Gjylie Rexha: Ndërmjet identiteteve dhe (mos) komunikimit

December 9, 2015   | Reportazh / Reportaža

Gjylie Rexha“Ti je nga Mali i Zi, që tani është shtet i pavarur, por ende ke një pasaportë të një shteti që tani nuk ekziston si i tillë. Në certifikatën tënde të lindjes figuron një shtet krejt tjetër, që po ashtu i takon të kaluarës. Nga kontratat e punës shoh se jeton në një vend, që synon të bëhet shtet”.

Konstatimet e përfaqësuesit diplomatik të një shteti evropian në sportelin e ambasadës së vendit prej të cilit kërkoja vizë, nuk ishin thjeshtë kërkesa të domosdoshme protokollare. Dosjes time të përzier me emra territoresh u mundova t’i ofroja përgjigjen disi shfajësuese: “Kështu është kur jeton në Ballkan! Krijojmë shpesh shtete të reja”.

Synimit tim për shfajësim, diplomati nga përtej xhamit, iu përgjigj me shfajësimin e tij, me gjuhën e zgjedhur diplomatike: “po mundohem të kuptoj dhe mësoj për Ballkanin”.

Përtej përzierjes që shkaktonin dokumentet e mia, një identitet tjetër, ai që ndodhej tek dokumentet për profesionin tim, më lehtësonte marrjen e vizës dhe më bënte të vlerësuar në vendin e diplomatit të interesuar për Ballkanin.

 

***

Vite më vonë kokëçarjet dhe përzierjet me dokumente janë reduktuar. Vendet të cilave u përkas janë konsoliduar si entitete shtetërore, megjithëse të brishta e ndonjëherë të kontestuara. Në rrëfimin personal vazhdojnë të më shoqërojnë ngatërresat për mënyrën se si ma thonë e ma shkruajnë emrin në entitetet tanimë shtetërore.

Shpesh emri më bëhet edhe përshkruesi më i saktë i “kufijve” të dallueshmërisë brenda përkatësisë së tërësishme amtare gjuhësore.

Vet koncepti i përkatësisë në tërësinë e tij është zgjeruar dhe vështirësuar. Shtresat përcaktuese për identitetet janë shtuar dhe mbivendosur.

Amin Maalouf me librat e tij për identitetin më bëhet shumë i afërt me pyetjen e tij thelbësore për përkatësinë. “Ajo që më bën mua të këtillë siç jam është fakti se jam ndërmjet dy shteteve, dy ose tri gjuhëve dhe disa traditave kulturore. Është pikërisht kjo që definon identitetin tim. A do të ekzistoja në mënyrë më autentike, në qoftë se do të prisja një pjesë timen?”

Në botën vazhdimisht në ndryshim dhe lëvizje, përgjigja në pyetjen e Maalouf-it, është prerazi “jo”, por kjo “jo” kërkon pranimin personal të gjendjes në të cilën duhet përballuar vështirësitë e komunikimit me të tjerët.

 

***

Njerëzit vazhdimisht identifikohen me: simbole, territore, etni, religjione, shtresa shoqërore, gjini, moshë, grupe profesionale, politike etj. etj. Secili identifikim korrespondon me krijimin e një copëze identitare, që kërkon vendin e saj në strukturën e përgjithshme të identitetit.

Tërësia në këtë rast, nënkupton domosdoshmërinë e pranimit se përmbajtja është e larmishme dhe e krijuar gradualisht. Nuk bëhet fjalë për një identitet të vetëm, por për shumësi identitetesh të cilat na bëjnë ata që jemi. Sa herë hyjmë në komunikim me të tjerët ne shprehim identitetet e veçanta, apo disa identitete njëkohësisht.

Komunikimi bëhet mjeti përmes të cilit ne manifestojmë identitetet tona tek të tjerët, por edhe përmes të cilit ne arrijmë të kuptojmë veten dhe identitetin tonë.

Në rrethe të ngushta dhe mjedise me kompaktësi identitare, procesi është më i lehtë. “Unë” identifikohet me “ne” në grupin më të afërt: familjen, vendlindjen, grupin profesional, fenë e trashëguar, kombësinë me të lindur etj.

Problemet fillojnë kur rrethanat ndryshojnë si rrjedhojë e humbjes së kompaktësisë së mjedisit, përballjes së individit dhe grupit me grupe të tjera, apo lëvizjes së individit me disa identitete të mirëpërcaktuara drejt një grupi me identitete të ndryshme nga të tijat.

Në këto raste, individi hyn në procesin e vështirë dykahësh të ruajtjes së identiteteve të mëhershme dhe krijimit të identiteteve të reja, që formësohen gjatë procesit të ndërveprimit me të tjerët. Identitetet nuk janë diçka statike dhe të pandryshueshme. Ato iu nënshtrohen ndikimeve të jashtme dhe situatave të cilat ndikojnë në krijimin e identiteteve të reja tek i njëjti person.

Ashtu si thonë studiuesit e komunikimit ndërkulturor Judith N. Martin dhe Thomas K. Nakayama: “nuk ka një identitet të vendosur, të lehtë për t’u kuptuar, që është “ju”.

“Kemi identitete të shumëfishta, të cilat janë dinamike dhe komplekse dhe që mund të kuptohen vetëm në lidhje me kontekstet dhe kulturat në të cilat jetojmë”, vlerësojnë ata duke theksuar rëndësinë e kontekstit shoqëror dhe kulturor në krijimin e identiteteve të reja.

Në mjedise të përziera kulturore, ballafaqimi ndërmjet identiteteve ndikon që pjesëtarët e grupeve, sidomos kur janë në pakicë, të kërkojnë më shumë shenja dalluese dhe t’i mbrojnë më me ngulm vlerat e tyre të veçanta identifikuese në raport me të tjerët. Dallimet polarizohen duke vënë përball konceptit të fuqizuar “ne” konceptin “ata”, për grupin që përfaqëson identitet të ndryshëm nga ai që e konsiderojmë “ne”.

Ky proces nënkupton domosdoshmërinë e pranimit të ekzistencës së tjetrit, kooekzistencën me të dallueshmin nga ne dhe vullnetin për të hapur veten në procesin e vështirë të pranimit të tjetrit. Në këtë proces, vet identiteti ynë pëson ndryshime, në lidhshmëri me njohjen, kohën dhe komunikimin me tjetrin.

Niveli i këtyre ndryshimeve është faktor përcaktues në arritjen tonë individuale për t’u përgjigjur në pyetjet thelbësore: sa jemi të gatshëm të realizojmë veten duke pranuar të ndryshmin dhe të dallueshmin?

A jemi aq të ngritur sa brenda proceseve të domosdoshme të integrimit në çdo mjedis të ri të ruajmë të veçantat e formësuara si bartës të disa identiteteve? Përgjigjet asnjëherë nuk janë të lehta. Identitetet,aq sa mund të jenë vrastare – siç i shtjellon Malouf, mund të jenë edhe afruese.

 

***

Në “përzierjen” e identiteteve ngatërrohem shpesh në përcaktimin e asaj që quhet “unë”, cili është grupi më i afërt me të cilin ndjehem “ne” dhe kush janë “ata” përball të cilëve jam “unë” dhe “ne”. Përgjigjet shpesh duket se ngatërrohen në sprovat kur përkatësinë në një grup e vë përball përkatësisë së njëkohshme në një grup tjetër të kundërt.

Por, përgjigjet qartësohen dhe sprovat lehtësohen sa herë njëri identitet plotëson tjetrin dhe përkatësia tejkalon përjashtimin. Të jesh pjesë dhe të kuptosh se ke disa identitete, t’u përkasësh disa shteteve, të jesh në lëvizje nga një grup në tjetrin dhe të kesh aftësi të pranimit të realiteteve multi-kulturore, mund të jetë pasuri në tërësinë e asaj që identifikojmë si “unë” dhe “ne”.

 

*Gazetare dhe pedagoge për Media dhe Komunikim në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, Prishtinë.

/ illyriapress/