do të na ishte ofruar diçka do ta kishim shqyrtuar. Është e pamundur të marrim pjesë derisa nuk na është ofruar asgjë”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, do të duhej që kjo qasje të ndryshojë.

Sipas njoftimit të organizatorëve, vetëm “Sira”, ”Gama” “Faik Konica” dhe “Ibas” janë botuesit kosovarë të prezantuar në “Ulqini 2015”, ku bashkë me shtëpi botuese nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia kanë vënë në dispozicion të lexuesve 3.500 tituj. Pos, ekspozitës së librit, Panairi sjell edhe aktivitete të tjera. I ftuar special është shkrimtari i njohur shqiptar, Fatos Kongoli.

Por historia 15-vjeçare e mosbashkëpunimit nuk e ka e ka penguar ministrin e Kulturës, Kujtim Shala, që të jetë i pranishëm në këtë ngjarje, ku ka folur për lidhjet kulturore.

“Ky panair është një takim krijuesish, takim me libra të rinj, libra të traditës e të të gjitha fushave, si dhe promovon rritjen e kulturës së leximit, e cila është domosdoshmëri për një shoqëri moderne”, ka thënë ministri Shala, sipas një komunikate të dërguar nga MKRS-ja. Sipas komunikatës, ministri Shala theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkulturor mes shqiptarëve, sidomos pjesëmarrjen e botuesve nga të gjitha vendet shqiptare në ngjarje të tilla, ngase, sipas tij, në këtë mënyrë forcohet komunikimi kulturor dhe përpjekjet e përbashkëta drejt integrimit.

“Qeveria e Kosovës ka iniciuar arritjen e një marrëveshjeje me Malin e Zi, në funksion të shtimit dhe të bashkërendimit të aktiviteteve kulturore ndërmjet dy vendeve, por dhe të formalizimit të raporteve, për t’i bërë ato institucionale, më sistematike dhe më të dobishme”, ka thënë Shala. Sipas tij, duhet të punohet më shumë që si vite më parë të shpërndahet libri që botohet në Kosovë e në të gjitha trevat shqiptare, në ambientet shqiptare në Mal të Zi, në bibliotekat publike dhe në ato të shkollave.

Të pranishëm në hapjen e kësaj ngjarjeje kulturore, që do të zgjasë deri në ditën e katërt të gushtit, në shëtitoren afër Plazhit të Vogël, ishin edhe përfaqësues politikë të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se qytetarët e Ulqinit në vitin 1999 mirëprisnin me mijëra qytetarë të Kosovës, të cilët ishin përzënë në mënyrë të dhunshme nga gjenocidi i një regjimi barbar.

“Bashkëpunimi përmes librit, kulturës, është një bashkim mjaft i fuqishëm dhe domethënës në të ardhmen tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian”, ka thënë Meta, në ngjarjen që e pranishme ka qenë edhe ministrja e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro-Furxhi. Kryeparlamentari malazias, Ranko Krivokapiq, është ndalur në histori për në ngjarje paksa më të vjetra sesa ato që ka rrëfyer Meta.

“E dimë shumë mirë që Shqipërinë dhe Malin e Zi i lidh edhe familja e Cernojoviqëve, të cilët dy kombet i kanë lidhur edhe me anë të librit. Ne nuk jemi të vetëdijshëm se sa të lidhur ishin Mali i Zi, Shqipëria e krejt Ballkani, në fushat e kulturës, ekonomisë dhe të politikës gjatë mesjetës. Bashkimi Evropian është një pasqyrë e re e asaj lidhjeje që po vjen në Ballkan”, ka thënë ai.

Panairi i Librit është vetëm një intro e ngjarjeve kulturore të qytetit bregdetar për këtë vere. Të mërkurën e kësaj javë do të nisë “Kalimera poetike” që organizohet nga shoqata e artistëve dhe intelektualëve “Art klub”, përderisa të shtunën në Kalanë e qytet do të hapet “Skena verore”, që organizohet nga Qendra Kulturore e Ulqinit.

Burimi: Lajmeshqip