Abrashi: Mos prisni pensione për ata që nuk jetojnë në Kosovë
November 2, 2015 | Ngjarjet - Events
Pensionet kontributdhënëse do të rriten nga muaji janar e madje edhe do të kategorizohen. Pensione do të ketë nga 160 deri në 250 euro. Pastaj do të varet edhe arsimimi dhe vitet e punës.Kështu ka bërë me dije ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, Arban Abrashi në një intervistë për “lajmi.net”.
Ndërsa, pensionet jokontributdhënëse nuk do të mund t’i marrin ata, që nuk jetojnë në Kosovë. E nga kjo do të kursehen deri në 18 milionë euro të buxhetit të vendit. Kur flet për skemën sociale, Abrashi ka bërë me dije se tashmë janë larguar dy mijë familje, të cilët kanë pasur të hyra të tjera e edhe po aq familje të tjera pritet të largohen.
Abrashi e pranon se ka qindra persona që janë në skema të ndryshme sociale e që janë të aftë për punë, por refuzojnë të punojnë. Për këtë do të bëhet një Ligj në bazë të cilit, nëse këta persona refuzojnë më shumë se dy herë, do të largohen edhe nga skema sociale në të cilën gjenden. “Pensionet që tashmë janë 140 euro do të jenë në shuma të tjera. Do ketë pensione nga 160 deri në 250 euro. Kemi marrë dhe grante shtesë që t’i plotësojmë ato ndryshime. Do të merren parasysh vitet e punës dhe arsimimi. Po punojmë ngushtë me të gjithë të përfshirët që ta caktojmë saktësisht shumën. Pritet që të përfundojmë deri në fund të nëntorit”, ka thënë Abrashi.
Epoka e Re





