Draga: Libër qe i ka munguar literaturës në shqip

October 30, 2015   | Kulturë / Kultura, Lajmet / Vijesti

NAIL-DRAGA-ULQINVeton Latifi, SHEKULLI I RI I POLITIKËS SHQIPTARE, Botoi:TOENA, Tiranë 2014

Ndonëse nga autorë të ndryshëm shqiptarë varësisht prej profileve të tyre profesionale pas miratimit të pluralizmit janë botuar studime apo botime të veçanta zhanreve të ndryshme, botimet nga fusha e politikologjisë kanë qenë të pakta. Një veprim i tillë ka arsyeshmerinë e vet sepse politikologjia për shqiptarët pothuaj ka qenë e panjohur me parë duke marrë parasysh sistemin shoqëror ku ata kanë jetuar dhe vepruar. Andaj botimi i Veton Latifit, me titull Shekulli i ri i politikës shqiptare, botuar nga Shtëpia botuese Toena e Tiranës, paraqet risi në botimet e literaturës në shqip nga fusha e politikologjisë.

Libri paraqet qasjen e autorit duke trajtuar vlerat dhe parimet e politikës së shqiptareve gjatë një shekulli, por njëherit jep rekomandimet për modernizimin e politikave publike të shqiptarëve në të ardhmen.

Duke lexuar këtë libër i cili ka formen e eseve politike ne nentë artikujt del se autori trajton vlerat konkrete të politikës shqiptare në mënyrë të përgjithësuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, pra me një fjalë në terë hapësirën etnogjeografike shqiptare. Pra kemi një qasje unike por edhe me veçoritë specifike në ato mjedise ku shqiptarët nuk janë popullsi shumicë, në kuadër të shetteve përkatëse.

Eshtë pikërisht qasja profesionale e autorit i cili në këtë formë të trajtimit të çështjeve përkatëse tenton qe të arrijë sa më afër përgjigjës se cila është ajo filozofi që profilizon dimensionin dhe reflektimet e diskursit politik shqiptar gjatë një shekulli, me prezantimin e anomalive si dhe me mundësi të eliminimit të tyre në politikëbërjen e shqiptarëve.

Nga leximi i këtij libri del qartë se autori nuk është marrë me qasjen e hollësishme të etapave historike të shekullit të politikës shqiptare, sepse qellimi i autorit është qe te merret me vlerat konkrete të politikës shqiptare në mënyrë të përgjithësuar në terë hapësirën etnogjeografike shqiptare nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë deri të pavarësia e Kosovës.

Dhe kjo periudhë kohore prej një shekulli ka qenë e mjaftueshme për autorin qe të sjell të dhëna me interes ne lidhje me procesin politik shqiptar, filozofinë politike shqiptare, kulturën politike shqiptare, eliten politike, parimet dhe vlerat e politikës shqiptare, paradokset e demokracisë etj. Çështjet e tilla qe kanë përjetuar shqiptarët si ne sistemet despotike, diktatoriale, pluralizmin politik autori na ofron shpjegime të qarta ne lidhje me diskursin politik për çështjet e trajtuara.

Nuk ka dilemë se një libër i tillë ka qenë ma se i nevojshëm, sepse sikurse popujt e tjerë edhe shqiptarët pas njëqind viteve të pavarësisë së shtetit shqiptar kanë mundësi të bëjnë bilancin e arritjeve, por njëherit edhe të dështimeve të procesit politik gjatë një shekulli.

Duke pasur përgatitje profesionale nga fusha e politikologjisë dhe i dëshmuar në saj të botime të publikuara, autori ka përdorur si referenca një literaturë të kufizuar, sepse është përpjekur qe të prezantojë çështjet me qasje teorike përgjithësuese për temën përkatëse, duke ia arritur qellimit në terësi të indentifikimit të vlerave dhe të diskursit politik

Libri është i mirëseardhur për studentët kryesisht ata te politikologjisë dhe sociologjisë por edhe për të gjithë të interesuarit e tjerë që iu intereson qasja profesionale ndaj çështjeve të politikës shqiptare në përgjithësi në të kaluarën dhe në ditët tona.

Konceptimi i çështjeve dhe trajtimi i tyre nga aspekti i politikologjisë e sidmos duhet cekur gjuhën dhe stilin e të shkruarit them pa hezitim se ky botim mund të shërbejë si model për studiuesit e ndryshëm.

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një libër të veçantë madje do të thoja edhe të rrallë ne shqip, ky libër është i nevojshëm qe të lexohet dhe analizohet patjetër nga përfaqësuesit e politikbërjes të shqiptarët kudo qofshin ata në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Sepse ata kanë mundësi të mësojnë nga ky libër ne lidhje me politikëbërjen dhe kulturën politike, për të menjanuar atavizmin politik, autoritarizmin, qasjen klienteliste, demokracinë jofunksionale dhe qeverisjen joprofesionale për të kuptuar se politika është veprimtari publike dhe shoqërore e jo vetëkënaqësi e abuzim privat i individëve që udhëheqin.

Andaj duke kuptuar mesazhet e këtij libri është koha qe politikëberësit shqiptarë kudo qofshin ata të reflektojnë për të eliminuar defektet qofshin të trashëguara apo të tyre duke iu dhënë mundësi   për të dominuar vlerat dhe parimet profesionale si kudo në botën demokratike.Sepse shekulli i ri kërkon qasje pragmatike me individë profesional të dëshmuar dhe të guximshëm për të sfiduar rrethanat shoqërore të cilat janë preokupuese për politikën shqiptare.

 

Ulqin, 24.10.2015                                                                             Dr.Nail Draga

(Lexuar me rastin e përurimit të librit në Ulqin me 24.10.2015, në organizim të Qendrës kulturore dhe Art Club-it)