Ulet çmimi i apartamenteve në Tiranë, ndërsa në Podgoricë rriten

October 6, 2015   | Anketë / Anketa

TIRANA-APARTAMENTEAktorët kryesorë pohojnë se tregu imobiliar i Tiranës po përballet me një rritje kërkesash për blerje, por çuditërisht, edhe me ulje çmimesh nw zonat periferike.

Çfarë po ndodh? Ing. Xheni Jahja nga Tirana Real Estate pohon se, krahasuar me 6- mujorin e parë të vitit, kërkesat për blerje janë rritur me 30%. Sipas saj, arsyet lidhen me një rënie të ndjeshme në çmimet e banesave në kryeqytet, në 15%.

Specialisti i tregut të imobiliarëve, Lefter Sila, tregon se ka pasur një rënie çmimi për banesa në kryeqytet, por që ky trend ka filluar që 5 vite më parë, kur nisi kriza në të gjithë botën.

Sa i përket këtij viti, z. Sila pohon se rënia e çmimeve është më e theksuar në zonën e ish-Bllokut me rreth 30-35%, në qendër me 25%, në unazë me 15-20%. Në zona më periferike, rënia ka qenë më e ulët, për shkak se vetë çmimet janë të ulëta, sipas specialistit. Në total, për të gjithë Tiranën, mesatarja vjetore e rënies së çmimeve është rreth 16%, pohon z. Sila. Ai shtoi edhe se emigrantët, që kanë qenë pjesë e grupit që kryenin më tepër transaksione, tanimë, duke u nisur nga eksperienca e këtij sezoni veror, u drejtohen zyrave të agjencive për të shitur, jo për të blerë.

Çmimet në këtë sezon nuk kanë pësuar ulje në zonat brenda Unazës -deklaron Dritan Caka, kreu i Dev Information. Z. Caka ia atribuon këtë fakt mungesës së dhënies së lejeve të ndërtimit dhe kërkesës nga klientët, të cilët preferojnë të banojnë sa më pranë qendrës. Për zonat jashtë qendrës, ai tregon se çmimi nuk është rritur, përkundrazi ka një rënie të lehtë krahasuar me vitin e shkuar. Sa u përket kërkesave nga blerësit në kryeqytet, z. Caka pohon se kanë mbetur në nivelin e vitit të shkuar.

Rajoni, Tirana “e mesme e artë”

Sipas të dhënave të muajit gusht të agjencisë së njohur Numbeo, Tirana me çmimin për metër katror të një apartamenti në qendër të qytetit qëndron në një “të mesme të artë” krahasuar me fqinjët e rajonit. Sipas këtyre të dhënave, çmimi mesatar për metër katror brenda në qytet është 1498.22 euro për Tiranën, e cila duket se e ka më të lartë vetëm se sa Shkupi me 1229.81 euro/m².

Të gjithë kryeqytetet e tjera kanë çmime mesatare më të larta se sa në vendin tonë, duke realizuar kështu këtë renditje, ku kryeson Beogradi me 1956.78 euro/m², ndjekur nga Podgorica me 1650 euro/m², Sarajeva me 1528.89 euro/m².

Sipas së njëjtës agjenci, për apartamentet jashtë qendrës së kryeqyteteve, Tirana renditet e fundit për nga çmimi, duke mbajtur thuajse të njëjtën renditje kundrejt qyteteve të tjera në rajon, të cilat duket se kanë çmime më të larta se sa ne.

Jashtë qendrës së Tiranës, çmimi mesatar për metër katror e një shtëpie kushton 573.45 euro, me diferencë të madhe me renditjen më të ngushtë që është Sarajeva me 843.64 euro/m². Kryeson në këtë listë me çmimin më të lartë Podgorica me 1116.67 euro/m², ndjekur nga Beogradi me 1086 euro/m².

Një ndër arsyet se pse në Tiranë çmimi është disi më i ulët nga vendet përreth, z. Lefter Sila përmend faktin se ndërtimi në Tiranë është i një cilësie më të ulët se në rajon, ku zbatohen më tepër rregullat e ndërtimit sipas BE-së.

Pak interes për periferinë

Aktorët e tregut pohojnë se interesi i dikurshëm për periferinë duket se me kalimin e kohës po ulet. Dritan Caka, nga Dev Information, pohon se blerësit janë të përqendruar për zonat afër qendrës, ndaj dhe periferia, sipas tij, ka pasur zbehje në kërkesa.

Ky trend, i pohuar edhe nga agjenci të tjera në Tiranë, duket se do të zgjasë sipas parashikimeve deri në fund të vitit, duke qenë se edhe transaksionet e këtij viti kanë qenë më tepër pranë qendrës, e cila pavarësisht çmimit më të lartë, ofron më shumë cilësi në ndërtim dhe dokumentacion të rregullt.

Të huajt, interes në rënie

Të huajt tërhiqen më tepër nga komplekset rezidenciale në periferi të Tiranës dhe shumë pak për banesa në qendër të kryeqytetit, pohojnë agjencitë imobiliare. Por, numri i tyre është sërish në rënie dhe transaksionet janë të pakta.

Nga ana tjetër, z. Caka pohon se të huajt që duan të blejnë në Tiranë janë të paktë, krahasuar me prurjet e viteve të shkuara.

Ndërsa, këtë vit është vënë re një numër blerjesh, ndonëse e pakët, nga italianë, të cilët u ofrojnë banesë fëmijëve të tyre që shkollohen në Shqipëri. Megjithatë, z. Caka tregon se këto prona kryesisht vihen sërish në shitje pas disa viteve, me përfundimin e shkollimit të tyre.

Për trendin e shkëputjes së të huajve nga blerjet në Tiranë, z. Sila tregon se shkak është kriza botërore dhe se rajoni ka ndërtime të një standardi më cilësor, që tërheqin më tepër.

A është shtëpia në kryeqytet investim?

Thuhet shpesh se të blesh një shtëpi përbën një investim të mirë që ne do ta vlerësonim me kalimin e kohës dhe pikërisht, që na mundëson një kalim të qetë në moshën e tretë, ku supozohet se kredia (një nga mënyrat për ta blerë) tashmë është paguar.

P.sh. ekspertët e financave këshillojnë se ju mund të fitoni para duke e shitur shtëpinë në një kohë më të vonë, duke blerë një tjetër më të vogël dhe duke mbajtur pjesën e mbetur të parave.

Kur ju investoni në një shtëpi ju prisni që vlera e saj të rritet me kalimin e kohës dhe zakonisht, kjo ndodh, por ky nuk është një rregull i vendosur. Patundshmëria shpesh jep “surpriza”.

Ing. Xheni Jahja pohon se investimi në patundshmëri, deri tani në Shqipëri, është një hap i sigurt në kapitalizmin e pasurisë të të interesuarit.

“Momentalisht bankat nuk ofrojnë interesa të favorshme për kapitalet, kështu që shtëpia mbetet një investim i mirë”, – deklaron znj. Jahja, duke shtuar se edhe investime të tjera ku qytetari shqiptar mund të jetë aksioner janë thuajse zero.

Blerja e një shtëpie ka qenë një investim i mirë dhe mbetet, pohon ekspertja, pasi sipas saj, në të ardhmen ky investim gjeneron para në trajtën e qirasë apo edhe duke përfituar nga rritja e çmimit të pronësisë.

“Ky fenomen është shumë i dëgjuar në Tiranë, ku vlera e shtëpive ka ardhur duke u rritur dhe pas disa vitesh, personi që blen një shtëpi arrin të rrisë vlerën e investimit.

Ing. Jahja shton edhe se ky investim bëhet më bindës, përderisa taksat mbi banesat apo pronat e dyta, apo të treta nuk aplikohen dhe duket se këto taksa nuk do të aplikohen për një të ardhme të afërt.

Të njëjtin qëndrim shfaq edhe drejtuesi i Dev Information, i cili pohon se për kushtet e tregut imobiliar në vendin tonë, shtëpia mbetet një investim i mirë.

“Blerja e një shtëpie është absolutisht një investim pasi po të bësh krahasimin me nivelin e interesit që ofrojnë bankat në Shqipëri, blerja e një prone të ofron tri herë më shumë se banka, pa përfshirë këtu rritjen e çmimit të asaj prone vit pas viti”, – pohon z. Caka.

Indeksi i pronësisë, Shqipëria përmirësim në 2015

Një ndër komponentët e Indeksit të Lirisë Ekonomike, të përpiluar nga Wall Street Journal dhe Heritage, është ai i matjes së indeksit së të drejtës së pronës. Në një pikësim nga 0-100, Shqipëria sipas raportit të 2015-s, ka marrë 30 pikë, me një përmirësim prej thuajse 10 pikësh nga një vit më parë. Në Europë, ka lënë pas Rusinë, Bjellorusinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Bullgarinë, që kanë pikësim më të ulët se sa ne.

Indeksi ka aksesuar pronësinë private dhe ka analizuar pavarësinë juridike, korrupsionin në gjykata, si dhe kontratat për pronësitë. Një raport i fundit i Global Property Guide del në konkluzion se të gjithë këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në investimet në tregun imobiliar, që në Shqipëri po nis të gjallërohet këto dy vitet e fundit.

Bota Sot