Dritan Abazoviq: Shpifje dhe dezinformata të qëllimshme të gazetës “Tema”

October 21, 2015   | Lajmet / Vijesti, Ngjarjet - Events

Shkrimi në Gazeta Tema

Shqiptari i opozitës proserbe në Mal të Zi, njeriu që refuzoi t`i jepej Ramës e Thaçit titulli “Qytetar Nderi” i Ulqinit
Ai është 30 vjeç. Eshtë nga nga Ulqini. Drejton Lëvizjen Qytetare “Ura” dhe prej kohësh është një kritik i fortë i politikës së qeverisë së Milo Gjukanoviç por edhe të establishmentit shqiptar në Mal të Zi.
Quhet Dritan Abazoviç, por është shqiptar pavarësisht prapashtesës “viç” në fund të mbiemrit.
Abazoviç është deputet i Malit të Zi i zgjedhur nga lista e tij pas një aleance me forcat opozitare të Malit të Zi, të cilat bërthamën e tyre e kanë serbe.
Abazoviç është i vetmi shqiptar që ka shpallur hapur qëndrimin e tij pro opozitës me linjë proserbe, pasi bashkëpunimin e kanë edhe të tjerë por nuk dalin hapur.
Dritan Abazoviç është diplomuar për politiolog në Universitetin e Sarajevës.
Njihet si veprimtar i shoqërisë civile si bashkëpunëtor në projekte lidhur me promovimin e multikulturalitetit në zonat e ish-Jugosllavisë ku janë zhvilluar konflikte të armatosura.
Dritani ka drejtuar edhe televizionin shqip në Ulqin, TV Teuta.
Në vitin 2012 është zgjedhur si deputet në Parlamentin e Malit të Zi me partinë Mali i Zi Pozitiv. Më 15 tetor dha dorëheqje nga partia Mali i Zi Pozitiv dhe formoi Lëvizjen Qytetare “Ura”
Ai është bashkuar me Frontin Demokratik në serinë e protestave qytetare kundër qeverisë, por ka deklaruar se nuk do të mbajë qëndrim të njëjtë për nojkotimin e Parlamentit.
Abazoviç ka kundërshtuar edhe vendimin e komunës së Ulqinit për t’i dhënë titullinQytetar Nderi Edi Ramës dhe Hashim Thaçit.
“Vendimi për çmimet Qytetar Nderi i komunës së Ulqinit është i diskutueshëm për dy arsye: së pari, ai është një akt personal i kryetarit të komunës së Ulqinit, i cili nuk është në pajtim me Statutin e Komunës, të cilin nuk e ka shqyrtuar Kuvendi Komunal dhe Këshilltarët e sajë të cilët janë kompetent për një gjë të tillë. Dhe së dyti, për shkak se nuk janë përcaktuar kurrfarë kriteresh për emërimin, por me sa duket është një vendimin politik”, u shpreh në muajin prill Abazoviç, kohë kur Rama dhe Thaçi bënë deklaratën e fortë për emisionin e Baton Haxhiut në lidhje me bashkimin e shqiptarëve…

LEXO MË TEPËR >>>>>>

TemA Online

 

 

 

Reagimi i Dritan Abazoviqit

 

Nga Dritan Abazoviq
Dritan-Abazovic-Ulcinj-UlqinReplikë me gazetën Tema

Dua të theksojë që në fillim, nuk jam një nga ato që i përgjigjem kritikave të medias, përkundrazi, shpesh i përkrah ato si pjesë e dialogut demokratik. Por, meqë jam i bindur se lexuesit Tuaj nuk janë plotësisht të njoftuar me skenën politike në Mal të Zi, e kam parë të udhës ta shkruajë reagimin në tekstin e emëruar  “Dritan Abazoviq/ Shqiptari i opozitës proserbe në Mal të Zi, njeriu që refuzoi t’i jepej Ramës e Thaçit titulli “Qytetar nderi” i Ulqinit”. Në këtë shkrim gazetari, për arsye të panjohura për mua, shkruan një sërë të pavërtetash, informata të gabuara dhe konkluzione tendencioze, duke demonstruar një shkallë të lartë të joprofesionalizmit, për të cilin mund t’i kenë zili edhe mediet e regjimit në Mal të Zi, për të cilët mendoja se janë më të këqijtë.

Fillojmë me radhë: Pothuajse çdo gjë në tekst është e pasaktë, duke filluar nga fjalia e parë banale e që thotë se unë jam 30 vjeçar. Madje edhe ky informacion është i gabuar (29), por ky është problemi më i vogël këtu.

Dezinformata e parë: Nuk është e vërtetë që unë u zgjodha deputet nga lista e përbashkët, e cila, siç thuhet, ka bërthamë serbe. Unë u zgjodha në vitin 2012 nga lista Mali i Zi Pozitiv, e cila morri pjesë në zgjedhje e vetme dhe fitoi shtatë mandate. Bëhet fjalë për subjektin politik ku unë isha njëri nga themeluesit, me orientim absolutisht qytetar dhe me përfaqësues të të gjithë etnive që jetojnë në Mal të Zi.

Dezinformata e dytë: Nuk është e vërtetë që unë ndonjëherë kam mbështetur ndonjë opsion pro-serb, as publikisht, as fshehurazi. Unë jam deputet me orientim qytetar, prandaj nuk kam asnjë pikë të përbashkët me partitë nacionale dhe as nuk marrë pjesë në veprimtarinë e tyre. Përkundrazi, unë jam i vetmi deputet shqiptar në Mal të Zi dhe mbroj, ndër të tjera, edhe interesat e popullit shqiptarë të cilët janë të pakënaqur me statusin që kanë, të cilëve i cenohen të drejtat dhe ashpër e kritikoj pushtetin anti-shqiptar i cili e qeverisë Malin e Zi tash 25 vite pa ndërprerje.  Për fatin e keq të popullit tonë, deputetët tjerë shqiptar janë pjesë e pushtetit.

Dezinformata e tretë: nuk i kam mbështetur  protestat e koalicionit opozitar, Frontit demokratik, edhe pse si demokrat nuk e kontestoj të drejtën e subjekteve tjerë për të protestuar, në qoftë se ato mendojnë se kanë nevojë për një gjë të tillë. Kjo është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Nga ana tjetër, mbështes ndryshimet në Mal të Zi, sepse jemi i vetmi vend në Europë i cili nuk e ka ndryshuar pushtetin në zgjedhje. Nga përmbysja e komunizmit e deri më sot tek ne është e njëjta përbërje e politikanëve në pushtet.

E katërta, dezinformata kryesore në tekstin Tuaj: Absolutisht është e pavërtetë se kundërshtova dhënien e titullit “Qytetar nderi” kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës Thaçi. Unë fola mbi lëshimet procedurale të pushtetit vendor lidhur me këtë, gjë që është po ashtu e vërtet dhe e pamohueshme, e që e dinë edhe Ambasadat e këtyre dy shteteve. Sikur dëshira Juaj ishte të ishit objektiv, atëherë, ndoshta, më së shumti duheshit të më falënderoni mua që ato morën mirënjohje në radhë të parë. Nëse nuk e dini, më duhet të Ju rikujtojë se pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013 në Ulqin, partitë nacionale shqiptare humbën zgjedhjet, ndërsa unë dhe kolegia ime atëherë e “shpëtuam” Ulqinin, që të mbetej në duart e politikanëve shqiptarë, duke i mbështetur parezervë, pa asnjëfarë kushtesh, dy partitë më të mëdha nacionale shqiptare, të cilat tani, së bashku me grupimin tonë, janë në pushtet në Ulqin. Sikur atëherë ky pushtet mos të bëhej, shpërblimi nuk do t’i jepej asnjë politikani shqiptar, ndoshta këtë gjë e keni të qartë.

Në fund, më vjen keq që isha i detyruar të shkruajë demant për informimin Tuaj sipërfaqësor dhe tendencioz. Nëse mendoni se në këtë formë krijoni besueshmëri tek lexuesit, mendoj se gaboni. Dritan Abazoviqi do të Ju qëndrojë gjithmonë në dispozicion për të gjithë informacionet, të cilat janë lehtësisht të qasshme dhe të verifikueshme. Tekste të tilla, siç ishte ky i Juaji, vetëm dëmtojnë popullin tonë dhe prishin unitetin e qenies tonë politike. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm.

Kur mendoj më mirë, duke marrë parasysh që në Mal të Zi momentalisht është situatë e vështirë politike, ndërsa Ju shkruani tekste për ngjarjet që ndodhen muaj më parë, nuk mundem e mos të mendojë, se diçka e tillë është e porositur, ose nga ziliqarët e elitës politike shqiptare e cila për vite të tëra i shërben pushtetit i cili punon kundër popullit të tyre, ose edhe më keq me kërkesë të shërbimeve sekrete të shtetit të Malit të Zi, të cilët nuk dëshirojnë të shohin asnjë fuqi të re përparimtare e cila në çfarëdo lloj mënyre i kundërvihet politikës së tyre.

Nëse keni më ndonjë paqartësi Ju qëndroj në dispozicion për diskutim të mëtejshëm.

Me respekt

mr Dritan Abazoviq

LEXO MË TEPËR >>>>>>

TemA Online