Libraria ARTI sjell librin me poezi “Ulqini”

December 17, 2015   | Kulturë / Kultura

Libraria ARTI -poezi-UlqiniKy libër është rezultat i Konkursit të Librarisë Arti në Ulqin, që për temë kishte pikërisht vetë qytetin e Ulqinit. Promovimi i këtij libri pritet të bëhet në gjysmën e dytë të janarit të vitit 2016

Libraria ARTI nga Ulqini ka nxjerrë së fundi librin me poezi “Ulqini”, përkatësisht me poezitë e Konkursit të Librarisë Arti në Ulqin, që për temë kishte pikërisht vetë qytetin e Ulqinit. Në këtë konkurs punimet e veta të pabotuara kushtuar Ulqinit i dërguan 16 autorë në një shtrirje gjeografike si: Ulqini, Shkodra, Durrësi, Prishtina, Presheva, Tirana, Korça por edhe nga diaspora si: Italia, Gjermania, Zvicra… “Është interesante se Ulqini fiton një libër me poezi, tridhjetë sosh sa janë përfshirë në këtë libër, duke e vlerësuat si një  xhevahir të rrallë që vetëm qytetet perla i kanë”, thuhet nga botuesi me rastin e publikimit të këtij libri. Juria profesionale në përbërje: Jaho Kollari (shkrimtar), Argëzon Sulejmani (poet ) dhe Gazmend Çitaku (botues) njëzëri për poezi fituese shpallën poezitë Ulqini – Afërdita Salihu (Preshevë), Gjurmë – Arjan Kallço (Korçë) dhe poezia Qyteti i gurit Nexhat Halimi (Prishtinë).
Libraria ARTI -poezi-Ulqini-1

Ky është viti i tretë me radhë që organizohet ky konkurs si dhe përmbledhja e tretë me poezi  dalë nga ky Konkurs. Sipas organizatorëve për shkak të festave të fundvitit përurimi i librit do të bëhet në gjysmën e dytë të janarit 2016 ku pritet që të marrin pjesë edhe ata që dërguan punimet e veta.Organizatorët shpresojnë se në vitin 2016 ky konkurs të ngritet në një nivel më të lartë dhe në të ardhmen pse jo edhe të shndërrohet në një festival të poezisë./KultPlus.com